LAJMI I FUNDIT:

Bytyqi: Taksa e krizës do të jetë 30 për qind e fitimit

Bytyqi: Taksa e krizës do të jetë 30 për qind e fitimit

Zv. kryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, në konferencën e sotme për media ka sqaruar se taksa e krizës që do të vendoset për vitin 2022 do të taksojë kompanitë e mëdha me 30 për qind të fitimit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ky 30 për qind përfshin tatim fitimin standard prej 10 për qind dhe plus 20 për qind do të jetë taksa shtesë që do të jetë e vlefshme vetëm një herë, pra vetëm për vitin 2022.


Kjo taksë e njëhershme do të zbatohet për kompanitë që kanë të ardhura vjetore mbi 10 milionë euro dhe do të rrisë fitimet e tyre me më shumë se 20 për qind krahasuar me katër vitet e mëparshme.

“Nëse një kompani ka pasur fitim prej 1.2 milionë euro dhe ndërkohë është rritur në 2 milionë euro, diferenca prej 800 mijë eurosh do t’i nënshtrohet tatimit mbi fitimin prej 30 për qind, vetëm për këtë vit. Bëhet fjalë për 240 mijë euro shtesë që do të paguhen në emër të tatimit mbi fitimin”, sqaroi Bytyqi.

Ai nuk ka dashur të konfirmojë nëse sipas simulimit bëhet fjalë për 180 kompani që do të mbulohen nga tatimi mbi fitimin, por deklaroi se askush nuk duhet të ndihet i fyer.

“Nuk duam të ndëshkojmë askënd, por drejtësia duhet të jetë e pranishme në çdo sistem, do të thuhet qartë se këto fonde do të shkojnë për të përballuar me pasojat e krizës. Ne nuk do t’i përdorim këto para për asgjë, do t’i përdorim për të përballuar krizën”, shtoi Bytyqi./Telegrafi/