LAJMI I FUNDIT:

Buxheti i shtetit dhe vendimet e Speciales për Mustafën dhe Haradinajn – lajmet që shënuan javën

Buxheti i shtetit dhe vendimet e Speciales për Mustafën dhe Haradinajn – lajmet që shënuan javën

Javën që po lëmë pas temë diskutimi ishte buxheti i shtetit dhe dy vendimet e Speciales, për Salih Mustafën dhe Nasim Haradinaj, ish-luftëtarë të UÇK-së.

Për vitin 2024, Qeveria e Kosovës ka planifikuar ndarjen buxhetore, ku 860 milionë euro do të shkojnë për infrastrukturë dhe kapacitete të reja energjetike, 742 milionë euro do të shkojnë për komunat, prej të cilave 635 milionë, grante nga Qeveria, 370 milionë euro do të shkojnë për mbrojtje dhe siguri, 370 milionë euro do të shkojnë për arsim, përfshirë grantin për komuna; 340 milionë euro do të shkojnë për shëndetësi, përfshirë grantin për komuna;


Po ashtu 95 milionë euro do të shkojnë për shtesat për lehonat dhe fëmijët; 58 milionë euro do të shkojnë për infrastrukturë sportive për Lojërat Mesdhetare 2030; 29 milionë euro do të shkojnë për masa të punësimit dhe 3 milionë euro do të shkojnë për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ndërkaq, po javën që po lëmë Paneli i Apelit ka vendosur që Mustafës t’ia ul dënimin nga 26 në 22 vjet burgim, ndërkaq ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj është liruar nga burgu.

Kosova me 3.3 miliardë buxhet për vitin 2024   

Deputetët e Kosovës javën që po lëmë pas miratuan buxhetin e shtetit për vitin 2024 me 63 vota për, por gjatë votimi nuk ishin prezentë deputetët e opozitës.

Amendamentet e opozitës nuk janë mbështetur nga deputetët e shumicës parlamentare, ndërkaq buxheti për vitin 2024 do të jetë 3.3 miliardë euro.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca, para votimit në lexim të dytë të projektligjit për buxhetin 2024, u bëri thirrje deputetëve të jenë të pranishëm në sallë, për të siguruar kuorumin e nevojshëm.

Kuvendi i Kosovës nuk i ka dhënë votat e mjaftueshme po ashtu as amendamentit i cili parashihte pensionimin e parakohshëm dhe sigurimin shëndetësor të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Buxheti i Kosovës brenda një dekade, sa ishte nga viti 2014 deri në vitin 2024
Lexo po ashtu Buxheti i Kosovës brenda një dekade, sa ishte nga viti 2014 deri në vitin 2024

Në këtë amendament propozohej që 5 milionë euro të ndahen për pagesën e sigurimit shëndetësor të Policisë së Kosovës, ndërkaq afro 10 milionë euro ishin paraparë të ndahen për pensionimin e parakohshëm të pjesëtarëve të policisë, me kushtin e arritjes së moshës 55 vjeçare.

Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së, propozoi amendamentin për asfaltimin e rrugës në Buricë të Podujevës, në gjatësi 1.2 km, projekt ky në vlerë 250 mijë euro, i cili nuk gjeti mbështetjen e shumicës, duke marrë vetëm 20 vota pro, teksa 44 deputetë u shprehën kundër dhe gjashtë abstenime.

Po ashtu nuk ka gjetur mbështetje as amendamenti i propozuar nga deputeti Bekim Haxhiu i PDK-së për ngritjen e shtatores së dëshmorit të kombit Agim Ramadani në Mitrovicë, në shumë 100 mijë euro.

Mbështetje nuk gjetën edhe amendamentet e propozuara nga deputeti i AAK-së Shemsedin Dreshaj që pensioni bazë të rritet nga 100 në 120 euro, ai për rrugën Pejë-Kuqishte-Çakorr, për të cilën janë paraparë dy milionë euro, si dhe ai për hulumtime shkencore në Kosovë, duke kërkuar formimin e një fondi prej dy milionë eurosh.

Po ashtu, mbështetje nuk gjetën as amendamentet e deputetit të PDK-së Elmi Reçica për impiantin e ujërave të zeza në Ferizaj, ndërtimin e objektit të spitalit në Ferizaj, ndërtimin e shkollës profesionale në Ferizaj, ndërtimin e objektit shkollor në Doganaj Kaçanik, sikurse edhe ai për ndërtimin e kanalit të ujitjes në Kaçanik.

Ndryshe, gjatë shqyrtimit të parë të projektbuxhetit 2024, kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se në buxhetin e parashikuar prej më shumë se 3.3 miliardë eurosh do të ketë nëntë milionë euro më shumë investime kapitale se sa në vitin aktual.

Apeli ia ul dënimin Salih Mustafës nga 26 në 22 vjet burgim

Dhomat e Specializuara në Hagë të enjten, më 14 dhjetor kanë shpallur vendimin e Apelit për rastin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa.

Paneli i Apelit ka vendosur që Mustafës t’ia ul dënimin nga 26 në 22 vjet burgim.

Salih Mustafa gjatë seancës gjyqësore në Hagë

Kryetarja e turpit gjykues bëri të ditur se Paneli i Apelit ka anuluar dënimin me 10 vjet burgim për pikën e parë të aktakuzës “ndalim arbitrar” dhe të njëjtit i cakton dënim me 8 vjet burgim, anulon gjithashtu dënimin prej 22 vjet burgim për pikën tre të aktakuzës “torturës”, dhe të njëjtit i cakton dënim prej 20 vjet burgim, shkruan Telegrafi.

Apeli gjithashtu anuloi edhe dënimin prej 25 vjet burgim në lidhje me pikën katër të aktakuzës “vrasjes së paligjshme” dhe i caktoi dënimin prej 22 vjet burgim.

Ku do ta vuajnë dënimin të dënuarit nga Dhomat e Specializuara, flasin nga Gjykata
Lexo po ashtu Ku do ta vuajnë dënimin të dënuarit nga Dhomat e Specializuara, flasin nga Gjykata

“Anulon vendimin e njehsuar me 26 vjet burgim për z.Mustafa dhe cakton një dënim të njehsuar me 22 vjet burgim duke llogaritur kohën e tij në paraburgim”, ishte shprehur kryetarja e turpit gjykues.

Ajo tutje shtoi se Mustafa do të mbetet në paraburgim deri në finalizimin e masave për transferimin e tij në shtetin ku do të vuaj dënimin.

Specialja liron Nasim Haradinajn

Gjykata Speciale ka marrë vendim për lirimin nga burgu të ish-pjesëtari i UÇK-së dhe ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj.

Lirimi i tij është bërë po të enjten, më 14 dhjetor me vendim të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Kështu është bërë e ditur edhe në njoftimin e lëshuar për media nga kjo gjykatë.

“Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e Nasim Haradinaj për lirimin e tij më 14 dhjetor 2023, ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj”, thuhet në njoftim.

“Të paraqitet çdo javë në polici dhe të mos kontaktojë me dëshmitarë ose viktima” – çfarë thuhet në vendimin për lirimin e Nasim Haradinajt
Lexo po ashtu “Të paraqitet çdo javë në polici dhe të mos kontaktojë me dëshmitarë ose viktima” – çfarë thuhet në vendimin për lirimin e Nasim Haradinajt

Për marrjen e vendimit, Kryetarja u këshillua me gjykatësit e paneleve që dhanë dënimin sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (“Ligji”), mori parasysh faktorët e rregullës 196(3) të Rregullores së Procedurës dhe Provave si dhe seancën që mbajti me Haradinajn.

“Gjithashtu, sikurse u përcaktua në vendimin e saj të mëparshëm të 12 tetorit 2023 lidhur me uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimit të Haradinajt, Kryetarja mori parasysh edhe raportin e dorëzuar nga Administratorja në lidhje me sjelljen e Haradinajt në objektin e paraburgimit.

Kryetarja mori parasysh se, megjithëse veprat penale për të cilat Haradinaj u dënua janë padyshim të rënda, duke marrë parasysh efektin mjaft negativ të zbulimit të informacionit konfidencial mbi dëshmitarë (të mundshëm), ishin disa faktorë që peshuan në favor të modifikimit të dënimit të tij”, thuhet në njoftim.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi vizitoi Nasim Haradinajn pas lirimit nga Haga

Konkretisht, kryetarja konstatoi se Haradinaj pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe në bazë të raportit ai kishte respektuar rregullat e objektit të paraburgimit gjatë muajve të fundit.

“Gjithashtu, kryetarja mori parasysh pendesën e Haradinaj dhe zotimin e tij se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij. Kryetarja theksoi se në qoftë se  Haradinaj nuk përmbush cilindo prej kushteve të përcaktuara në vendim, atëherë vendimi do të anulohet”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Tutje në njoftim thuhet se procedura për ulje, modifikim ose ndryshim të vendimit sikurse parashihet në nenin 51(2) të Ligjit është procedurë më vete. Kur personi i dënuar ka vuajtur dy të tretat e dënimit, ai ose ajo plotëson kriterin për shqyrtim për ulje, modifikim ose ndryshim të dënimit, por nuk ka të drejtë që dënimi t’i ulet, modifikohet ose ndryshohet. /Telegrafi/