Një pjesë e mirë e klubeve të Bundesligës kanë rinisur stërvitjen, por nën masa të forta sigurie dhe me grupe jo më shumë se tetë lojtarë.

E gjithë kjo për t’u përgatitur për rifillimin e sezonit pas ndërprerjes që u bë rreth një muaj më parë.

Sipas të përditshmes gjermane Bild, Liga Gjermane e Futbollit po planifikon edhe mënyrën se si do të zhvillohen të gjithë ndeshjet e mbetura të Bundesligës, deri në mbyllje të sezonit.

Bëhet fjalë për ndeshje me dyer të mbyllura, ndërsa në total në fushës dhe tribuna pritet të ketë një numër maksimal prej 239 persona të zgjedhur me kujdes, për të ulur sa më shumë mundësinë e infektimit nga Covid-19.

Kështu 126 persona do të jenë në fushë dhe përreth saj,ku përfshihen lojtarët e të dy skuadrave, stafet teknike dhe mjekësore, stafi i transmetimit dhe fëmijët e topave (do të jenë vetëm katër, nga 12 që janë zakonisht).

Pjesa tjetër prej 113 personash do të jenë të vendosur në tribunë dhe bëhet fjalë për gazetarë, përgjegjës sigurie dhe jo më shumë se 8 drejtues të çdo klubi.

Numri prej 239 personash është ulur ndjeshëm, nga ai prej 600 personash që ishin të pranishëm në ndeshjen Borussia Monchengladbach-Koln, para se të ndërpritej kampionati. /Telegrafi/