LAJMI I FUNDIT:

Cilësitë luftarake të shqiptarëve

Cilësitë luftarake të shqiptarëve

Nga: Faik Konica (Pjesë nga libri, “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”)
Përktheu nga origjinali (anglisht): Ferdinand Leka

I


Mendimet mund të jenë të ndryshme në lidhje me shqiptarët e kohëve të vona, dua të them për ata të kohës së sotme dhe për ata të brezave të fundit. Nuk dëshiroj të shpreh ndonjë mendim vetjak në lidhje me këtë çështje. Sigurisht që humbjet e shumta në njerëz, gjatë pesë shekujve, e kanë lodhur kombin. Të rinjtë më të fuqishëm e më të zotë rekrutoheshin nga turqit për luftëra në vende të largëta dhe mua më kujtohet kur isha fëmijë, që nga një regjiment me shqiptarë, i dërguar për të shuar një kryengritje në Arabi, u kthyen vetëm një grusht njerëz. Do të ishte e tepruar të thuhej se shqiptarët e sotëm janë pasardhësit e atyre që ishin aq të gatshëm për të shkuar në luftë; por duhej pritur një farë rënieje e vitalitetit, e shkaktuar nga shërbimi ushtarak gjatë pesëqind vjetëve.

Në kohët e vona, dhe pikërisht në luftën greko-turke të vitit 1897, gjenerali prusian Fon Grunkow e shprehu botërisht admirimin e vet kur pa një repart me shqiptarë në Thesali, që iu ngjit një kodre dhe shtiu në dorë një bateri armike. Korrespondenti i Taimsit (Times) të Londrës në atë luftë, Clive Bingham, vë në dukje se “shqiptarët, në tërësi, nuk janë të denjë për famën e tyre”; por kur i pa me sytë e vet në luftim e sipër shkroi: “Herë pas here shqiptarët zbrisnin të poshtë bregut dhe përpiqeshin pastaj t’i ngjiteshin rrëpirës, por zjarri që i godiste nga lart ishte vdekjeprurës, kurse bateritë, prapa tyre, bënin një efekt shumë të vogël mbi mburojat prej shkëmbi dhe guri”.

Mendimet janë të njëzëshme për cilësitë luftarake të shqiptarëve në kohërat më të hershme. Nuk lind nevoja të bëhen përpjekje të posaçme për të vërtetuar sa thamë, pasi materiali është aq i pasur sa mund të mbushen vëllime të tëra. Po kufizohem të sjell vetëm një a dy shembuj më kuptimplotë. Në një raport drejtuar Senatit të Venedikut më 1576, Andrea Justiniani thotë se në një korpus prej treqind e pesëdhjetë ushtarësh, që formonin garnizonin e Korfuzit, kishte edhe një kompani prej dhjetë shqiptarësh, “e cila ishte më e mirë se të gjithë italianët e tjerë së bashku”.

Duhet ta pranojmë këtë vlerësim të sinqertë italian të aftësisë luftarake të shqiptarëve, që na dalin tridhjetë e katër herë më të zotë se italianët për luftë. Venedikasit kanë qenë të paanshëm në vlerësimin e njerëzve e të sendeve: ata nuk do të mund të krijonin një perandori, po të mos kishin aftësinë t’i gjykonin gjërat ashtu siç duhet. Në shekullin e gjashtëmbëdhjetë nuk ishin shpikur ende ato mjete që mund të zëvendësonin guximin e njeriut.

Raimondo Montekukoli (Montecuccoli,) gjeneralisimi i shkëlqyer i Perandorisë së Shenjtë Romake, i cili doli fitimtar mbi turqit në luftën e madhe të Shën Gotardit më 1664, rrëfen në kujtimet e veta ushtarake; “Se sa në rrezik ishim të humbisnim luftën, dukej nga pështjellimi e rrëmuja në radhët e ushtrisë dhe nga vrulli me të cilin sulmonin jeniçerët dhe shqiptarët, që megjithëse më të paktë në numër, asnjëherë nuk kërkuan mëshirë ose t’u falej jeta; luftimet, për një kohë të gjatë, u ngjanin valëve të detit, që herë sulen përpara, herë tërhiqen prapa”.

Mercenarët dhe ushtarët shqiptarë të rastit, që i kanë quajtur me emra të ndryshëm (kapelet, stradiot, estradiot, korval, morien, gjeneter), kanë luftuar në ushtritë e Francës, Spanjës, Perandorisë së Shenjtë Romake, të Venedikut dhe të shteteve të tjera italiane, duke lënë shumë gjurmë në historinë e Evropës. Ata ishin të ndershëm si luftëtarë dhe nuk e linin punën përgjysmë, sikundër e kishin zakon shumica e mercenarëve. Francezët e patën provuar mbi kokën e tyre zellin e këtyre ushtarëve, që luftonin për zotërinjtë e tyre njëlloj sikur të ishin duke mbrojtur ndonjë çështje të vetën. Kur u dorëzua qyteti i Novaras në vitin 1500, francezët i përjashtuan shqiptarët nga e drejta e daljes prej qytetit të paprekur, sepse, thotë Zhan Doton (Jeand d’Auton) “ata kanë ardhur më shumë se një herë nga një vend i largët, për të luftuar kundër francezëve”.

Më vonë, siç duket, francezët e kuptuan se shqiptarët nuk kishin ndonjë inat të veçantë kundër tyre dhe se luftonin vetëm pse e quanin luftën detyrë nderi. Në vitin 1503 francezët morën në shërbim ushtarë shqiptarë dhe kështu në ushtrinë e Luigjit XII kishte një korpus prej njëmijë e dyqind shqiptarësh, të cilët treguan guxim të shkëlqyer dhe për gati një shekull u bënë pjesë e pandarë e ushtrisë frënge. Mbretërit e Francës vinin kurdoherë fisnikët më në zë në krye të këtyre trupave të zgjedhura.

Në mes të tjerëve, si komandant i përgjithshëm i tyre, ka qenë për një farë kohe Duka i Brisakut (Brissac). Në betejën e Kutra-së (Coutras), më 1587, shqiptarët u vranë deri në njeriun e fundit. Për herë të fundit trupat shqiptare në ushtrinë frënge i takojmë në betejën e Ivri-së (Ivry) më 1590. Brantomi (Brantôme) shkruan se shqiptarët kanë qenë krijuesit e kalorësisë së lehtë; ndonjë shkrimtar tjetër nuk është i një mendimi me Brantomin, por pohon se, me metodat që ata përdornin në luftë, i dhanë shkas krijimit të kalorësisë së lehtë. Kronika e Zhan Dotonit, që përmendëm më lart, i përshkruan me hollësi mënyrat e luftimit të këtyre mercenarëve shqiptarë. Porsa jepej shenja e sulmit nga komandanti i përgjithshëm, ata lëshoheshin mbi kuaj në mes të radhëve të armikut, duke mbajtur heshta të gjata me një flamur të vogël në majë, jepnin një goditje të fuqishme dhe shkaktonin panik në radhët e kundërshtarit, pastaj i qëndronin besnikë kodit të tyre të nderit dhe nuk e harronin parimin sipas të cilit “koka e falur (e ulur) nuk pritet”.

Në një raport, që mban datën 27 qershor 1510, dërguar mbretit të Francës nga Seneshali i Madh i Normandisë, që kishte qenë një nga komandantët e armatës së mbretit në Itali, bëhet një krahasim në mes të moralit luftarak të shqiptarëve dhe atij të sllavëve. “Sllavët – shkruan Seneshali i Madh – janë mizorë në luftë, sepse vrasin këdo që u bie në dorë, pa marrë parasysh robërit, prandaj edhe ne u sollëm me ta në të njëjtën mënyrë”.

Ky vlerësim që i bëhet “kalorësisë” së shqiptarëve nga një gjeneral i shquar i ushtrisë së monarkisë frënge, mund të shoqërohet edhe nga dëshmi të tjera të paanshme. Porse trimëria e shqiptarëve nganjëherë kthehej në dëm të tyre, sepse nxiste një zili të egër dhe të vazhdueshme. “Iniciativa e shqiptarëve – thotë koloneli Lik – shpirti i tyre aktiv, qëndresa dhe epërsia në çdo punë që kishte lidhje me luftën, i bënë ata objekt xhelozie dhe urrejtjeje edhe në mes të turqve, në dobi të të cilëve shkonin shpeshherë të gjitha këto cilësi”.

Edhe në det shqiptarët kanë treguar një veprimtari të guximshme si oficerë të flotës turke, si piratë dhe ndjekës të flotës armike. Në një kohë me emrin “shqiptar” nënkuptoheshin të gjithë piratët që lundronin në Mesdheun Lindor. Edhe Servantesi na tregon se ai që e kishte zënë rob dhe e kishte dërguar në Algjer ishte një pirat me emrin Arnaut Mami, që do të thotë Arnaut Shqiptari. Në prill të vitit 1770 detarët shqiptarë të flotës ndjekëse të Ulqinit thyen një flotë ruse që ishte nën komandën e Aleksei Orlovit. Me rënien e fuqisë detare të otomanëve dhe me daljen jashtë përdorimit të flotës ndjekëse, mori fund edhe veprimtaria shqiptare në det. Por është një fakt i mirënjohur roli i rëndësishëm që kanë luajtur detarët shqiptarë në luftën për pavarësi të Greqisë; dhe vetëm një brez më parë, elementi shqiptar në flotën greke ishte kaq i shumtë, saqë ndër anije flitej më tepër gjuha shqipe se gjuha greke.

II

Historia e cilësive luftarake të shqiptarëve nuk del e plotë. Po të mos përmendnim Skënderbeun, heroin mesjetar të shqiptarëve, i cili për një çerek shekulli luftoi pa pushim kundër fuqisë së madhe turke. Megjithëse dy sulltanët më të fuqishëm të kohës e udhëhoqën vetë ushtrinë, Skënderbeu nuk u mund asnjëherë. Heroi legjendar i Shqipërisë u quajt me të drejtë “Mbrojtësi i Krishterimit”. Këtë titull ia dha vetë papa i Romës, meqë luftërat e tij ndihmuan për të shpëtuar Evropën e krishterë nga pushtimi turk, çka do të kishte qenë një katastrofë për të gjithë botën e qytetëruar.

Ndoshta mënyra më e mirë për të vlerësuar meritat e Skënderbeut është të citojmë çfarë kanë thënë për të disa shkrimtarë dhe ushtarakë të njohur. Volteri e ka përsëritur disa herë në veprat e veta të shumta se po ta kishte mbrojtur Skënderbeu Kostandinopolin, ai qytet nuk do të kishte rënë në duart e turqve në atë maj të vitit 1453. Gjenerali Xhejms Uolf (James Wolfe), heroi i Kebekut, ka thënë: “Ai (Skënderbeu) ua kalon të gjithë oficerëve të lashtë e modernë për sa i takon udhëheqjes së një ushtrie të vogël mësymëse (ofensive)”.

Eseisti anglez i shekullit të shtatëmbëdhjetë, Sir William Temple, në esenë e vet mbi “Virtytin e heroizmit” e vë Skënderbeun në një radhë me shtatë mbretërit e pakurorëzuar të Evropës,… “veprat dhe virtytet e të cilëve u lejojnë të vihen në një radhë me disa mbretër dhe perandorë… Gjergj Kastrioti, i quajtur më tepër Skënderbeg, princi Epirit dhe Huniadi zëvendës mbreti i Hungarisë, të cilët kanë qenë dy kapitenë përherë fitimtarë dhe burra shumë të mirë, mbrojtës të vërtetë të krishterimit dhe tmerr i turqve, sa qenë gjallë. ata, me forca të pakta, i mbajtën të zëna për shumë vite me radhë të gjitha fuqitë e Perandorisë Otomane… dhe Skënderbeu nuk pati kurrë më shumë se gjashtëmbëdhjetë mijë veta, në të gjitha luftërat që fitoi kundër turqve, të cilët shpeshherë e kalonin numrin e njëqind mijë ushtarëve”.

Sipas legjendës, Gjergj Kastrioti, i mbiquajtur nga turqit Skënderbeg, ka lindur më 1403 dhe, siç na e thotë Fan Noli, pa e besuar aq shumë as ai vetë, “u muar si peng nga Sulltan Murati II, kur ishte në moshën nëntëvjeçare. Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur më 1412, mbasi Skënderbeu qenka lindur më 1403”. Pastaj Fan Noli, për të dhënë shpjegime më të hollësishme shton: “Por, më 1412 mbretëronte në Turqi Mehmeti I dhe jo Murati II, i cili hipi në fron më 1421, domethënë nëntë vjet më vonë”. Pastaj prapë sipas legjendës, Skënderbeu u arsimua në shkollat më të mira të Perandorisë Otomane, tregoi talent ushtarak të jashtëzakonshëm dhe u bë njeri i dashur për Portën e Lartë. Pikërisht ai fëmijë nëntëvjeçar, tridhjetë e një vjet më vonë, u kthye në Shqipëri e i theu turqit për njëzet e pesë vjet me radhë, deri sa vdiq, më 1468.

Në mendjen e lexuesit mund të lindë kjo pyetje: a është e mundur që një fëmijë nëntë vjeç, i rritur në mes të luksit, i trajtuar si hero e me një titull princor, tridhjetë e një vjet më vonë t’i braktisë të gjitha këto të mira dhe të kthejë në vendlindje për t’u shkëputur nga bamirësit e vet? Kjo çështje nuk mund të zgjidhet në mënyrë të plotë dhe të saktë, përderisa nuk kemi në dorë fakte më konkrete, të cilat ndoshta ekzistojnë diku, e më shumë se kudo në bibliotekën e Vatikanit. Peshkop Noli e cek, por nuk e shpjegon gjerë e gjatë misterin e lartpërmendur. Ai beson, me bindje të plotë, që Skënderbeu pjesën më të madhe të kohës, nga viti 1412 e deri 1443, e ka kaluar brenda në Shqipëri, ose diku aty rrotull kufijve të saj. Po të jetë e saktë kjo teori, atëherë e kemi në dorë tashmë çelësin për të shpjeguar dashurinë dhe devotshmërinë e Skënderbeut për vendlindjen.

Po të pranojmë që Skënderbeu kaloi tridhjetë e një vjet diku në Perandorinë Turke, çfarë lloj organizimi shoqëror gjeti kur u kthye në Shqipëri? Peshkop Noli e cek, pa e përpunuar më gjatë, këtë temë, duke thënë se shtresa shoqërore në Shqipëri mund të kenë qenë si vijon: fshatarë të lirë, në krahinat malore të vendit, një farë sistemi feudal në tokat fushore prodhimtare dhe “qytete në lulëzim e sipër” përgjatë bregdetit. Sipas Nolit, kishte edhe disa “aristokratë të vegjël, a më mirë të themi krerë patriarkalë të malësorëve”. Por, në pjesën më të madhe, shqiptarët ishin të lirë, pasi “bujkrobëria dhe skllavëria ishin gjëra të pakonceptueshme për ata”. Disa vëzhgues të hollë janë shprehur me maturi: “Një shqiptar nuk mund të jetë skllav”. Është mjaft interesante të dihet se “në tregjet turke, ku shiten skllevërit, askush nuk do të blinte një shqiptar… sepse ishte e pamundur t’i nënshtronte dhe bëheshin tepër të rrezikshëm për zotërit e tyre”.

Nga konstatimi i mësipërm mund të kuptohet përse popujt e tjerë të Ballkanit u nënshtruan lehtë nga Turqia, kurse shqiptarët u bënë ballë turqve për një të katërt shekulli. Megjithëse doli fitimtar shumë herë, Skënderbeu pati trazira e njerëz që e tradhtuan. Kohë pas kohe krerët e fiseve e linin në baltë dhe bashkoheshin me armiqtë e tij. Disa prej tyre ngulnin këmbë që të hynte në “bisedime për paqe”, por, siç na tregon Peshkop Noli, “Skënderbeu nuk ua vinte veshin fare, megjithëse shpeshherë mbetej vetëm”. Paqja, më në fund, u nënshkrua, më 27 prill të vitit 1463, pikërisht pesë vjet para vdekjes së Heroit. Porse në nëntor të po atij viti, ai e rifilloi luftën kundër turqve dhe nuk e ndërpreu më deri sa vdiq.

Veprimet ushtarake më të mëdha kundër turqve Skënderbeu i ka zhvilluar kur këta përpiqeshin të shtinin në dorë Krujën, kryeqytetin e tij. Përpjekja e parë për të shtënë në dorë Krujën u bë në vitin 1450, nga Murati II, i cili u thye, pas një beteje epike që zgjati pesë muaj. Duke përshkruar përpjesëtimet e mëdha të rrethimit të Krujës, shkrimtari amerikan Agnes Repplier, në një artikull të titulluar “Skënderbeu”, të botuar në revistën “Catholic World” të dhjetorit 1889, shkruan sa vijon: “Përpjesëtimet me të cilat u ndërmor rrethimi i Krujës dëshmojnë se sa i thellë ishte zemërimi i Sulltanit dhe sa i pamëshirshëm ishte qëllimi i tij. U grumbulluan njëqind e gjashtëdhjetë mijë veta… ushtria pushtuese po i drejtohej Krujës, zuri fushat përreth, vuri topat përpara dyerve të qytetit – gjë e re për artin ushtarak të asaj kohe – dhe i çoi fjalë garnizonit që të dorëzohej. Mori përgjigje negative, otomanët u sulën mbi muret, por u sprapsën me aq furi nga të rrethuarit, saqë lanë të vdekur në fushën e betejës mbi tetë mijë jeniçerë. Skënderbeu vrojtonte, si një shqiponjë, nga majat e shkëmbinjve, priste deri sa luftimi të arrinte kulmin, pastaj lëshohej mbi armikun e hutuar nga befasia, shpartallonte llogoret e tij, i vinte zjarrin kampit dhe me furi e vrull të tmerrshëm, zhdukte çfarëdo që i dilte përpara”.

Orvatja e fundit për të nënshtruar Krujën u bë në qershor të vitit 1467, nga Mehmeti II, i biri dhe pasardhësi i Muratit, pikërisht një vit përpara se vdekja ta hiqte Heroin nga skena e luftës. Në lidhje me këto sulme kundër Krujës, Peshkop Noli thotë se “Mehmeti i la dorë të lirë ushtrisë së vet të digjte e të piqte çdo anë e kënd të Shqipërisë”. Por, në të njëjtën kohë, e kuptoi se po e paguante rëndë këtë veprim, meqë Skënderbeu i asgjësonte pa pushim këto “detashmente” dhe “u kthye në Stamboll i mundur dhe i përulur”.

Të gjithë ata që kanë shkruar për Skënderbeun, që nga Marin Barleti e deri tek Eduard Gibbon-i e Peshkop Noli, i kanë ngritur lart aftësitë luftarake të Skënderbeut, por kanë thënë fare pak për zotësinë e tij për të bashkuar popullin. Në kohën e tij Shqipëria ishte e ndarë në shumë principata dhe çdo kryetar ishte ziliqar e kryelartë, aq sa mund të jetë një shqiptar, për t’i dhënë rëndësi vetes në rrjedhën e ngjarjeve. Në këtë pështjellim, që i afrohej shumë anarkisë, erdhi Skënderbeu, më 1443. Menjëherë u përpoq të vinte rregull mbi këtë kaos dhe për këtë thirri Kuvendin e të gjithë princave në Lezhë, më 2 mars të vitit 1444, ku formoi Lidhjen e Princave Shqiptarë e vetë u vu në krye të ushtrisë së Lidhjes. Aty ishin mbi dymbëdhjetë princa; vetëm me diplomaci dhe shpirtgjerësi ai arriti t’i mbante të bashkuar deri sa vdiq. Një njeri më pak i zoti nuk do t’ia kishte arritur kurrë atij bashkimi. Kohë pas kohe disa nga princat lëkundeshin, por personaliteti dinamik i Skënderbeut i mbante të bashkuar. Besëlidhja u prish sapo u varros ai në katedralen e Shën Kollit në Lezhë, më 17 janar 1468. Pak kohë më pas Lidhja u përça e pastaj ra edhe Shqipëria, për të mos u ngritur më deri më 28 nëntor 1912, domethënë katërqind e dyzet e katër vjet më vonë. Kështu Shqipëria, që iu nënshtrua e fundit turqve në Ballkan, edhe pavarësinë e fitoi më vonë se të gjithë të tjerët.