LAJMI I FUNDIT:

Christopher King dhe disqet e vjetra me muzikë shqiptare

Christopher King dhe disqet e vjetra me muzikë shqiptare
Christopher King

Nga: Auron Tare

Jo shumë larg Sarajit të rrënuar të Hysen Bej Shishkos, në një shtëpizë modeste pranë një tavolinë të vjetër druri, tymos cigare të dredhura me dorë, Christopher King.

Fitues i çmimit Grammy në muzike, King ka zgjedhur të vendoset në këtë cep të vogël të Greqisë së veriut pranë, kufirit me Shqipërinë. Nga dritaret e hapura ku duket fusha e gjelbër e Konicës dhe peizazhet e Leskovikut, dëgjohen murmurimat e këngëve të e zezakëve të Misisipit apo tingujt e rrallë të klarinetës epirote.

I rrethuar nga koleksioni tij unikal i pllakave të vjetra të gramafoneve, ai studion ndër të tjera edhe muzikën e Shqipërisë së jugut. Autor i shumë artikujve dhe prodhues i disa disqeve me muzike nga Shqipëria, Chris King është një nga studiuesit e rrallë të familjes muzikore Leskoviku, në veçanti Hafize dhe Ajdin Leskovikut (së bashku me Vasil Tolen), ky i fundit totalisht i panjohur për kontributin e tij në muzikë.

Pas një serie disqesh te viteve 1920, King nxjerr nga arkivi diskun e parë me muzike shqiptare të prodhuar në Rumani më 1906. Zhurma dhe papritmas një zë i zgavruar i kënduar në shqip në Bukureshtin e largët. Sipas Toles, disku i parë është prodhuar në 1905, por sipas Kingut ende askush nuk e ka pare këtë disk për të qene e vërtet. E, megjithatë, ndarja me një vit është çështje kurioziteti.

Ne cepin e dhomës se zbukuruar me qilima te Shqipërisë, ndodhet një gramafon i madh mbi 100 vjet. Ne gjendje te shkëlqyer pune shpërndan muzikën elegante te jugut nga pllakat e vjetra. King përhumbet nga muzika dhe thith thellë cigaren e dredhur si për të shijuar deri në fund tingujt magjeps qe koha i ka lënë pas. “Jam arkeolog i muzikës”, me thotë me një buzëqeshje melankolike duke me zgjatur një gotë te bukur metalike me cipura, raki Konice.

Ai jeton në një mënyre ekscentrike, i rrethuar nga qindra zëra që dikur i përkisnin muzikantëve të njohur apo të harruar nga brigjet e Misisipit, ne lagjet e zeza të Çikagos e deri në Leskovikun e vogël të rrethuar nga vreshtat. Tani të gjithë janë zhdukur, por zëri i tyre ende jeton në këtë shtëpizë të vogël të Konicës.

Çdo mëngjes, Chris King del në këmbë për të ecur përqark sarajit të rrënuar të bejlerëve të Konicës, por ende nuk ka mësuar se në ato saraje kishte lindur dikur një admirues i rafinuar i muzikës botërore. Beu i letrave shqip, Faiku, i cili në muzgun e jetës së tij udhëtonte gjithmonë me gramafonin e tij të stërmadh i cili habiste shpesh shërbyesit e hoteleve ku ai qëndronte. Gramafoni prej druri i Kingut, i cili ka ardhur nga Virxhinia, duket sikur sjell në kohë gramafonin e Faikut. “Mezi e solla, më thotë, “është unik, ndoshta vetëm një kopje tjetër është ende ne qarkullim”. Ashtu i stërmadh me një leve që e rrotullon me dorë për të prodhuar muzikën e disqeve të vjetra. I tregoj gramafonin e Faikut dhe me të qeshur i them se beu i Konicës dukshëm kishte një gramafon më të mirë se i tij. “Ndoshta”, më thotë, “por duhet të shikojmë markën”.

Fati është i çuditshëm. Jo shumë larg në distancë nga shtëpia e Faikut dëgjohen përnatë tingujt e gramafonit të amerikanit King. Edhe pse jetojnë në epoka të ndryshme, Faik beun dhe Chris Kingun e lidh një energji mistike, ekscentrizmi i jetës prej asketësh dhe besimi se muzika është ajo fije e padukshme që zhduk kufijtë dhe bashkon njerëzit në kohë dhe distanca tokësore. Beu i fundit ndoshta nuk do ta kishte besuar këtë rastësi të fatit ku pranë sarajeve të tij tashmë të mbuluara nga pemët e harlisura, një muzikant po aq i rafinuar sa edhe ai do të dëgjonte muzikën e skllevërve të Misisipit apo violinën e Epirit. Si për te kujtuar se shpirti i Faikut endet në rrënojat e sarajeve të Konicës

P. S. Me 2 korrik, ne sheshin e Leskovikut, Christopher King do të prezantoje përpara banorëve historinë e muzikës së Leskovikut sipas disqeve të prodhuara në fillimin e shekullit XX.