LAJMI I FUNDIT:

Britania, edhe pas Brexit-it, do të luajë rol në Ballkan

Britania, edhe pas Brexit-it, do të luajë rol në Ballkan
Foto: AFP

Emërimi i ish-shefit të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Sir Stuart Peach, si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, nuk është komentuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian.

Por, emërimi është parë si dëshmi se Londra, edhe pas daljes nga BE-ja (Brexit), dëshiron të ketë rol të rëndësishëm në këtë rajon dhe, aq sa do të jetë e mundur, të bashkëpunojë edhe me BE-në.

Mes Brukselit dhe Londrës, kohëve të fundit, ka pasur shumë mospajtime, kryesisht për shkak të dallimeve në interpretimin e disa aranzhimeve për raportet pas Brexit-it.

Por, diplomatët shpresojnë se kjo nuk do të dëmtojë bashkëpunimin në ato fusha, ku BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë interesa të përbashkëta.

Ballkani Perëndimor, sidomos situata e tensionuar midis entiteteve në Bosnje e Hercegovinë dhe dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, janë në mesin e atyre fushave.

I pyetur për koment të BE-së rreth emërimit të të dërguarit të posaçëm britanik për Ballkanin, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se “Mbretëria e Bashkuar nuk është anëtare e BE-së” dhe “nuk kemi çfarë të komentojmë për emërimet në nivel kombëtar”.

Në pyetjen se a ka pasur i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, takime me përfaqësues të Qeverisë britanike, Stano është përgjigjur: “Lajçak ka takime me të gjithë, edhe në BE e rajon, edhe më gjerë në skenën ndërkombëtare”.

Emërimi i Sir Stuart Peach vjen pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë angazhuar dy diplomatë të lartë për rajonin: Gabriel Escobarin për Ballkanin Perëndimor dhe Matthew Palmerin për reformën zgjedhore në Bosnje e Hercegovinë.

Bashkimi Evropian, ndërkaq, ka të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

BE, në secilin rast, nënvizon se ka bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ballkanin Perëndimor, por në rastin e Mbretërisë së Bashkuar, një gjë e tillë nuk thuhet shpesh në publik.

Diplomatët thonë se nuk ka dyshim se pas largimit nga BE-ja, Britania e Madhe nuk e ka më rolin që ka pasur dikur. Kjo, pasi një prej argumenteve që ka BE-ja për ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor është perspektiva e anëtarësimit të tij në BE.

Por, Britania e Madhe, thonë diplomatët në Bruksel, vazhdon të jetë e rëndësishme, pasi është vend i rëndësishëm i NATO-s, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe anëtare e Quint-it.

Quint-i, ku bëjnë pjesë SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, shihet si grupi kryesor me ndikim në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Një prej qëllimeve të këtij grupi është zvogëlimi i ndikimit rus në rajon.

Disa diplomatë në Bruksel shprehen paksa të befasuar që Qeveria britanike ka vendosur të emërojë si të dërguar të saj në Ballkan një ushtarak të lartë, e jo ndonjë diplomat. Por, edhe këtë e shohin si sinjal se Londra e konsideron aspektin e sigurisë si prioritet në angazhimin e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Peach ka një përvojë të madhe në këtë aspekt, pasi ka shërbyer si shef i Komitetit Ushtarak të NATO-s, që është posti më i lartë ushtarak në këtë aleancë të sigurisë.

Më herët në karrierën e tij, ai ka shërbyer edhe si shefi i Shtabit të Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa përvojën e madhe në rajon e ka fituar edhe në vitin 2000, kur ishte komandant i forcës ajrore të NATO-s në Kosovë.

Qeveria britanike, në njoftimin për emërimin e të dërguarit të posaçëm për Ballkan, ka bërë të qartë se Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën i sheh si sfidat kryesore.

Ajo ka thënë se do të bashkëpunojë me BE-në dhe SHBA-në në këtë drejtim.

Në kohën sa ka qenë anëtare e BE-së, Britania e Madhe ka qenë jashtëzakonisht aktive në temat rreth Ballkanit Perëndimor. Së bashku me Gjermaninë, ajo ka kundërshtuar fuqishëm idetë për ndryshim të kufijve në Ballkan, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Në BE pohojnë se do të punojnë së bashku me të gjithë faktorët, rajonalë dhe ndërkombëtarë, për të parandaluar që rajoni të rrëshqasë në konfliktet e së kaluarës. Në këtë aspekt thonë se kanë interes të përbashkët edhe me Britaninë e Madhe. /REL/

Në trend Lajme

Më shumë
PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

PDK voton kryesinë e re të partisë - pësojnë ndryshime në pozita disa prej figurave të njohura të kësaj partie

Lajme
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Pakënaqësi me Ligjin e pagave, Jasharaj paralajmëron protestë më 1 maj - nuk e përjashton mundësinë e grevës

Elfije Boletini
Bedri Hamza i emëruari i PDK-së për kryeministër – kush mund të jenë kandidatët tjerë të partive politike?

Bedri Hamza i emëruari i PDK-së për kryeministër – kush mund të jenë kandidatët tjerë të partive politike?

Jehona Hulaj
Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Pamje nga të shtënat ku nisi konflikti në Prishtinë, ku humbën jetën dy persona

Kronika e Zezë
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Kalo në kategori