LAJMI I FUNDIT:

Ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mit’hat Frashërit

Ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mit’hat Frashërit

Në Hartsdale të Nju Jorkut u zhvillua ceremonia për riatdhesimin e eshtrave të Mid’hat Frashërit, një figurë shumëdimensionale, i cili ka qenë pjesëmarrës aktiv në disa periudha me rëndësi kritike të kombit shqiptar.


Mit’hat Frashëri, i njohur me emrin e penës Lumo Skëndo, u nda nga jeta papritur më 3 tetor 1949 në Nju Jork, ku kishte ardhur nga Evropa për të organizuar Komitetin Shqipëria e Lirë në Amerikë dhe trupi i tij deri tani prehej në varrezën Ferncliff të qarkut Weschester.


Veprimtaria e përcjelljes së eshtrave po mbahet në Qendrën Nënë Tereza pranë Kishës Zoja e Shkodrës. Për të marrë pjesë kanë ardhur shumë personalitete shqiptaro-amerikane si dhe një delegacion nga Shqipëria, me përfaqësues nga qeveria dhe nga Instituti i Studimeve Historike në Tiranë, Lumo Skëndo.

Në komentet e pjesëmarrësve u theksua roli i tij si kryetar i Komisionit të Alfabetit në vitin 1908, ku ai mbështeti abc-në shqipe me gërma latine; u fol për punën e tij prej dijetari me themelimin e revistës mjaft të njohur “Diturija” dhe për aktivitetin si njëri prej firmëtarëve të Pavarësisë në vitin 1912.

Mit’hat Frashëri ishte themelues dhe kryetar i organizatës Balli Kombëtar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai ka qenë cilësuar si kolaboracionist nga regjimi komunist dhe kjo vazhdon të jetë ende një pikë ndarjeje mes mbështetësve të tij antikomunistë dhe një pjese të historianëve. Por, shumë prej atyre që folën e cilësuan si një figurë të madhe bashkuese për shqiptarët. Ata thanë se ceremonia e riatdhesimit në Nju Jork flet më së miri për këtë.

Frashëri do të rivarroset më 14 nëntor në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, aty ku prehet i ati, Abdyl Frashëri, dhe xhaxhai Naimi.