LAJMI I FUNDIT:

Çavolli nga STIKK dhe Kastrati nga ICK, forumet i shohin si potencial për rrjetëzim mes bizneseve dhe organizatave joqeveritare

Këtë javë për tri ditë me radhë është mbajtur “Kosova Bizness Forum”, i cili organizim mblodhi bizneset private, organizatat joqeveritare si dhe përfaqësues nga institucionet shtetërore.

Vjollca Çavolli, drejtore ekzekutive e STIKK-ut në një prononcim për Telegrafin përcolli rëndësinë e këtij forumi në rrjetëzimin biznesor, duke u shprehur se është një mundësi e shkëlqyer për të krijuar biseda të hapura dhe për të zhvilluar mundësi biznesi.


Ajo theksoi se forumi ofroi një numër të paneleve dhe diskutimesh rreth çështjeve të ndryshme që prekin sektorin e biznesit dhe shpreson që forumi të bëhet një traditë vjetore bazuar në suksesin e tij.

Vjolla Çavolli, drejtore ekzekutive e STIKK-ut /Foto: Ridvan Slivova/

“Rëndësia forumeve biznesor është rrjetëzimi, për me bashkëbisedu, për me gjetë njerëz që mendojnë njësoj apo ndryshe dhe me kriju mundësi biznese në të ardhmen. Ky forum biznesor ka qenë më se i qëlluam dhe është hera e parë që po mbahet. Shpresoj që do të mbahet, që do të bëhet tradicional duke u bazu në suksesin e saj”, tha ajo.

“Kemi pas shumë panele, të cilat kanë trajtu shumë çështje të bizneset, kemi pas mundësi rrjetëzimi gjithë kohën me njerëz të fushave të ndryshme, sepse ne bëjmë në Kosovë dhe gjithkund konferenca të ndryshme apo forume me një sektor të posaçëm, ndërsa ky forum biznesor ka mbërri me i mbledhë të gjitha sektorët në një vend dhe kjo është e bukura e kësaj”.

E pyetur se sa ka ndikuar ky forum në rrjetëzimin mes institucioneve shtetërore dhe të bizneseve, Çavolli tha: “Po kjo gjithsesi që e fuqizon atë partneritetin domethënë publiko – privat në kuptimin e mendësisë që së paku të bashkëbisedohet për disa çështje që janë të rëndësishme.

Mund qeveria të ketë ide të mrekullueshme, por mos të jenë ato të duhura për sektorin privat dhe anasjelltas dhe këto mundësi, këto forume e mundësojnë që këto ndryshime në ide, ide të ndryshme të bashkohen dhe të formësohen, të bëhen ide të mira për të mirën e shoqërisë”.

Fuqizimi i grave në biznes, Cacttus dhe Melita & Partners i bashkohen platformës WEPs
Lexo po ashtu Fuqizimi i grave në biznes, Cacttus dhe Melita & Partners i bashkohen platformës WEPs

Nga ana tjetër, drejtoresha menaxhuese e Qendrës së Inovacionit në Kosovë (ICK), Metihe Kastrati, vlerësoi forumin si një hap të madh për përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjen e inovacionit në fushën e teknologjisë dhe sektorë të tjerë.

Metihe Kastrati, drejtore menaxhuese e Qendrës së Inovacionit në Kosovë (ICK) /Foto: Ridvan Slivova/

“Sa i përket rëndësisë të forumeve të tilla edhe për organizatën që unë përfaqësoj, por edhe për të gjithë komunitetin e biznesit edhe organizatat joqeveritare, mendoj që forume të tilla janë mjaft të rëndësishme sepse përmirësojnë një klimë të të bërit biznes në Kosovë, mundësojnë shkëmbimin e ideve në mes të akterëve të ndryshëm. Gjithashtu mundësojmë bizneseve me shpërnda ose me i  diskutu idetë e tyre edhe me akterë tjerë, siç janë qeveria, donatorë, organizatat joqeveritare…  Kështu që të gjitha këto forume mundësojnë ngritjen e inovacionit në fushën e biznesit edhe në fushën e teknologjisë, po edhe sektorëve tjera gjithashtu”, ka thënë Kastrati.

Kastrati mbështeti fort idenë që forumi të organizohet në mënyrë të rregullt, duke e cilësuar si një faktor pozitiv për gjithë komunitetin dhe një shtytje të rëndësishme për fillimin e vitit në klimën e biznesit dhe inovacionit në Kosovë.

“Definitivisht po, forumet e tilla, ë thashë edhe më herët kanë vetëm ndikim pozitiv për gjithë komunitetin, kështu që mendoj që edhe i japin një gjallëri edhe fillim vitit, po edhe ambientit të të bërit biznese dhe inovacionit, kështu që mendoj që po organizime tilla janë gjithmonë të mirëseardhura”, tha Kastrati. /Telegrafi/