LAJMI I FUNDIT:

Bundesbank kritikon BQE-në

Bundesbank kritikon BQE-në

Programi i Bankës Qendrore Europiane për blerjen e titujve, për një vlerë prej 2.3 trilionë eurosh, pati sukses të nxisë rritjen ekonomike, por dështoi me inflacionin, e madje mund të ketë rritur edhe rreziqet për stabilitetin financiar, thotë një studim i fundit i publikuar nga Bundesbank.

“Ne mendojmë se, politikat e Bankës Qendrore Europiane, në formën e blerjes së drejtpërdrejtë të aseteve kanë krijuar stres financiar”, thotë Banka Qendrore e Gjermanisë.

Këto përfundime të institucionit janë në linjë me qëndrimin e vazhdueshëm të Berlinit zyrtar sa i përket politikave monetare ultra-lehtësuese të institucionit me bazë në Frankfurt.

Berlini mbështet idenë se, lehtësimi sasior në shkallë të gjerë ka qenë i panevojshëm dhe se duhet eliminuar sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Programi i blerjes së titujve, i njohur ndryshe edhe si Bazooka e Mario Draghit pritet të përfundojë në fundit të këtij viti, ndërkohë që politikbërësit e bankës do të diskutojnë në muajt në vijim idenë e shtyrjes së tij përgjatë vitit të ardhshëm.

Stimujt i`a kanë dalë të nxisin rritjen ekonomike përtej normës së 2%, por nuk ia kanë dalë dot të nxisin inflacionin pranë objektivit të bankës, pranë por më poshtë se 2%. Gjithsesi, Bundesbank, flet për efekte pozitive të programit në Eurozonë dhe ekonominë gjermane, por vendos si prioritet stabilitetin financiar. /Telegrafi/