LAJMI I FUNDIT:

Çdo novelë në botë e ka bazën te vetëm gjashtë modele fabulash!?

Çdo novelë në botë e ka bazën te vetëm gjashtë modele fabulash!?

Studiuesit kanë analizuar mbi 1,700 romane, për të zbuluar gjashtë lloje të fabulave që mund të zbatohen në tregimet më të dashura, analizon Miriam Quick për BBC Culture, transmeton Telegrafi.

Njëqind veprat që ndryshuan botën
Lexo po ashtu Njëqind veprat që ndryshuan botën

“Kontributi im më i bukur për kulturë” ishte se si romancieri Kurt Vonnegut e kishte përshkruar tezën e vjetër të magjistraturës së tij në antropologji, “e cila u refuzua për shkak se ishte shumë e thjeshtë dhe dukej shumë zbavitëse”. Teza u fundos pa lënë gjurmë, por Vonnegut vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij të promovojë idenë e madhe prapa saj: “Rrëfimet kanë forma të cilat mund të vizatohen në fletat me katrorë”.


Në një leksion të vitit 1995, Vonnegut vizatonte me shkumës në tabelën e zezë, harqe të ndryshme të tregimeve, duke treguar se si fati i protagonistit ndryshon gjatë rrjedhës së rrëfimit në boshtin që shtrihet nga “i mirë” te “i keq”. Harqet përfshinin “njeriun në vrimë”, në të cilën personazhi kryesor futet në telash e pastaj del përsëri (“njerëzit e duan atë histori, ata kurrë nuk lodhen nga kjo!”) dhe “djali merr vajzën” tek e cila protagonisti gjen diçka të mrekullueshme, e humb, pastaj e merr përsëri në fund. “Nuk ka asnjë arsye pse format e thjeshta të tregimeve nuk mund të analizohen në kompjuterë”, vuri në dukje ai. “Ato janë forma të bukura”.

Pse njerëzit kanë nevojë për tregime?
Lexo po ashtu Pse njerëzit kanë nevojë për tregime?

Fal teknikave të reja, kjo tani është bërë. Profesori Matthew Jockers nga Universiteti i Nebraskës dhe më vonë hulumtuesit në Universitetin e Vermontit, kanë analizuar të dhënat nga mijëra romane, për të zbuluar gjashtë lloje themelore të fabulave – që mund t’i quani arketipe – që formojnë blloqet ndërtuese për tregimet më komplekse. Studiuesit e Vermontit i përshkruajnë format e gjashtë fabulave – prapa 1,700 romaneve – si më poshtë:

1. Nga zhelani te pasaniku – një rritje e vazhdueshme nga fati i keq te i miri;

2. Nga pasaniku te zhelani – rënie nga e mira në të keqe, një tragjedi;

3. Ikari – ngritje dhe rënie në fat;

4. Edipi – rënie, ngritje, rënie;

5. Hirushja – ngritje, rënie, ngritje;

6. Njeriu në një vrimë – rënie, ngritje.

Hulumtuesit përdorën analizat e sentimenteve për të marrë të dhënat – një teknikë statistikore që shpesh përdoret nga marketingu për të analizuar postimet e mediave sociale, në të cilat secilës fjalë i jepet një “pikë sentimenti” të veçantë. Në varësi të fjalorit të zgjedhur, një fjalë mund të kategorizohet si pozitive (e lumtur) ose negative (e trishtuar) ose mund të shoqërohet me një ose më shumë nga tetë emocionet më delikate, përfshirë frikën, gëzimin, habinë dhe pritshmërinë. Për shembull, fjala “lumtur” është pozitive dhe shoqërohet me gëzim, besim dhe pritshmëri. Fjala “braktisje” është negative dhe shoqërohet me zemërim.

Tregimi më i madh në histori!?
Lexo po ashtu Tregimi më i madh në histori!?

Bëjeni analizën e sentimenteve në të gjitha fjalët e një romani, poeme ose drame dhe është e mundur të shihni se si ndryshon disponimi gjatë rrjedhës së tekstit. Teksa nuk është një mjet i përsosur – i sheh fjalët në izolim, duke injoruar kontekstin – mund të jetë çuditërisht i dobishëm kur zbatohet te pjesë të mëdha të tekstit, siç tregojnë të dhënat për romanet e Jane Austenit, të ofruara nga shkencëtarja Julia Silge. Mjetet për të bërë analiza të sentimeteve janë të disponueshme falas dhe shumëçka nga literatura pa autorësi mund të shkarkohet nga interneti përmes Projektit Gutenberg. Ne i analizuam disa nga tregimet më të pëlqyera nga anketa e BBC Culture, për 100 veprat që ndryshuan botën, për të gjetur gjashtë llojet e fabulave.

“KOMEDIA HYJNORE” (DANTE ALIGHIERI, 1308-1320)

Përkthyer (në anglisht) nga: Henry Wadsworth Longfellow

Lloji i fabulës: Nga zhelani te pasaniku

Poema jashtëzakonisht simetrike gjurmon udhëtimin imagjinar të autorit në Ferr, në Inferno, i shoqëruar nga – kush tjetër? – pos poetit Virgjil. Gjërat fillojnë keq në “Komedinë hyjnore”, me pikë të ulëta të sentimenteve që bien më shumë kur dyshja zbret nëpër qarqet e Ferrit (aty gjen “njeriun në vrimë”). Duke mbijetuar Ferrin, ata ngjiten në malin e Purgatorit ku banojnë shpirtrat e ekskomunikuar, përtacët dhe lakmuesit, si dhe Beatrice – gruaja ideale e Dantes – që e zëvendëson Virgjilin si shoqëruesin e tij. Ngjitja e çiftit në qiell, në Paradiso, karakterizohet nga një gëzim në rritje, teksa poeti e kupton natyrën e vërtetë të virtytit dhe shpirti i tij bëhet një me “dashurinë që lëviz Diellin dhe yjet tjerë”.

“ZONJA BOVARI” (GUSTAVE FLAUBERT, 1856)

Përkthyer (në anglisht) nga: Eleanor Marx-Aveling

Lloji i fabulës: Nga pasaniku te zhelani

Është një moment në tregimin e Flaubertit për një shtëpiake të mërzitur dhe të pabesë, ku protagonistja Emma Bovary mendon se pasi jeta e saj deri tash ka qenë e keqe, pjesa tjetër duhet patjetër të jetë më mirë. Jo ashtu! Emma bie në afera të dështuara dhe të dëshpëruara të dashurisë, që i ofrojnë veç një kënaqësi të shkurtë nga mërzia e të qenët një grua imagjinative e martuar me njeriun më të mërzitshëm në botë. Ajo futet në borxhe dhe në fund vret veten duke pirë arsenik. Burri i saj i pikëlluar, pasi zbulon pabesitë e shumta të saj, vdes gjithashtu, ndërsa vajza e tyre jetime dërgohet për të jetuar me gjyshen e cila gjithashtu vdes. Vajza e vogël shkon për të jetuar me një hallë të varfër, e cila e dërgon të punojë në një fabrikë pambuku. Është pra një tragjedi e teksteve shkollore, i nxitur nga qëllimi i pamëshirshëm drejt rënies totale dhe një historie “të kënaqshme”!

“ROMEO DHE ZHULJETA” (WILLIAM SHAKESPEARE, 1597)

Lloji i fabulës: Ikarus

“Romeo dhe Zhuljeta” natyrisht se konsiderohet si tragjedi, në përputhje me përshkrimin e vetë autorit, por kur e analizoni sentimentin e tij duket më pranë formës së Ikarit: një ngritje, pastaj rënie. Djali duhet ta gjejë vajzën dhe të bie në dashuri me të para se të dy të humbasin njëri-tjetrin. Kulmi romantik ndodh në skenën e famshme të ballkonit në të cilën ata deklarojnë dashurinë e tyre të pavdekshme për njëri-tjetrin. Gjithçka është rënie nga aty. Romeo vret Tibaltin dhe ik, plani i Fratit për ta “kontrabanduar” Zhuljetën për t’u bashkuar me të është shpresë e rreme. E, sapo Zhulljeta e pi potionin, asgjë nuk mund të parandalojë tragjedinë përfundimtare.

“KRENARI DHE PARAGJYKIM” (JANE AUSTEN, 1813)

Lloji i fabulës: Njeriu në vrimë ose Hirushja

Gjysma e parë e romanit është festa e ballos dhe e argëtimit (megjithëse të përmbajtur), e kritikave dhe propozimeve joserioze të martesës nga tipat si famullitari komik z. Collins. Gjërat marrin një kthesë të errët kur Bingley largohet dhe Elizabeth krijon një antipati për Darcyn (bazuar në një keqkuptim, natyrisht). Sentimenti i romanit përqendrohet në territor shumë negativ, pas propozimit të tij të keq, duke arritur në pikën më të ulët kur Lydia arratiset me Wickhamin e pabesë. Kjo sigurisht se është mundësia e Darcyt për të dëshmuar veten, të cilën gjë e bën me dinjitet dhe gjakftohtësi, duke fituar zemrën e Elizabethas dhe duke ofruar një fund të lumtur e të matur në të cilin të gjithë janë më të mençur se më parë.

“FRANKENSHTAJNI” (MARY SHELLEY, 1818)

Lloji i fabulës: Edipi

Romani kryesor i Shelleyt tregon historinë e mjerueshme të Krijesës së Viktor Frankensteinit, me fjalët e Victorit, përmes kapitenit Walton, në një seri letrash për motrën e tij. Në një moment, Krijesa merr narracionin, duke e bërë romanin një tregim brenda një tregimi brenda një tregimi. Ky është në fakt një moment i kalimit në atë që është në përgjithësi një trajektore e rënies – nga përshkrimi i lumtur i jetës së tij të hershme, me të cilën Victori hap tregimin e tij – deri në fund të tmerrshëm. Në një moment Krijesa i ofron viktimës një rrugëdalje – t’ia bëjë një shoqe. Por, Victor refuzon. Prej kësaj pike, fati i tij është vulosur. “Mbani mend, unë do të jem me ju në natën tuaj të dasmës”, kërcënon Krijesa. Dhe, kështu del.

“ROSAKU I SHËMTUAR” (HANS CHRISTIAN ANDERSEN, 1843)

Përkthyer (në anglisht) nga: HP Paull

Lloji i fabulës: Komplekse

Historia më e shkurtë nga të gjitha përrallat e famshme të Hans Christian Andersenit, ka gjithashtu strukturën më komplekse, përfshirë harkun e sentimentit të dy njerëzve në vrimë (ose një rosë në një vrimë) brenda kornizës narative të zhelanit drejt pasanikut. Pra, gjërat në përgjithësi janë të mira për rosakun në rrjedhën e tregimit, por ka shkëndija drite dhe errësirë përgjatë rrugës: ai del nga veza, por ngacmohet se është ndryshe; zbulon se mund të notojë më mirë se rosat e tjera dhe vëren një shenjë të keqe të përkatësisë në grup, sepse mjellmat fluturojnë më gjatë; e pastaj, pothuajse ngordhë në të ftohtit e dimrit. Në fund bëhet mjellmë, në mënyrën e parathënë në fillim. Kjo është esenca: “Të lindësh në një fole rosash, në një oborr ferme, nuk ka asnjë pasojë për një zog nëse del nga një vezë e mjellmës”. Historia mbaron me notat më të larta, pasi “kurrë nuk ëndërronte një lumturi si kjo”. /Telegrafi/