Njëri ishte në Zonë e Pashtrikut e tjetri në atë të Dukagjinit, por Ramush Haradinaj e Kadri Veseli, që të dy si eprorë të UÇK-së tashmë e dinin se luftës së tyre do t’i vinte në ndihmë organizata më e fortë ushtarake në botë – NATO.

Kryetari i tanishëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kujton se e dinte edhe datën dhe orën kur do të nisnin bombardimet e NATO-s mbi forcat serbe.

“Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e ka ditur se do të ketë bombardime po atë natë për arsye se ka qenë e sigurt veprimet, të cilat nuk kanë qenë më për ta toleruar në veçanti Millosheviqin”, tha ai në një emision të Klan Kosova më 22 mars 2015.

Ndërsa, bashkëluftëtari i tij Ramush Haradinaj në të njëjtën ditë në emisionin Zona B pati pranuar se ia ka qëlluar në parashikimin  e tij për sulmet, vetëm se këtë e kishte bërë me hamendje.

Ndryshe, bombardimet e NATO-s në Kosovë zgjatën 78 ditë, pas së cilës regjimi kriminel i Sllobodan Millosheviqit kapitulloi duke tërhequr forcat nga Kosova e okupuar.