LAJMI I FUNDIT:

BQK: Vlera e importit të mallrave u rrit për 6.8%

BQK: Vlera e importit të mallrave u rrit për 6.8%

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka njoftuar se vlera e importit të mallrave deri në tremujorin e katërt 2018 ishte 886.8 milionë euro.

Sipas BQK-së, kjo vlerë është për 6.8 për qind më e lartë krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar.


“Rritje më e lartë u shënua tek importi i produkteve minerale, tekstili dhe artikujt e tekstilit, metalet bazë, makineritë dhe pajisjet mekanike. Bilanci në tregtinë e shërbimeve shënoi vlerën prej 71.1 milionë euro në tremujorin e katërt të 2018-së, një rënie prej 4.9 për qind krahasuar me tremujorin e katërt të 2017-së. Vlera e gjithsej shërbimeve të eksportuara shënoj rritje vjetore prej 9.4 për qind, duke arritur në 219.7 milionë euro, ndërsa vlera e shërbimeve të importuara shënoj rritje prej 18.0 për qind dhe arriti në 148.6 milionë euro”, thuhet në raportin “Vlerësimi Tremujor i Zhvillimeve Makroekonomike, tremujorin i katërt 2018”, prezantuar nga BQK, përcjell Telegrafi.

Në kuadër të eksportit të shërbimeve, shërbimet tjera të biznesit, sipas BQK-së shënuan rritjen më të lartë prej 23.8 për qind, ndërsa shërbimet e udhëtimit, që përbëjnë kategorinë kryesore të eksportit apo 54.3 për qind e gjithsej eksportit të shërbimeve në tremujorin e katërt të 2018-së shënuan rënie prej 3.8 për qind.

“Edhe tek importi i shërbimeve, shërbimet tjera të biznesit shënuan rritjen më të lartë apo 47.2 për qind, pasuar nga shërbimet pensionale dhe të sigurimit me 21.0 për qind, ndërsa shërbimet e udhëtimit si dhe shërbimet e mirëmbajtjes dhe riparimit shënuan rënie me 3.4 për qind përkatësisht 0.4 për qind. Bilanci i llogarisë së të ardhurave parësore, në tremujorin e katërt të 2018-së, shënoj vlerën prej 50.1 milionë eurove, që paraqet një rënie prej 34.3 për qind”, thuhet raport.

Po ashtu, sipas BQK-së, bilanci i të ardhurave dytësore shënoj rritje për 2.1 për qind.

“Bilanci i të ardhurave dytësore shënoj rritje për 2.1 për qind, që i atribuohet kryesisht nivelit më të lartë të remitencave. Remitencat e pranuara në Kosovë, që njëherësh paraqesin edhe kategorinë më të madhe në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore shënuan vlerën prej 212.5 milionë euro në tremujorin e katërt të 2018-së apo 3.6 për qind më shumë krahasuar me tremujorin e katërt të 2017-së”, përfundon raporti. /Telegrafi/