LAJMI I FUNDIT:

Pas çmimit në Francë, “Cirku Fluturues” shfaqet edhe në PriFest

Pas çmimit në Francë, “Cirku Fluturues” shfaqet edhe në PriFest

Nga: Gentianë Morina

Filmi “Cirku Fluturues”, me skenar dhe regji të Fatos Berishës, rrugëtimin ndërkombëtar e ka nisi vitin e kaluar, me premierën botërore në Tallin të Estonisë, për të vazhduar në Santa Barbara International Film Festival të Kalifornisë, ku triumfoi si “Filmi më i mirë ndërkombëtar”.

Ditë më parë, “Cirku Fluturues” ka fituar çmimin kryesor ne Festivalin “War on Screen”, në Shalon en Shampanjë të Francës.

Për Telegrafin, Berisha ka thënë se vlerësime për filmin, përveç nga juritë e festivaleve, ka marrë edhe nga audienca ndërkombëtare në vendet ku është shfaqur.

“Është mbresëlënëse kur filmin e vlerësojnë filmbërës të nivelit më të lartë, si: Paul Haggis, Artur Schmidt e Damien Bonnard (pjesë e jurive). Vlerësime dhe komente të mira kemi marrë edhe nga audienca prezente. Po ashtu, ishte i papritur çmimi në festivalin ‘War on Screen International’ që shfaq filma me temë të luftës. Ky çmim është i rëndësishëm për faktin që Kosova, si asnjëherë më parë, ka nevojë të tregojë histori të vërteta të luftës, në arenën ndërkombëtare”, tha Berisha.

Pas Festivalit të Filmit në Monte Karlo, “Cirku Fluturues” do të marrë pjesë në festivalet ndërkombëtare të filmit, “Dea Open Air” në Tiranë më 11 tetor dhe “Oda” në Tetovë më 14 tetor, si dhe në festivalin “Cottbus” të Gjermanisë, në nëntor të këtij viti.

“Cirku fluturues” është komedi e zezë e bazuar në një ngjarje të vërtetë të viteve të 1990, me një grup aktorësh nga Kosova të cilët në mënyrë ilegale e kalojnë kufirin e Malit të Zi për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë. Rolet kryesore në film i luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topiq. Në rolet dytësore janë: Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi etj.

Për publikun kosovar, “Cirku Fluturues” ishte planifikuar të jepet në mars të këtij viti, por për shkak të pandemisë së koronavirusit, kinematë u mbyllën dhe premiera vendore është shtyrë për këtë tetor.

“Jemi në përpilimin e planit të ri të shfaqjes së filmit, pas rihapjes së kinemave në Kosovë. Gjithsesi, ‘Cirku…’ do të shfaqet në PriFest si projeksion special më 20 tetor”, shtoi Berisha

PriFesti i kishte shtyrë datat e mbajtjes, po ashtu për shkak të pandemisë, por këtë muaj do ta kemi edicionin e 12-të me radhë (19-25 tetor).

“Në tetor, festivali do të mbahet online. PriFest është përpjekur që ta ketë një edicion fizik, andaj e kemi shtyrë deri tash. Fatkeqësisht kjo nuk pati mundësi të ndodh, andaj vendosëm për edicion online (si shumë festivale tjera në botë)”, tha Berisha, drejtori artistik i Prishtina Internatinal Film Festival.

Edhe programi i filmave është reduktuar për këtë edicion. Megjithatë, aty do të jenë dy premiera botërore, disa premiera regjionale, evropiane, ndërkombëtare e po ashtu vendore.

“Këtë vit edhe numri i filmave është më i vogël, në krahasim me vitet tjera. Por, kemi filma shumë të mirë. Do t’i veçoj disa, si dokumentarin ‘That Click’, filmin ‘Tel Aviv on Fire’, si dhe filmat e shkurtër që vijnë në kuadër të bashkëpunimit me European Film Academy. Nga filmat e filmbërësve tanë do të keni mundësi të shikoni ‘Exil’-in e Visar morinës dhe ‘Cirkun Fluturues’. Nga produksionet e Shqipërisë, do të shfaqim filmin ‘Open Door’ të Florenc Papas”, tregoi Berisha rreth programit të filmave.

Meqë festivali do të mbahet online, të gjithë mund ta ndjekin të nga rehatia e shtëpisë. Prishtina International Film Festival do të ofrojë qasje gratis, pa bileta, duke u regjistruar në faqen e PriFest-it (vegëza: KËTU). /RTV Dukagjini/Telegrafi/