LAJMI I FUNDIT:

Çfarë po ndodhë me vettingun në drejtësi?

Çfarë po ndodhë me vettingun në drejtësi?

Zhvillimi i procesit të vetting-ut në sistemin e drejtësisë në Kosovë, i nisur nga Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti qysh në fillim të mandatit të saj, vazhdon të jetë në fazën fillestare.

Procesi i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndaljen e ndikimit të politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Në programin e saj katërvjeçar, Qeveria Kurti ka premtuar kompletimin e kornizës së nevojshme ligjore për realizmin e procesit të vetting-ut. Përgatitjen e bazës ligjore, ekzekutivi kosovar e nisi në vitin 2021 – më 13 tetor, u miratua koncepti i dokumentit për vetting-un në drejtësi.


Këtij koncept-dokumenti i bëri një vlerësim edhe Komisioni i Venecias.

Organi këshillues i Këshillit të Evropës konstatoi së në kontekstin e Kosovës, një vetting efektiv do të kërkonte kombinimin e masave të ndryshme, që do të kishin efekt pozitiv në integritetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

Komisioni fillimisht rekomandoi verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori.

Pas pranimit të opinionit të Komisionit të Venecias, i cili i hap rrugën vetting-ut në drejtësi, ky proces nga institucionet e Kosovës u nis në dy drejtime: vetting-un për nivelet e larta, si dhe reformën ligjore – apo vetting-un e rregullt – për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët.

Një komision ad-hoc i Kuvendit të Kosovës, i mbështetur nga Ministria e Drejtësisë, përfundoi hartimin e amendamenteve kushtetuese për vetting-un për nivelet e larta.

Vetting-u në Gjykatën Kushtetuese

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në fillimin e marsit të sivjetmë i dërgoi amendamentet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese, me kërkesën për të sqaruar nëse ndryshimet e propozuara ishin në përputhje me kapitullin 2 të Kushtetutës të Kosovës.

Ndonëse kanë kaluar mbi 5 muaj nga dërgimi i amendamenteve në Kushtetuese, në Ministrinë e Drejtësisë thonë se nuk kanë asnjë njoftim nga Gjykata rreth shqyrtimit të tyre.

Por, Gjykata Kushtetuese thotë se kërkesën është duke e shqyrtuar dhe se për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët e interesit dhe opinioni.

Sipas Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, kjo gjykatë duhet, në parim, të japë vlerësim brenda gjashtë muajsh nga pranimi i kërkesës.

Vetting-u i rregullt në rrugë më të shpejtë

Sa i përket reformës ligjore për vetting të rregullt për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët, nga Ministria e Drejtësisë thonë për REL-in se grupet punuese kanë dërguar në maj raportet finale dhe rekomandimet.

“Në fazën e dytë të këtij procesi, pritet të bëhen ndërhyrjet dhe ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat kanë të bëjnë me forcimin e mekanizmave ekzistues për kontrollin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vlerësimin e performancës së tyre, forcimin e mekanizmave për deklarimin e pasurisë dhe atë të disiplinimit dhe veprime të tjera, të cilat rrjedhin nga zotimet e përbashkëta”, thotë Genc Nimani, këshilltar i lartë i ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Vettingu dhe Byroja Shtetërore, Kurti: Kanë mbetur të bllokuara në Gjykatën Kushtetuese, ende s'ka vendim
Lexo po ashtu Vettingu dhe Byroja Shtetërore, Kurti: Kanë mbetur të bllokuara në Gjykatën Kushtetuese, ende s'ka vendim

Instituti i Kosovës për Drejtësi e ka përsëritur në mënyrë të vazhdueshme, që nga viti 2015, rëndësinë e procesit të vetting-ut.

Drejtori ekzekutiv i organizatës, Ehat Miftaraj, thotë për REL-in se vetting-u është mundësi dhe rrugë e domosdoshme për të pastruar sistemin gjyqësor dhe prokurorin, nga zyrtarë që, siç pohon ai, “nuk e meritojnë të jenë pjesë e këtij sistemi, për shkak të mungesës së integritetit të tyre”.

Sipas tij, “përderisa vetë Qeveria ka pasur vonesa në adresimin e kësaj çështjeje, për arsye të keqplanifikimit dhe keqadministrimit, është lajm i mirë që më në fund amendamentet kushtetuese kanë shkuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese”.

Miftaraj vlerëson se “është e rëndësishme që Gjykata Kushtetuese ta trajtojë këtë çështje brenda një afati të arsyeshëm kohor, duke marrë për bazë rëndësinë që ka ky proces për sundimin e ligjit në Kosovë”.

Kurti: Vetting-u është zgjidhja

Në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 9 gusht, kryeministri Kurti, derisa po fliste për sistem joefikas të drejtësisë, ritheksoi nevojën që procesi i vetting-ut të fillojë sa më parë.

Ai tha se reforma është domosdoshmëri, ndërsa vetting-u, sipas tij, është zgjidhja.

Kurti kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që t’i hapë sa më shpejt rrugë jetësimit të kësaj reforme.

“Koha po kalon. Koha që kalon është kohë e humbur”, u shpreh kryeministri kosovar.

Duke iu referuar statistikave të gjyqësorit, sipas të cilave Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim 1.754 raste më 2022, shefi i ekzekutivit ka thënë se kjo e rëndon sistemin e drejtësisë, e ngufat atë dhe e vonon drejtësinë.

Sipas raportit të Programit për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Pulsi Publik, i publikuar këtë vit, vetëm 29 për qind e qytetarëve janë të kënaqur me punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë./rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Prokuroria autorizon policinë që të nisë hetimet ndaj Sami Kurteshit

Lajme

"Policë evropianë që vijnë të veshur si paramilitarë, si hajdutë, si bandita", Behrami kritikon përcjellësit e Thaçit

Lajme
Serbë nga Kosova shkojnë në Beograd “për të mbrojtur presidentin”

Serbë nga Kosova shkojnë në Beograd “për të mbrojtur presidentin”

Lajme
Instituti PREVENT publikon raportin

Instituti PREVENT publikon raportin "Nga dezinformimi serb tek faktet – Kosova dhe përballja me ekstremizmin e dhunshëm"

Lajme
Një 23 vjeçare humb jetën në një aksident trafiku në fshatin Domorovc të Ranillugut

Një 23 vjeçare humb jetën në një aksident trafiku në fshatin Domorovc të Ranillugut

Kronika e Zezë
Qeveria e Kosovës mbajti mbledhje elektronike, këto janë vendimet

Qeveria e Kosovës mbajti mbledhje elektronike, këto janë vendimet

Lajme
Kalo në kategori