Në kuadër të fushës së edukimit financiar dhe me qëllim të nxitjes së hulumtimeve mes ekonomistëve të rinj të Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka krijuar mundësinë e dhënies së një çmimi për studimin më të mirë të paraqitur nga ekonomistët e rinj.

Punimet për këtë çmim duhet të jenë në fushën e sektorit financiar dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë, me theks të veçantë të jenë të fokusuara në teknologjinë financiare dhe sfidat në aspektin e sigurisë kibernetike, mundësitë dhe sfidat me të cilat u përballen institucionet financiare në Kosovë në vitin 2021 dhe ndikimi i dixhitalizimit në sistemin bankar.

Lidhur me këtë, BQK-ja do të organizojë një ngjarje të veçantë për shpalljen e punimeve më të mira të dorëzuara.

Rregullat e pranimit

1. Tema e dorëzuar duhet t’i plotësojë kriteret e një pune shkencore. Ajo mund të jetë në formën e një teme diplome (bachelor), temë diplome pasuniversitare (master) apo në formën e një teze doktorature (PhD).

2. Në konkurrim me punimin e dorëzuar kandidati duhet të jetë autori kryesor.

3. Tema duhet të jetë e shkruar në gjuhën shqipe ose gjuhën angleze.

4. Formati: punimi i dorëzuar nuk duhet të ketë më shumë se 25 faqe, lloji i shkrimit të jetë Times New Roman 12, hapësirë dyfishe. Përmbledhja ekzekutive nuk duhet të jetë më e gjatë se një faqe dhe lista e të gjitha referencave duhet t’i bashkëngjitet punimit.

5. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga stafi i BQK-së, jo vetëm që përzgjedh punimet që do të publikohen nga BQK-ja, por mund edhe të sugjerojë një ose më shumë nga ekonomistë e rinj konkurrues për t’u shpërblyer me çmim.

Komisioni përzgjedhës do të gjykojë punimet duke përdorur kriteret e përgjithshme të miratuara nga drejtuesit e BQK-së: (a) interesi i subjektit në ekonominë kosovare-ndërkombëtare (b) cilësia e hulumtimit shkencor apo sinteza dhe (c) cilësia e të shkruarit. Përveç kësaj, hulumtimet dhe shkrimet e të tjerëve të përfshira në punimin e paraqitur duhet të identifikohen mirë në fusnotat dhe referencat bibliografike.

6. Çmimi i parë do të shpërblehet me 1,000 euro, çmimi i dytë me 700 euro dhe çmimi i tretë me 500 euro.

7. Pa paragjykuar pikën nr.6 vendimi përfundimtar për numrin e shpërblimeve varet nga cilësia e punimeve të paraqitura dhe do të merret në fund nga komisioni përzgjedhës. Prandaj nuk është e detyrueshme që numri i shpërblimeve të jetë një ose më shumë se një.

8. Fituesit e çmimeve të mëparshme dhe punonjësit aktualë të Bankës Qendrore të Kosovës, nuk mund të aplikojnë me punimet e tyre në këtë konkurs.

9. Studentët e interesuar për aplikim mund të aplikojnë:
– Duke dorëzuar punimet e tyre në version elektronik (PDF) në info@bqk-kos.org të shoqëruar nga tri kopje me shkrim të dërguara në adresën e mëposhtme: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), Çmimi i BQK-së për Ekonomistët e Rinj, rruga Garibaldi 33, 10000 Prishtinë, Republika e Kosovës.
– Emrin e udhëheqësit të temës dhe universitetin/fakultetin përkatës.(Në rast se studentët bashkëpunojnë me pedagogët e tyre gjatë punimit të temës)
– Kopjen e letërnjoftimit.

10. Data e fundit për dorëzim do të jetë 30 nëntor 2021. /Telegrafi/