Gjatë votimit në Bundestag, të enjten, vetëm 54 votat e të majtëve dolën kundër, ndwrsa 503 deputetë të fraksioneve të tjera votuan pro, dhe tetë abstenuan.

Bundeswehri ndodhet në Kosovë qysh prej tashmë dhjetë vjetësh. Kontingjenti i ushtarëve gjermanë në Kosovë në fillim numëronte 8.900 ushtarë, ndërsa tani numri i tyre është rreth 2.000 dhe pritet të ulet edhe më tej, siç bëri të ditur deputeti socialdemokrat, Detzlev Dzembrizki, në fjalën e tij të fundit.

Shumica e folësve nënvizuan se ky reduktim është shenjë e përgjegjësisë së bashkësisë ndërkombëtare për ruajtjen e zhvillimit të demokracisë, shtetit ligjor dhe sigurisë në Kosovë.

Folësit gjithashtu nënvizuan se gjendja megjithatë nuk është stabilizuar ende në atë masë, saqë të mund të tërhiqeshin përfundimisht trupat nga Kosova.

Deputetja e gjelbër, Marie Luise Beck, apeloi tek qeveria kosovare, që të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të serbëve të Kosovës, por edhe tek Beogradi, që të heqë dorë nga tendencat për ndarjen e Kosovës. /Deutsche-Welle/