LAJMI I FUNDIT:

Britani, inflacioni rritet me 2.7%

Britani, inflacioni rritet me 2.7%

Inflacioni në Britani të Madhe është rritur në nivelin më të lartë në katër vite gjatë muaji prill, tregojnë të dhënat zyrtare, duke vënë në dukje tkurrjen e fuqisë blerëse të ekonomive familjare.

Indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 2.7 për qind në muajin prill krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, raporton Zyra Kombëtare e Statistikave, duke thyer pritshmëritë e analistëve për një rritje me 2.6 për qind.


Inflacioni është përshpejtuar në Britani në muajt e fundit, nxitur nga zhvlerësimi i paundit që erdhi si pasojë e daljes nga Bashkimi Europian dhe rritja e çmimeve të naftës që është reflektuar në vende të tjera gjithashtu. Javën e kaluar Guvernatori i Bankës së Anglisë, Mark Carney, paralajmëroi se ky vit do të jetë i vështirë për konsumatorët, duke shtuar se pagat në terma realë, do të bien.

Megjithatë, në takimin e javës së kaluar, Banka mbajti normën bazë të interesit të pandryshuar. Inflacioni në prill u nxit nga rritja e çmimeve të udhëtimeve ajrore, rritja e çmimit të veshjeve dhe tarifat për energjinë elektrike.

Shumë ekonomistë thonë se ndikimi i rënies së sterlinës te niveli i çmimeve do të ndihet më shumë në muajt që vijnë, ndërkohë që Banka e Anglisë pret që inflacioni të arrijë 3 për qind deri në fund të vitit.

Duke hequr çmimet e luhatura të naftës dhe komponentëve ushqimorë, indeksi bazë i çmimeve të konsumit u rrit me 2.4 për qind, norma më e lartë që prej marsit 2013.

Çmimet e shërbimeve u rritën me 3 për qind, niveli më i lartë që prej shtatorit 2013, ndikuar nga çmimet më të larta të udhëtimeve ajrore. /Telegrafi/