LAJMI I FUNDIT:

Çfarë mund të sjellin provat e fundit të raketave S-400 të Turqisë?

Çfarë mund të sjellin provat e fundit të raketave S-400 të Turqisë?

Vitin e kaluar, Turqia bleu sistemin rus S-400 të mbrojtjes anti-ajrore, me gjithë kundërshtimet e ashpra nga Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të tetorit, njësitë S-400 po dërgoheshin në Detin e Zi, afër Sinopit në Turqinë veriore, për një raund tjetër provash që ka të ngjarë të rikthejë shqetësimet midis aleatëve të Turqisë në NATO dhe fqinjëve të saj.


I njohur si “Triumfi” në Rusi dhe “Growler” nga anëtarët e NATO-s, sistemi i mbrojtjes tokë-ajër S-400 është një nga më të përparuarit në botë, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Shqetësimet e SHBA-së dhe NATO-s

Një anëtar kyç i NATO-s dhe një aleat i rëndësishëm i SHBA-së, Turqia u konsiderua një pjesë integrale e “F-35 stealth fighter programme” dhe u caktua të ishte një nga vendet e para që mori këta aeroplanë luftarakë.

Ishte gjithashtu në treg për një sistem të mirë të mbrojtës ajrore.

Por mosdashja e Uashingtonit për të shitur sistemin e mbrojtjes ajrore Patriot të SHBA-së, Turqisë, e bënë Turqinë të kthehej diku tjetër për alternativa, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Ankaraja nënshkroi marrëveshjen për S-400 me Rusinë në vitin 2017 me dërgesat e para me vlerë 2.5 miliardë dollarë që mbërritën në korrik të vitit 2019.

Dënimi nga SHBA i vendimit të Turqisë për të blerë sistemin rus të mbrojtjes ajrore ka qenë i zhurmshëm dhe i palëkundur.

Madje SHBA përjashtoi zyrtarisht Turqinë nga programi i saj i avionëve luftarakë F-35 në korrik të vitit të kaluar.

Uashingtoni është i shqetësuar se të qenit pjesë e një programi luftarakë të fshehtë amerikan është në kundërshtim me zotërimin dhe operimin e sistemit të armëve të një kundërshtari të mundshëm që është projektuar, pjesërisht, për të rrëzuar avionët e bërë nga SHBA.

Dhe shtroheshin pyetjet: A do të përfshihej S-400 në rrjetat e komunikimit të NATO-s? A do të jetë në gjendje të nxjerrë të dhëna të vlefshme për avionët amerikanë të fshehtë si F-35?

Me trajnerë dhe personel rus në terren, duke vepruar si mbështetje për S-400, ky informacion jetësor mund të ishte shumë lehtë i disponueshëm për Rusinë, vlerëson shkrimi i Al Jazeera.

Për shkak të kësaj, presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka kërcënuar Turqinë me sanksione nëse vazhdon të përdor S-400.

Të dëshpëruar për të zgjidhur krizën, senatorët amerikanë kanë paraqitur një mundësi blerjeje në të cilën S-400 paguhet nga SHBA si kompensim dhe “i mbyllur” në tokën turke, për të mos u përdorur kurrë, me vizita të rregullta të verifikimit nga SHBA.

Kjo është refuzuar nga Ankaraja dhe testet tashmë kanë filluar.

Testet më të fundit

Në provën e parë operacionale në nëntor të vitit 2019, avionët turq F-16 dhe F-4 u vunë në shënjestër të radarëve S-400 në një sulm të simuluar ndërsa fluturonin mbi kryeqytetin Ankara.

Në gusht, një F-16 nga Forca Ajrore Helene u vu në shënjestër me radarin S-400 kur kthehej nga një stërvitje ushtarake shumëkombëshe, me Turqinë që po qortohej ashpër për veprimet e saj kundër një aleati tjetër të NATO-s.

Ndërkohë në fillim të tetorit, njësitë S-400 u dërguan në Detin e Zi, afër Sinopit.

Shqetësimet e fqinjëve

Ka shqetësime të shtuara se S-400 mund të përdoret në mënyrë ofensive.

S-400 mund të angazhojë shumë aeroplanë në të njëjtën kohë në një distancë prej 400 kilometrash. Kjo do të thotë që mund të mbulojë pjesën më të madhe të Sirisë.

Me një bateri të vendosur në kufirin pranë Gaziantep, Turqia mund të angazhojë aeroplanë deri në Damask dhe Bejrut dhe sigurisht mund të arrijë çdo avion rus që ngrihet ose zbret në bazën ruse në Khmeimim afër Latakia, Siri.

Një sistem raketash që dominon hapësirën ajrore të një kundërshtari është një armë e fuqishme dhe mund të ndikojë në ekuilibrin strategjik, duke e bërë çdo veprim ushtarak në tokë më joshës.

Sido që të përdoret, S-400 i shqetëson fqinjët e Turqisë.

Greqia, e cila operon një version më të vjetër, S-300, është veçanërisht e shqetësuar duke qenë se ishte një avion luftarak grek në të cilin u testua S-400, ndërsa tensionet ziejnë midis dy anëtarëve të NATO-s.

Dhe S-400 do të lejojë Turqinë të mbulojë të gjithë Egjeun dhe Mesdheun lindor, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

Ky ishte pikërisht kundërshtimi që Turqia kishte kur Qipro bleu S-300 në fund të viteve 1990 – se Qipro do të ishte në gjendje të mbizotërojë hapësirën ajrore midis vetes dhe një pjese të madhe të Turqisë së Jugut.

Greqia ishte e detyruar të merrte sistemin dhe e kishte zhvendosur atë në ishullin e Kretës për të shmangur veprimet ushtarake nga Turqia kundër Republikës së Qipros.

Siç vlerësohet në shkrimin e Al Jazeera, kudo që vendosen këto bateri, S-400 do të ketë një efekt destabilizues për shkak të fuqisë së tij.

Por është ende e paqartë se si do të reagojë Rusia nëse vendoset kundër avionëve rusë, një skenar shumë i mundur në të ardhmen e afërt pasi të dy vendet e gjejnë veten duke mbështetur palët e kundërta në Siri dhe Libi.

Qoftë në Sirinë veriore, qoftë në Libinë qendrore, kjo armë do të ketë aftësinë të godasë armiqtë e saj me lehtësi, por do të bëhet një objektiv kryesor për çdo kundërshtar – njëherazi një tundim dhe një rrezik për vetveten. /Telegrafi/