Chelsea përballet me të ardhme të pasigurt - Britania e Madhe ngrin pasuritë e Abramovichit, rusi nuk mund të shesë klubin

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur sanksione ndaj pronarit të klubit të futbollit Chelsea, Roman Abramovich.
Miliarderi rus është një nga shtatë oligarkët rusë, pasuritë e të cilëve janë ngrirë nga autoritetet shtetërore britanike.
Në një dokument të Thesarit të Mbretërisë së Bashkuar të postuar në internet, Abramovich përshkruhet si një "oligark pro-Kremlinit" që ka lidhje të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin.
Abramovich ka mohuar më parë të ketë lidhje të ngushta financiare me Putinin ose Kremlinin, por kjo nuk i ka bindur autoritetet britanike.
“Roman Arkadyevich Abramovich është një biznesmen i shquar rus dhe oligark pro-Kremlinit”.
“Abramovich është i lidhur me një person që është ose ka qenë i përfshirë në destabilizimin e Ukrainës dhe ka minuar e kërcënuar integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, përkatësisht Vladimir Putin, me të cilin Abramovich ka pasur një marrëdhënie të ngushtë prej dekadash”.
“Kjo shoqatë ka përfshirë marrjen e një përfitimi financiar ose përfitim tjetër material nga Putini dhe qeveria e Rusisë”.
“Kjo përfshin lehtësimet tatimore të marra nga kompanitë e lidhura me Abramovich, blerjen dhe shitjen e aksioneve nga dhe për shtetin me tarifa të favorshme, dhe kontratat e marra në prag të Kupës së Botës FIFA 2018”.
“Prandaj, Abramovich ka marrë trajtim preferencial dhe lëshime nga Putini dhe qeveria e Rusisë”, thuhet në njoftimin e thesarit të Britanisë.
Ndryshe, oligarku rus para disa ditësh ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Chelseat, teksa më vonë kë lajmëruar shitjen e klubit.
Megjithatë, Abramovich tani nuk është në gjendje të shesë klubin pasi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ngriu pasuritë e tij.
Pavarësisht se ka shumë interes, sanksionet tani nënkuptojnë se Blutë përballen me një të ardhme të pasigurt. /Telegrafi/





















































