LAJMI I FUNDIT:

BQK: Shitja e Kartonit të Gjelbër nga persona të palicencuar është e kundërligjshme

BQK: Shitja e Kartonit të Gjelbër nga persona të palicencuar është e kundërligjshme

Një njoftimi të lëshuar nga Banka Qendrore e Kosovë (BQK), thuhet se persona të paautorizuar po shesin Kartonë të Gjelbër dhe sipas saj ky veprim është i kundërligjshëm, shkruan Telegrafi.

BQK thotë se ka vetëm ajo është përgjegjëse për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të sigurimeve në Kosovë. “Bazuar në Ligjin nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, BQK-ja është përgjegjëse për licencimin, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit të sigurimeve në Kosovë. Gjithashtu, bazuar në Ligjin nr. 05/L-045 për Sigurimet, BQK-ja sipas këtij ligji ka përgjegjësinë ekskluzive për licencimin, mbikëqyrjen dhe rregullimin e siguruesve dhe ndërmjetësuesve të sigurimit, si dhe të subjekteve tjera që ushtrojnë aktivitetet e parashikuara me këtë ligj”, thuhet në njoftimin e BQK-së.


Po ashtu, BQK thotë se asnjë person nuk mund të merret me veprimtari të sigurimeve, risigurimeve, ndërmjetësimit të sigurimeve apo veprimtari tjera, që kërkohet të licencohen dhe aprovohen me këtë ligj, pa licencë dhe aprovim të vlefshëm të lëshuar nga BQK-ja sipas dispozitave të këtij ligji.
“Asnjë person nuk mund të përdorë fjalën “sigurim”, “risigurim”, “ndërmjetësues në sigurime” “trajtues i dëmeve” ose derivatet e këtyre fjalëve në lidhje me një veprimtari, produkt ose shërbim ose në veprimtari promocionale pa pasur një licencë të lëshuar nga BQK-ja, për t’u përfshirë në aktivitetin e sigurimeve, përveç kur një përdorim i tillë është vendosur ose njohur me këtë ligj”, vijon njoftimi.

Tutje, BQK tregon se Byroja Kosovare e Sigurimit akoma nuk është anëtare e Këshillit të Byrove, prandaj asnjë sigurues në Kosovë nuk ka të drejtë shitjen e kartonit të gjelbër. Ndërlidhur me këtë, BQK-ja nga rrjetet sociale ka vërejtur se disa persona, të paautorizuar dhe të palicencuar nga ana e BQK-së ushtrojnë veprimtari ndërmjetësuese në sigurime në mënyrë të paligjshme, duke u angazhuar në shitjen e kartonit të gjelbër. Për më tepër, asnjë kompani sigurimi, e pajisur me licencë nga BQK-ja dhe asnjë person fizik apo juridik i jashtëm, nuk ka të drejtë të shes një produkt të tillë në Kosovë, derisa Byroja Kosovare e Sigurimit të bëhet anëtare e Këshillit të Byrove, apo pa lejen e Këshillit të Byrove dhe BQK-së.

BQK njofton qytetarët se blerja e kartonit të gjelbër nga persona të palicencuar është me rrezik, derisa asnjë institucion nuk i mbikëqyr dhe kontrollon këta persona, dhe në rast të lindjes së ndonjë kontesti apo shkaktohet ndonjë humbje, BQK-ja nuk mund të marrë asnjë përgjegjësi lidhur me këtë.

Kartoni i Gjelbër është certifikatë e lëshuar nga ndonjë kompani e sigurimit e cila është anëtare e Byrosë kombëtare, që është anëtare e Këshillit të Byrove. Sistemi ndërkombëtar i sigurimit të automjeteve i menaxhuar nga Këshilli i Byrove me anë të kartonëve të gjelbër është një marrëveshje ndërkombëtare në mes të autoriteteve dhe institucioneve siguruese, i cili siguron mbrojtjen e polisëmbajtësve nga dëmet në aksidentet rrugore të shkaktuara nga automjetet vizituese. /Telegrafi/