Autizmi, i njohur gjithashtu si Çrregullimi i Spektrit të Autizmit (ÇSA), është një gjendje neurozhvillimore që ndikon në mënyrën se si një person komunikon, ndërvepron dhe e percepton botën përreth tij.

Kjo gjendje është e pranishme që nga fëmijëria dhe shfaqet ndryshe te çdo individ – prandaj quhet “spektri i autizmit”. Disa persona mund të kenë nevoja të mëdha për mbështetje në përditshmëri, ndërsa të tjerë mund të jenë shumë të pavarur dhe të funksionojnë në mënyrë të suksesshme në jetë, duke përfshirë punën, arsimimin dhe marrëdhëniet sociale.


Shenjat e autizmit mund të jenë më të vështira për t’u vënë re tek të rriturit, sidomos tek gratë, të cilat shpesh zhvillojnë strategji për të fshehur vështirësitë që përjetojnë.

Por, cilat janë simptomat e zakonshme të autizmit tek të rriturit?

Vështirësi në kuptimin e asaj që të tjerët mendojnë ose ndiejnë;

Ankth i madh në situata shoqërore;

Vështirësi në krijimin e miqësive ose preferenca për të qenë vetëm;

Të dukesh i drejtpërdrejtë, i vrazhdë apo i painteresuar ndaj të tjerëve pa e pasur qëllim;

Vështirësi për të shprehur ndjenjat;

Marrja e gjërave në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë – për shembull, mund të mos kuptosh sarkazmën ose fraza;

Nevoja për të pasur të njëjtën rutinë çdo ditë dhe ndjenja e ankthit të madh nëse ajo ndryshon.

Shenja të tjera të autizmit përfshijnë:

Moskuptimi i "rregullave" sociale, si për shembull të mos flasësh mbi të tjerët;

Shmangia e kontaktit me sy;

Afrimi shumë me njerëzit ose shqetësimi nëse dikush të prek apo të afrohet shumë;

Vëzhgimi i detajeve të vogla, modeleve, aromave ose tingujve që të tjerët nuk i vënë re;

Interes i madh dhe i thelluar në disa tema ose aktivitete të veçanta;

Pëlqimi për të planifikuar gjithçka me kujdes para se të veprosh.

Autizmi tek gratë

Gratë autike mund të kenë më shumë gjasa që:

Të kenë mësuar të fshehin shenjat e autizmit për t’u "përshtatur" – duke imituar sjelljet e njerëzve që nuk janë autikë;

Të jenë më të qeta dhe të fshehin ndjenjat e tyre;

Të duken sikur përballojnë më mirë situatat shoqërore;

Të shfaqin më pak sjellje të përsëritura.