LAJMI I FUNDIT:

”Bukë e kripë e zemërbardhë” – Festivali i Parë i Gastronomisë në Prishtinë

”Bukë e kripë e zemërbardhë” – Festivali i Parë i Gastronomisë në Prishtinë

”Bukë e kripë e zemërbardhë” titullohet festivali i parë i gastronomisë në Prishtinë, i cili do të mbahet me 13 dhe 14 Korrik 2019 në sheshin ”Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Ideja për krijimin e një festivali të tillë, i cili është i pari i kësaj natyre në Kosovë, ka lindur nga recetat tradicionale të gjysheve tona dhe nevoja për t’i kultivuar ato brez pas brezi duke e ruajtur një pjesë të rëndësishme të identitetit kombëtar.

Sipas organizatoreve të festivalit, në zemër të këtij edicioni është një mesazh i thjeshtë, ”Gjyshërit tanë treguan dashurinë e tyre për ne dhe për familjet tona përmes pjatave qe shërbenin në tryezë. Le të përhapim këtë dashuri nëpër botë!”.

Gjithashtu, pjesë e programit do të jenë një numër i madh i kuzhinierëve shqiptarë të cilët kanë arritur suksese në botën ndërkombëtare të kulinarisë, pronarë të hoteleve të suksesshëm, furnizues të rijnë, pronarë të bareve si dhe kompani vendore.

Ndër të tjerash, festivali do të shërbejë si vendtakim vjetor për ndarjen e përvojave dhe njohurive mbi kuzhinën mbarëkombëtare në mënyrë që ajo të reformohet, modernizohet dhe të njihet ndërkombëtarisht, duke i ruajtur vlerat tradicionale të saj.

Përveç kuzhinës shqiptare, programi do të begatohet edhe me kuzhina të kulturave tjera me qëllim krijimin e urave të bashkëpunimit në mes të kuzhinierëve shqiptarë dhe atyre të huaj në një atmosferë mikpritëse dhe zemërgjerë, siç është vetë fryma e festivalit.