Cila shoqëri civile?

Pjesëtarët e shoqërisë civile duhet (nëse duhet) të hyjnë në politikë vetëm me kushtin që ata të kenë mundësinë ta ndryshojnë politikën, e jo që politika t’i asimilojë ata.
Ju mund të ndryshoni diçka kur të bashkohen të gjitha shoqëritë civile... Kjo është një fjali e marrë nga një koment i një lexuesi në portalin Telegrafi. Jo rrallë haset një shprehje e tillë për sektorin e OJQ-ve. Një shprehje e tillë madje haset edhe tek debatuesit nëpër media. Shoqëritë civile të Kosovës. Mendohet, një OJQ, një shoqëri civile. Në të vërtet edhe pse tërësisht në ndeshë me idenë dhe definimin e shoqërisë civile, shprehja, shoqëritë civile të Kosovës, ka një kuptim semantik. Vërtet në Kosovë ekzistojnë disa shoqëri civile.
Është për shembull një shoqëri civile që e mban emrin e tillë që është krijuar e tillë që vetëm plotëson boshllëkun në një fushë të caktuar. Për shembull, duhet të ekzistojnë organizata që monitorojnë procese të rëndësishme, ta zëmë zgjedhjet, dhe krijohet një grup OJQ-sh që për mision e ka monitorimin e zgjedhjeve. Grupet që thjesht mbushin një boshllëk në këtë sektor zakonisht ose krijohen nga njerëz që kanë identifikuar një potencial donacionesh ose janë krijuar nga ata që duan ta mbajnë nën kontroll këtë segment të “monitoruesve të pavarur”. Ky grup i shoqërisë civile zakonisht nuk flet, por thjesht shfaqet herë pas here me deklarata të vonuara ose aq të përgjithshme saqë nuk kanë asnjë lloj ndikimi në procesin e caktuar.
Shoqëria tjetër civile në Kosovë është ajo që krijohet nga njerëz me ambicie për funksione politike. Shpesh gabimisht këtu përzihen njerëzit me ambicie politike dhe njerëzit me ambicie për funksion në politikë. Shoqëria civile mundet e ndonjëherë madje është e domosdoshme të jetë politike, por është tjetër gjë të kesh ambicie për funksione politike. Ky grup në Kosovë zakonisht është krijuar nga njerëz që kanë një ekspertizë dhe formojnë OJQ ose thjesht funksionojnë individualisht me qëllim që ose nën statusin e ekspertit të tërheqin fonde nga shërbimet konsulente sidomos me qeverinë, ose prapë të tërheqin donacione po me këtë status. Shpesh ndodhë që individë të tillë të përfundojnë si këshilltarë të lartë në qeveri ose si ministra apo mbajtës të ndonjë zyreje të rëndësishme publike.
Shoqëri tjetër civile është ajo që krijohet po për të mbushur boshllëkun sidomos në avokim dhe zakonisht ndërtohet nga njerëzit që nuk gjejnë punë gjëkundi dhe nuk kanë ndonjë kompetencë të theksuar. Kjo shoqëri civile zakonisht flet. Flet për gjithçka dhe në çdo moment. Qëllimi i krijimit të kësaj shoqërie civile në Kosovë është të flasësh. Të flasësh gjithçka dhe për gjithçka në emër të shoqërisë civile shkakton një devalvim të sektorit dhe mbase edhe kjo është vetë ideja e grupeve të tilla. Në dukje grupet e tilla janë më të pavarura në raport me qeverinë, por përgjithësisht deklarimet tepër të përgjithshme dhe pa ndonjë përmbajtje thjesht i shkojnë për shtati qeverisë, sepse në fund të fundit ky sektor bën po atë që bën qeveria, prodhon retorikë. Mungesa themelore e këtij segmenti të shoqërisë civile është kompetenca dhe kur të mungon kompetenca zakonisht ke guximin të merresh me gjithçka duke qenë se merresh sipërfaqësisht.
Natyrisht nuk janë këto të vetmet “shoqëri civile” në Kosovë, por janë më sinjifikativet. Në të vërtet grupet që vërtet funksionojnë si shoqëri civile nuk perceptohen shumë si pjesë e shoqërisë civile. Ato ose funksionojnë në nivele lokale (sidomos Ferizaj, Mitrovicë e Pejë) dhe karakterizohen me një qëndrim të qartë dhe me përmbajtje, me aktivitete të rralla por të fokusuara dhe konkrete. Ose gjenden edhe në nivelin qendror, por duke pasur para sysh se merren me gjëra më konkrete që prekin direkt interesat e pushtetit këto grupe shpesh pranohen me skepticizëm dhe tentohet të luftohen duke ndërtuar konspiracione se janë grupe të lidhura me opozitë.
Një shoqëri e vërtet civile do të kishte diçka nga tërë këta komponentë. Natyrisht shoqëria civile duhet të ketë marrëdhënie me pushtetin, por jo me çfarëdo kushti. Shoqëria civile duhet të flasë për shumë gjëra, por jo gjithsesi, pra duhet të kihet kujdes mbi mënyrën se si flitet në mënyrë që të mos kontribuohet në shkaktimin e mëtutjeshëm të devalvimit të kritikes dhe ajo që thotë shoqëria civile duhet thjesht të dallojë për nga përmbajtja dhe shfaqja nga ajo që thotë opozita politike. Shoqëria civile në një vend si Kosova, ku mbretëron një mosndëshkueshmëri ndaj politikës për manipulimet e dështimet, do duhej të ishte agresive. Nuk mund të përdorim një gjuhë të vendeve nga vijnë donatorët kur trajtojmë çështje nga sfera publike. Mbrojtja e barazisë gjinore për shembull duhet të trajtohet ndryshe në Kosovë nga, ta zëmë, Gjermania, ose Franca duke qenë se shkalla e shkeljes e diskriminimit ndaj gruas në Kosovë është shumë më agresive sesa në këto vende.
Natyrisht sektori i shoqërisë civile ka një reputacion jo të mirë në Kosovë. Imazhi i këtij sektori është dëmtuar para së gjithash nga mungesa e integritetit të saj. Jo rrallë figura të shoqërisë civile janë parë si shpresë nga opinioni publik, për ta zhgënjyer këtë të fundit me tu hedhur në një funksion politik të këtyre individëve, të cilët kryesisht përqafojnë një luks të ngjashëm me figura që kanë origjinën nga zyrat e tymosura të partive politike. Sot që krerët e Qeverisë flasin për angazhimin e shoqërisë civile, nga vetë gjuha e kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit mund të shihet se praktikisht pushteti ka një qëndrim patronizues ndaj figurave të shoqërisë civile. Ata thonë se qasja pozitive e Qeverisë mund të shihet në përfshirjen e shoqërisë civile në riformatizimin e Qeverisë.
Ata nuk e shohin këtë sektor si një vend prej nga kërkohet ndihmë, e shohin më tepër si një sektor që herë pas here përdoret për t’ia përmirësuar imazhin politikes. Në anën tjetër faji më i madh për këtë qasje tërësisht patroniste të politikës ndaj shoqërisë civile gjendet pikërisht tek shoqëria civile. Jo rrallë jepet përshtypja se figura nga ky sektor thjesht pështjellohen nëpër këmbët e politikes me ëndrrën se një ditë do ta kapin një funksion politik. Nuk ka gjë të keqe nga angazhimi i prestarëve të shoqërisë civile në politikë. Mirëpo, ky angazhim duhet të vijë para së gjithash mbas një respekti të integritetit dhe të kritikës së shoqërisë civile nga ana e qeverisë, jo si rezultat i një marrëdhënieje inferiroriteti të cilësdo palë. Pjesëtarët e shoqërisë civile duhet të hyjnë në politikë vetëm me kushtin që ata të kenë mundësinë ta ndryshojnë politikën, e jo që politika t’i asimilojë ata. Në të kundërtën, ata thjesht vetëm kontribuojnë në zgjatjen e hipokrizisë së politikës dhe hiles që tradicionalisht kanë pasur politika e shoqëria civile në ndërmjet.
Autori është bashkëthemelues i Organizatës ÇOHU!




































