LAJMI I FUNDIT:

Brenda një viti shqiptarët paguan 215 milionë euro me kartela bankare

Brenda një viti shqiptarët paguan 215 milionë euro me kartela bankare

Vitin e kaluar, shqiptarët kryen pagesa me karta bankare në vlerën e 26.2 miliardë lekëve ose rreth 215 milionë eurove.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se pagesat me kartë regjistruan një rritje vjetore me 23 për qind. Rritja është akoma më e lartë, e llogaritur si numër transaksionesh. Nga 3.6 milionë për vitin 2017, numri i pagesave me kartë arriti në afërsisht pesë milionë në vitin 2019.


Përdorimi i kartave bankare është një tregues mjaft domethënës, po të kemi parasysh problemin e përdorimit tejet të lartë të parasë cash që ka ekonomia shqiptare.

Përdorimi kartës për të tërhequr para vazhdon të dominojë, çka është e kuptueshme për një ekonomi me përdorim të lartë të parasë cash, si ajo shqiptare. Vitin e kaluar, u kryen rreth 16.5 milionë tërheqje nga bankomatet, për një vlerë të përgjithshme prej 196 miliardë lekësh ose afro 1.6 miliard euro.

Megjithatë, mënyra sesi shqiptarët po i përdorin kartat tregon një zhvendosje drejt transaksioneve jo me para të gatshme. Kështu, për vitin 2018 pagesat përmes terminaleve POS përbënin 9.7 për qind të totalit të veprimeve me kartë, ndërsa vitin e kaluar ato arritën në 11.4 për qind.

Pavarësisht nga kjo, tregu ka një tendencë pozitive në drejtim të rritjes së pagesave jo me para të gatshme. Kjo duket nga rritja e pagesave elektronike, por edhe numri i kartave të kreditit, që janë një instrument që përdoret kryesisht në funksion të pagesave jo cash.

Në fund të vitit të kaluar, bankat shqiptare kishin pothuajse 114 mijë karta krediti aktive, në rritje vjetore me rreth 8 për qind. Në total, numri i kartave ka arritur në rreth 1.2 milion, ku pjesa më e madhe janë karta debiti, të lidhura me llogaritë rrjedhëse të individëve. /Scan/