LAJMI I FUNDIT:

Prodhimi Brendshëm Bruto për tre muaj shënon rritje 6.36 për qind

Prodhimi Brendshëm Bruto për tre muaj shënon rritje 6.36 për qind

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikoi sot të dhënat e Bruto Produktit Vendor (BPV) për tremujorin e katërt 2021, sipas aktiviteteve ekonomike dhe me qasjen e shpenzimeve, me çmime aktuale dhe me çmime të vitit paraprak.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në tremujorin e katërt 2021 shënoi rritje reale 6.36 për qind, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2020.


Kështu thuhet në të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke shtuar se aktivitetet ekonomike që kishin rritje në këtë tremujor ishin tregtia me shumicë dhe me pakicë, riparimi i automjeteve dhe motoçikletave, transporti dhe magazinimi, aktivitetet e akomodimit dhe të shërbimit ushqimor me 14.82 për qind, aktivitetet shkencore, profesionale dhe teknike, aktivitetet e shërbimeve administrative dhe mbështetëse me 5.95 për qind.

Ndërkaq, aktivitetet ekonomike, që shënuan rënie reale ishin administrata publike, sigurimi social, arsimi dhe shëndetësia me 5.75 për qind dhe ndërtimtaria 5.21 për qind.

Komponentët e PBB-së sipas metodës së shpenzimeve, që kishin rritje ishin eksporti i mallrave dhe shërbimeve me 33.38 për qind, importi i mallrave dhe shërbimeve me 17.09 për qind, shpenzimet e konsumit final me 8.65 për qind dhe shpenzimet e konsumit final të Qeverisë me 4.46 për qind. /Telegrafi/