LAJMI I FUNDIT:

Bursat amerikane humbin gjithë vlerën e shtuar gjatë vitit 2018

Bursat amerikane humbin gjithë vlerën e shtuar gjatë vitit 2018

Bursat amerikane të kapitalit të mërkurën ranë ndjeshëm dhe ngritën shqetësimet e investitorëve mbi rezultatet e kompanive në tremujorin e tretë të vitit 2018.

Indeksi Dow Jones ra me 608 pikë në 24,583.4 në total, duke fshirë të gjithë vlerën e shtuar për vitin 2018, ndërsa Indeksi tjetër Standard & Poor’s 500, ra me 3.1 për qind në një nivel total prej 2,656.1 pikë, duke e kthyer gjithashtu negative performancën e vitit.


NASDAQ, indeks i përbërë kryesisht nga teknologjia, pati rënien më të madhe me 4.4 për qind, duke hyrë në territorin e korrigjimit, ndërkohë që Facebook, Amazon, Netflix dhe Google kishin performancë negative, përcjell Telegrafi.

Muaji tetor ka qenë historikisht ogur zi për tregjet e kapitalit. Disa faktorë mendohet se kanë tronditur tregjet këtë muaj – të ardhurat e dobëta të kompanive, konflikti mes Italisë dhe Bashkimit Evropian për buxhetin, vrasja e gazetarit saudit Jamal Khashoggi dhe shqetësimet mbi ekonominë botërore.

Pas mbylljes së sesionit tregtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bursat aziatike ndoqën me rënie të mëdha. Të gjithë indekset kryesorë të rajonit u tregtuan në rënie, duke e çuar humbjen totale nga fillimi i vitit në pesë trilionë dollarë. /Telegrafi/