LAJMI I FUNDIT:

Byrek francez

Byrek francez

Byreku francez ndryshon nga mënyra sesi ne i gatuajmë byrekët. Ndryshe, ato quhen Quiche Lorraine.

Përbërësit:

▪ 250 gr miell
▪ 125 gr gjalpë (të jetë i butë në temperaturë ambienti)
▪ 1 e verdhë veze
▪ 50 ml ujë
▪ pak kripë
▪ 300 ml qumësht (të jetë i butë në temperaturë ambienti)
▪ 3 kokrra vezë
▪ pak kripë
▪ pak piper
▪ pak arrë Moskat
▪ 1 kokërr qepë e kuqe
▪ pak majdanoz
▪ 1 karotë
▪ 1 kungull
▪ 1 spec (i prerë në formë rrethore)
▪ 50-60 gr kërpudha
▪ 100 gr domate qershi
▪ 30 gr ullinj të zinj
▪ pak djathë kaçkavall (i grirë)
▪ salmon (i tymosur)


Përgatitja

1 Si fillim përgatisim brumin. Në një enë hedhim miellin, kripën, gjalpin. Me majat e gishtave përziejmë gjalpin me miellin derisa përbërja e miellit me gjalpin të bëhet si rëra. E fërkojmë përbërjen paksa mes duarve. Ky proces nuk duhet të zgjas gjatë.

2 E hapim miellin dhe hedhim ujin në mes. Shtojmë dhe të verdhen e vezës. Ngjeshim brumin shpejt në mënyre që të gjithë përbërësit të përzihen mirë. Brumi duhet të jetë homogjen.

3 Në planin e punës shtrojmë letër kuzhine, hedhim pak miell dhe fillojmë të hapim brumin duke bërë kujdes çarjet që mund të krijohen anash. E vendosim me gjithë letër mbi tavë dhe e shpojmë lehtë me pirun. Në mungesë të letrës së kuzhinës, lyejmë tavën me gjalpë për të evituar ngjitjen. Brumi i tepërt që del sipër bordit së tavës mund të pritet me thikë.

4 Vendosim tavën në frigorifer dhe vazhdojmë me përgatitjet e perimeve. Pasi i kemi larë, presim perimet në formë kubike dhe shtojmë pak vaj ulliri, pak majdanoz dhe pak kripë. I vendosim në zjarr të ngadaltë.

5 Shtojmë dhe kërpudhat së bashku me pak gjalpë (sipas dëshirës). Në një enë qelqi hedhim tre vezë dhe i rrahim me pirun, shtojmë pak pana dhe pak qumësht (në mungese të panës shtoni vetëm qumësht. Masat e kremit të qumështit, duhet pak a shumë, aq sa të mbulojnë perimet në tavë.

6 Ndërkohë furrën e ndezim në temperaturën 180 gradë. Nxjerrim tavën ku hapëm brumin nga frigoriferi. Hedhim pak djathë të grirë kaçkavall, pastaj shtrojmë perimet. Hedhim kremin e përgatitur, disa domate qershi, përsëri pak arrë moskat, vendosim sipër salmonin e tymosur dhe e vendosim në furrë 180 gradë përreth 50 – 60 min.

7 Pasi është pjekur, e lini të ftohet dhe e shërbejmë quinche lorraine në copa.