BQK lanson platformën e re për mbledhjen dhe raportimin e statistikave të investimeve të huaja direkte


Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka organizuar aktivitetin me kompanitë raportuese, për prezantimin dhe lansimin e platformës së re DCSES (Data Collection and Statistics Exchange System), e cila do të shërbejë për mledhjen elektronike të statistikave të investimeve të huaja direkte.

Në hapje të aktivitetit, Zëvendësguvernatori i BQK-së, z. Dardan Fusha, falënderoi kompanitë raportuese për bashkëpunimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në procesin e raportimit statistikor në BQK, duke theksuar se cilësia e statistikave zyrtare varet drejtpërdrejt nga cilësia dhe saktësia e të dhënave të raportuara.
Ai theksoi se statistikat makroekonomike, e në veçanti statistikat e sektorit të jashtëm, përfshirë Bilancin e Pagesave, Pozicionin Ndërkombëtar të Investimeve dhe Investimet e Huaja Direkte, janë thelbësore për analizimin e zhvillimeve ekonomike, vlerësimin e stabilitetit financiar dhe mbështetjen e politikëbërjes së bazuar në të dhëna.
Zëvendësguvernatori Fusha nënvizoi se investimet e huaja direkte përfaqësojnë një nga treguesit më të rëndësishëm të besimit të investitorëve në ekonominë e Kosovës dhe se cilësia e statistikave në këtë fushë ndikon drejtpërdrejt në prezantimin e vendit para investitorëve ndërkombëtarë, institucioneve financiare dhe partnerëve zhvillimorë.

Gjatë prezantimit u theksua se zhvillimi i statistikave në BQK mbështetet në tri shtylla kryesore: në zgjerimin e mbulimit dhe përmirësimin e cilësisë së statistikave, harmonizimin me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe modernizimin e proceseve përmes digjitalizimit dhe automatizimit, duke përfshirë edhe këtë platformë, si një ndër burimet e mbledhjes së të dhënave.
Platforma e re DCSES paraqet një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të procesit të mbledhjes së të dhënave në formë elektronike dhe raportimit statistikor në BQK. Ajo është zhvilluar në përputhje me standardet më të avancuara ndërkombëtare dhe kërkesat e reja statistikore, përfshirë ato të Manualit të fundit BPM7, duke kontribuar në përafrimin e mëtejshëm të sistemit statistikor të Kosovës me praktikat e ekonomive dhe institucioneve më të avancuara.

Për kompanitë raportuese, platforma e re do të mundësojë një proces më të thjeshtë dhe më efikas të raportimit, do të reduktojë barrën administrative, do të përmirësojë saktësinë e të dhënave dhe do të lehtësojë komunikimin ndërmjet raportuesve dhe BQK-së. Përmes automatizimit të proceseve dhe kontrolleve të integruara, pritet të reduktohen nevojat për korrigjime të mëvonshme dhe procedurat manuale, duke kursyer kohë dhe burime si për kompanitë ashtu edhe për BQK-në.

Në përfundim, z. Fusha ritheksoi përkushtimin e BQK-së për zhvillimin e një sistemi statistikor modern, transparent dhe të harmonizuar me standardet më të mira ndërkombëtare, duke falënderuar kompanitë raportuese për bashkëpunimin e vazhdueshëm, si dhe ekipet e BQK-së, në veçanti Departamentin të Statistikave dhe Departamentin të Teknologjisë së Informacionit të BQK-së për kontributin e tyre në realizimin e këtij projekti.





































