LAJMI I FUNDIT:

Çka është Fondi Sovran?

Çka është Fondi Sovran?

1. Fondi Sovran është shuma e mjeteve monetare që krijon Qeveria për qëllime të investimeve. Këto mjete monetare zakonisht mblidhen nga surpluset e rezervave, nga shitja e resurseve natyrore, nga privatizimet etj. Diçka e tillë ekziston në Norvegji, në Singapor, në Kuvajt etj. Për shembull, Fondi norvegjez është fondi më i madh në botë që ka arritur shumën mbi një trilion dollarë. Ky fond është krijuar pas gjetjeve të rezervave të naftës pranë brigjeve të Norvegjisë. Tashti ky fond është pasuri e popullit norvegjez që investohet në asete të ndryshme në vend dhe në mbarë botën, për të krijuar kthim sa më të lart. Në disa shtete, ky lloj fondi përdoret për investime në industrinë vendore, e sidomos ato industri që janë strategjike dhe e kanë kthimin e garantuar për shkak fuqisë së tregut.

2. Investimet e këtij Fondi kanë prioritet të rëndësishëm për vendin, sepse janë mjete të popullatës – jo vetëm atyre që jetojnë aktualisht në vendin e caktuar – por konsiderohet fond edhe për gjeneratat që do të vijnë. Andaj ky lloj Fondi menaxhohet nga njerëzit profesionistë të cilët sigurohen që kthimi të jetë sa më i lart kundrejt rrezikut të aseteve. Kthimi i cili realizohet nga Fondi Sovran nuk mund të përdoret i tëri nga Qeveria si pjesë e Buxhetit qeveritar, se zakonisht ka rregulla të cilat tregojnë se deri në çfarë shkalle mund të përdoren përfitimet që vijnë nga ky Fond. Këto rregulla janë esenciale për qëndrueshmërinë e Fondit, sepse tendenca e qeverive për t’i përdorur për arsye elektorale do të ishte e madhe. Na raste kur shtetet përjetojnë kriza ekonomike, ky Fond mund të përdoret për ringjallje të ekonomisë, duke ofruar likuiditet dhe kapital për sektorë të ndryshëm.


3. Kosova nuk ka Fond të tillë, por është e mundur të krijohet një fond i cili do t’i shërbejë ekonomisë dhe rritjes së mirëqenies. Kosova në fondin e privatizimit ka 685 milionë euro të cilat mund të bartën në Fond Sovran. Po ashtu, asetet e ndërmarrjeve shoqërore të cilat ende nuk janë shitur, mund t’i kalohen këtij Fondi. Fundja, Fondi i Privatizimit dhe ndërmarrjet shoqërore janë të popullit dhe jo vetëm i atij sot, por edhe të gjeneratave të tjera që do të vijnë. Në të njëjtën kohë, ky Fond mund të rritet duke lëshuar instrumente financiare (letra me vlerë) që mund jetë edhe një mjet i mirë për krijimin e mundësive për investime për diasporën tonë.

4. Investimet e këtij Fondi në Kosovë mund të bëhen në sektorët strategjik, si: energjetika, telekomunikacioni, minierat, infrastruktura etj. Investimet e Fondit Sovran në këta sektorë do të sillnin përfitime në aspektin monetar, e po ashtu do të përmirësonin shërbimet për popullatën. Për shembull, investimet në energjetik – në ndërtimin e termocentralit të ri – sjellin përfitime të ndryshme: e para, kthimi për Fond është i garantuar sepse në Kosovë afër 90 për qind e rrymës prodhohet nga termocentralet; e dyta, çmimi i rrymës për popullatën do të jetë më i leverdishëm sesa çmimi që parashihet nëse termocentralin e ndërton firma private Contur Global. Apo, investimet në Kombinatin e Trepçës, të cilat do të ndikojnë në rritjen e prodhimit, rritjen e punësimit dhe përfitimeve. Ky investim gjithsesi do të përmirësonte gjendjen politike në qytetin e Mitrovicës. Kështu, shumë mundësi do të krijohen për sektorët strategjikë dhe, si efekt, nga kjo do të ndikohet edhe sektori privat i cili i shërben në shumë hallka krijimit të vlerës së produkteve dhe të shërbimeve që vijnë nga këta sektorë.

5. Për fund, e mira e këtij Fondi është se i bën qytetarët e Republikës së Kosovës hisedarë të ndërmarrjeve të cilat cilësohen strategjike për ekonomin e Kosovës. Koncentrimi i mjeteve në një Fond do të ofronte mundësinë për investime të mëdha – siç kërkojnë këto sektorë, për t’u funksionalizuar tërësisht. Të gjithë këta sektorë gëzojnë fuqinë e tregut në Kosovë dhe si rezultat, parashikimet për përfitime janë të sigurta – për më mirë, këto përfitime i kthehen popullatës e jo ndonjë individi apo një grupi njerëzish. Plus, duke siguruar përfitime, në vazhdimësi, ky Fond do të rritet dhe do të krijojë mundësi për investime të reja me potencial për ekonominë e Kosovës. Përfundimisht, ky Fond, duke e pasur mundësin për ndryshim të portfolios së aseteve brenda Kosovës, mund të krijojë bazën për ndërtimin e tregut kapital në Kosovë.

(Autori është doktor i shkencave ekonomike)