LAJMI I FUNDIT:

Braktisin shkollën për të siguruar mbijetesën prej kanaçeve

Braktisin shkollën për të siguruar mbijetesën prej kanaçeve

“Unë e kam lënë shkollën në klasën e tretë edhe pse notat i kam pasur të mira, e kisha të pamundur të shkoja në shkollë, sepse në familje ishim 12 anëtarë dhe ata kishin nevojë për ndihmën time. Unë fillova të mbledh kanaçe dhe duke i shitur ato, fitoja 5 deri në 10 euro në ditë… “.  Kështu e nis rrëfimin e tij për braktisjen e mësimit, 17 vjeçari Albert Gashi nga fshati Plemetin i komunës së Obiliqit, teksa llogarit pazarin e kryer sot dhe planifikon ku të drejtohet të nesërmen për të gjetur kanaçe.

Alberti është njëri nga shumë fëmijët e komunitetit rom që e braktisin çdo vit shkollimin. Thotë se pavarësisht insistimit të të atit që ta vazhdojë mësimin, një gjë të tillë e kishte të pamundur për shkak të varfërisë.


“Ndarja nga mësimi dhe nga shokët më mërzitën shumë. Babai më thoshte vazhdimisht të  shkoj  në shkollë, por unë e shihja se familja nuk ka kushte të më shkolloj, dhe se ka nevojë shumë për ndihmën time”,thotë Alberti.

Më situatë të ngjashme përballën edhe fëmijët e komuniteteve ashkali e egjiptas. Obiliqi, komuna nga vjen Alberti, çdo vit shënon rreth 10 raste ku nxënës nga këto komunitete e braktisin shkollimin për shumë arsye.

“Për çdo vit kemi braktisje të shkollës nga nxënësit e komuniteteve, rom, ashkali dhe egjiptian, diku 5- 10 nxënës. Mirëpo ka raste kur pas 2-3 muajve kthehen në shkollë, dhe përsëri e braktisin atë” , thotë Adem Haliti, zyrtar për informim në komunën e Obiliqit.

Vetëdijesimi i ulët i prindërve për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve nga parafillorët, arsimin e obliguar dhe arsimin e mesëm të lartë;, Martesat e hershme;, Puna e fëmijëve me prindërit (mbledhja e kanaçeve e punë të tjera);, Kushtet e rënda Ekonomike dhe sociale et, janë vetëm disa prej shkaqeve të braktisjes së mësimit nga ana e nxënësve të këtyre komuniteteve që përmend zyrtari nga komuna e Obiliqit.

Me një problem të tillë përballet edhe komuna e Fushë Kosovës. Zëdhënësi i kësaj komune, Ali Topalli thekson se  numri më i madh i nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas e ndërpresin shkollimin pa dhënë ndonjë arsye.

“Numri i nxënësve nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian që kanë braktisur shkollën në vitin mësimor 2017/18 është gjithsej 26. Nxënësit që kanë braktisur shkollimin nuk shprehin ndonjë arsye bindëse për këtë dukuri. Ata kryesisht e bëjnë vullnetarisht këtë hap dhe nuk shprehin interesim për të vijuar mësimet”, shprehet Topalli.

Gjakova po ashtu është njëra prej komunave e cila përballet me braktisjen e shkollës nga nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas, megjithëse ky fenomen po shkon drejt rënies në këtë komunë. Për dallim prej vitit 2014-2015 kur ishin regjistruar 88 raste, në vitin shkollor 2018-2019 janë vetëm 16 të tilla. Sërish arsyeja kryesore llogaritet gjendja ekonomike, mirëpo një numër i madh i tyre i kthehen përsëri shkollimit.

“Shumë prej fëmijëve të familjeve skamnore nuk vijojnë shkollën për shkak se iu mungon veshmbathja. Ne I kemi drejtuar që të paraqiten në Kryqin e Kuq, mirëpo ankohen që Kryqi Kuq afron ndihma të vjetra dhe që nuk janë të përshtatshme për fëmijët që ata me u ndi mirë në raport me fëmijët e tjerë në shkollë. Ja pra këtu është pengesa e parë që na paraqitet”, shprehet Afijete Efendia, zyrtare për statistika në komunën e Gjakovës.

Gjendja qëndron më mirë në komunën e Prizrenit, ku përqindja e këtyre komuniteteve është më e madhe, ndërsa numri i atyre që e ndërpresin shkollimin viteve të fundit ka shënuar rënie të theksuar.

“Numri i nxënësve te komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian qe kane ndërprerë shkollimin ne komunën tone janë pesë. Katër raste janë te trajtuara nga DKA sipas procedurave ligjore, dhe aktualisht është duke u marre qendra për pune sociale”,thotë drejtori i Arsimit në këtë komunë, Skënder Susuri.

“ Faktori kryesor i braktisjes së shkollës është gjendja socio – ekonomike, dhe migrimi”,  thekson më tutje Susuri.

Në Ministrin e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, bëjnë të ditur se numri i nxënësve të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas që e kanë ndërprerë shkollimin në vitin shkollor 2017-2018 është 88. Ndërsa në vitet e kaluara ky numër sipas statistikave të MASHT-it, ka qenë dukshëm më i madh.

“Në vitin shkollor 2017/2018 e kanë ndërpre shkollimin 88 nxënës, 2016/2017 – 119 nxënës, 2015/2016 – 253 nxënës, 2014/2015 – 260 nxënës dhe gjatë vitit 2013-2014 numri i nxënësve që e kanë braktisur shkollën ka qenë 163”, thotë zëdhënësi i kësaj ministrie, Valmir Gashi.

Sipas Pakos së Ahtisarit dhe Kushtetutës së Kosovës,  komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas janë të përfaqësuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputetë të këtyre komuniteteve pohojnë se megjithatë viteve të fundit ka rënie të fenomenit të braktisjes së shkollës.

Deputeti Albert Kinolli, thotë se faktorët kryesor që i detyron fëmijët e komunitetit rom të ndërpresin shkollimin është gjendja e rëndë socio ekonomike dhe barrën kryesore sipas Kinollit e bartin prindërit dhe institucionet.

“Në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe institucionet ne kemi trajnime të vazhdueshme dhe aktivitete me qytetarë për sensibilizimin e çështjes së arsimit, duke i njoftuar prindërit në radhë të parë që çelësi i arsimit dhe ardhmëria jonë qëndron mu te arsimi. Kemi arritur që këto vitet e fundit nivelin e braktisjes se shkollimit ta minimizojmë ose ta ulim”, u shpreh deputeti Kinolli.

Deputeti Kinolli potencon se problem është edhe pamundësia që nxënësit t’i ndjekin mësimet në gjuhën e tyre amtare, rome.

Përfaqësuesi i komunitetit egjiptas në Kuvendin e Kosovës, Veton Berisha, ndërkaq shprehet  se përveç faktorit ekonomik dhe mungesës së perspektivës, fëmijët e komunitetit egjiptas përballën edhe me inferioritetin.

“Fëmijët egjiptian gjatë kohës sa janë në shkollë përballen me një gjendje inferiore, duke u trajtuar keq prej shokëve, prej mësueseve, edhe  në të njëjtën kohë ballafaqohen me probleme që nuk është i barabartë në veshje, në dukje për shkak të gjendjes së tij ekonomike, andaj edhe faktori ekonomik është kryesori që ndikon në ndërprerjen e shkollimit. Kemi raste kur i ulin në bankat e fundit, kur nxënësit keqtrajtohen nga mësueset.  Dhe në rrethana të tilla, sapo t’i mbushin 18 ose 19 vite të rinjtë shikojnë mundësitë për të dal jashtë”, bën të ditur Berisha.

Megjithatë deputeti Berisha thekson se  janë shënuar përparime fal ligjeve që u kanë mundësuar  fëmijëve të këtyre komuniteteve që të shkollohen, megjithëse thekson se mungojnë mekanizmat e zbatimit të ligjit.

Deputeti nga komuniteti ashkali, Hetem Arifi, jep një arsye tjetër pse të rinjtë e këtij komuniteti e ndërpresin shkollimin.

“Të rinjtë e komunitetit tonë e ndërpresin shkollimin për arsye se nuk shohin një të ardhme, sidomos ata që përfundojnë shkollimin fillor, mundohen me e gjet një punë jashtë vendit, një numër i madh i tyre shikojnë mundësitë që të largohen në Evropë për një jetë më të mirë për vete dhe familjet e tyre. Përgjegjësin më të madhe për ndërprerjen e shkollimit e bartin prindërit, pastaj arsimtarët, si dhe institucionet që nuk po bëjnë shumë në zbatimin e ligjit”, shprehet Arifi.


Foto: Blendi Thaçi

Ministria e Arsimit shprehet se përmes zbatimit të ligjeve dhe të aktiviteteve  të tjera po bëhen përpjekje të vazhdueshme që pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas të vetëdijesohen për rëndësinë e shkollimit.

“MASHT në koordinim me partnerë ka krijuar bazë të qëndrueshme  kundër braktisjes së shkollimit e cila është e rregulluar dhe e bazuar në infrastrukturë ligjore, që tani më i kemi edhe ekipet për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit në shkollë të cilat funksionojnë në nivel shkolle, komune  dhe  MASHT.  Gjithashtu ekzistojnë  doracakët dhe instrumentet për identifikim, raportim dhe referim të rasteve si dhe mundësinë e raportimit në Sistemin e Paralajmërimit të Hershëm të braktisjes brenda  Sistemit të Menaxhimit të Informatave në Arsim (SMIA). Përdorimi i rregullt i këtij sistemi na ndihmon në evidentimin dhe trajtimin e  duhur dhe në kohë reale të rasteve në rrezik të braktisjes”, theksoi më tej zëdhënësi Gashi.

Edhe komunat thonë se gjatë viteve të fundit kanë marrë masa për parandalimin e braktisjes së shkollimit.

“Drejtoria e Arsimit ka formuar nëpër shkolla Ekipet për parandalim, Reagim ndaj Braktisjes dhe mosregjistrimit të nxënësve në shkollë dhe ka bërë fushatë te këto komunitetet. Ka  organizuar transportin falas për arsimin jo formal për nxënës në SHFMU(I-IX) nga Plemetin dhe Obiliqi i Vjetër. Ka organizuar arsimin për të rritur falas në SHMLP ( X-XII) për nxënës familjet e të cilëve janë raste sociale. Me Rregulloren për ndarjen e bursave dhe kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit”, thekson zyrtari për informim i Komunës së Obiliqit, Adem Haliti.


Foto: Blendi Thaçi

Edhe në komunën e Gjakovës thonë se çdo herë i dalin në ndihmë shkollave, që nuk mund t’i zgjidhin rastet e braktisjes së mësimit. Ndërsa komuna e Prizrenit, që nuk e ka problem shumë të theksuar braktisjen e shkollimit thonë se kanë funksionalizuar të gjitha ekipet për parandalim të braktisjes së shkollës.

Një rol mjaft të madh në ngritjen e vetëdijesimit për shkollim e kanë luajtur edhe organizatat joqeveritare që merren me komunitet në Kosovë. Njëra nga to është edhe organizata “VoRAE”.

“ Sipas gjendjes qe e përcjellim me programe qe punojmë si organizatë ne këto 3 vitet e fundit ka një rënie te lehtë sa i përket braktisjes. Nxënësit detyrohen te punojnë diçka privat  për te siguruar jetesën e familjareve, pasi qe prindërit e tyre janë pa pune, të sëmurë ose edhe në pension. Kemi edhe  disa raste ku nxënëset e klasave te 12-ta janë martuar”, bën të ditur Organizata.

Por, si mund të shënohet edhe më shumë rënia e braktisjes së shkollimit nga fëmijë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas?.

Sociologu, Ferdi Kamberi, thotë se institucionet duhet të fokusohen më shumë në zbatimin e ligjeve që kanë nxjerr.

“Institucionet e vendit kanë krijuar mekanizma për parandalimin e këtij fenomeni. Vlen të cekën edhe Strategjitë e ndryshme, pastaj planet lokale, si dhe instrumente të tjera. Megjithatë, problemet më të mëdha janë në zbatimin e tyre dhe shpeshherë këto narracione po mbesin në letër. Konsiderojmë se ky është një ndër sfidat e institucioneve dhe të vetë shoqërisë kosovare dhe si mënyrë më e mirë e mundshme do të ishte që të ketë një monitorim më të madh të zbatimit të politikave të hartuara në praktikë”,u shpreh Kamberi.

Që ky problem t’i mbetët të kaluarës, Kamberi thotë se në radhë të parë nevojitet një vetëdijesim më i madh i pjesëtarëve të këtyre komuniteteve për rëndësinë e arsimimit.

“Fokus duhet të jenë edhe projektet e ndryshme nga MASHT, komunat, OJQ-të, lidhur me vetëdijesimin e këtyre komuniteteve rreth rëndësisë së edukimit dhe arsimimit, vetëdijesimin e komuniteteve rreth pasojave mbi martesat e hershme, involvimin e tyre në projekte të ndryshme socio – kulturore, aftësimin profesional, mësimin plotësues, si dhe aspekte të tjera me qëllim të fuqizimit të një kohezioni social dhe integrimi shoqëror”, theksoi sociologu Kamberi.

17 vjeçari, Albert Gashi do të donte që historia e tij familjare dhe gjendja ekonomike të ishte ndryshe dhe një ditë ai të mund të kthehej në bankat shkollore. Premton se do të kujdeset që vëllezërve e motrave t’ua mundësojë shkollimin dhe një jetë më të mirë.

“Unë do të bëjë përpjekje që vëllezërit dhe motrat e mija më të vogla t’iu mundësoj që të shkojnë në shkollë  dhe të mos e braktisin asnjëherë shkollimin”, flet Alberti me emocione të përziera plot mallëngjim e optimizëm. /Valmir Gallopeni/Telegrafi/

Ky artikull është prodhuar në kuadër të projektit “Shtëpia ime, të drejtat e mia”, implementuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe mbështetur nga UNMIK (Confidence Building Measures Project – CBMP). Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i UNMIK-ut ose AGK-së.

Në trend Lajme

Më shumë

"Serbia po frikëson dhe shantazhon qytetarët e Kosovës"- Qeveria shpalos detaje tjera nga biseda telefonike Kurti-Macron

Lajme
Ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, në fazën e prokurimit - Rama publikon pamjet

Ndërtimi i tunelit në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, në fazën e prokurimit - Rama publikon pamjet

Komunat
Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Votoi pro Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, kërcënohet deputeti boshnjak

Lajme
Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Numri i serbëve në Kosovë po zvogëlohet, por jo për shkak të “terrorit shqiptar”, Knaus: Pretendimet e tilla të Vuçiqit janë mashtrim

Lajme
Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Dokumentari i televizionit Rai 3, reagon Rama: Sulmohet Meloni duke hedhur baltë mbi Shqipërinë

Lajme
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Kalo në kategori