Chappell Roan tërheq vëmendje me paraqitjen ekstravagante në Javën e Modës në Paris

Chappell Roan tërhoqi vëmendjen me një nga paraqitjet e saj më të pazakonta gjatë Paris Fashion Week, teksa mori pjesë në prezantimin e koleksionit pranverë–verë 2026 të stilistit Rick Owens.
Këngëtarja 28-vjeçare, e njohur për stilin e saj të frymëzuar nga estetika drag, u shfaq me një model flokësh shumë të veçantë që i jepte një interpretim të ri bishtit të lartë.
Veshja e saj përfshinte një bluzë me shall në ngjyrë livando nga Rick Owens dhe një fund me çarje të theksuara që ekspozonin këmbët, shkruan DailyMail.

Ajo e kompletoi pamjen me sandale nudo me rripa dhe detaje të arta, ndërsa grimi i saj karakteristik përfshinte një bazë të bardhë në fytyrë, hije vjollcë mbi vetulla dhe lente kontakti gri.
Estetika e zbardhur ishte e pranishme edhe te disa modele të Rick Owens gjatë shfaqjes në Palais de Tokyo.

Pas eventit, Roan pozoi edhe me vetë stilistin Rick Owens, ndërsa kjo shënoi herën e dytë radhazi që artistja merr pjesë në Javën e Modës në Paris.
Në një intervistë të fundit për revistën Nylon, Roan foli edhe për presionin e industrisë së muzikës, duke treguar se mbështetet nga një ekip profesionistësh dhe miqsh për të ruajtur ekuilibrin emocional.
Ajo pranoi se rrjetet sociale dhe fama shpesh mund të jenë të vështira për t’u përballuar, duke theksuar se ndonjëherë është e nevojshme të shkëputesh për pak kohë nga kjo botë. /Telegrafi/

































































