Nesër bëhen 7 vite nga dita kur temperaturat nga më të ulëta që kishin shënuar ndonjëherë në Prishtinë, nuk po arrinin të mundnin vullnetin e shqiptarëve për të festuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës në sheshet e hapura të kryeqytetit, të fituar pas shumë dekada shtypje, vuajtje, tortura e dhënie të jetës për liri.

Por sot, ka nga ata që duket kanë harruar të gjitha këto, dhe hedhin në dyshim arsyen për festë.


Edhe pse në këtë anë qëndron edhe një pjesë e politikës, e cila as atëherë nuk kishte shprehur entuziazëm për këtë pavarësi. Bile, kishin organizuar edhe protesta kundër saj. E gjithashtu kishin vazhduar çdo ditë që t’i mohojnë simbolet e atij shteti.

Edhe tani kur kanë marrë përgjegjësi institucionale, nuk e ndajnë asnjë cent për festimin e ditës më të shënuar në histori për shqiptarët e Kosovës. Thonë se pavarësia nuk hahet.

Por, ndryshe kishin menduar dhe vepruar për shënimin e përvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Askush nuk ishte e nuk është kundër festimit të 28 Nëntorit, por duhet ditur, se nëse “pavarësia e Kosovës nuk hahet”, nuk hahet as ajo e Shqipërisë! /lajmi.net/