Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare ‘SDP’ (Liri, Demokraci, Drejtësi), Ksenija Bozhoviq, ka rrëfyer për KosovaPress ngjarjen e 16 janarit, ditën kur ka ndodhur atentati ndaj liderit të ‘SDP’-së Oliver Ivanoviq.

Ajo thotë se atë ditë është telefonuar herët në mëngjes nga sekretarja e partisë që të shkojë urgjent në seli sepse Oliveri nuk është mirë, ndërsa pasi ka arritur menjëherë afër selisë, informatën e parë e ka marr nga një polic, sipas të cilit Ivanoviq kishte pësuar infarkt dhe është dërguar në spital.

Sipas saj, një grua, fqinje që jeton afër selisë së ‘SDP’-së, i ka thënë se e ka parë Oliverin të shtrirë për tokë afër hyrjes së selisë dhe në gjendje jashtëzakonisht të keqe, pa ditur se bëhet fjalë për ekzekutim me armë.

Bozhoviq ka hedhur akuza të ashpra ndaj hetuesve policorë, për të cilët tha se që nga dita e parë nuk e kanë kryer punën siç duhet.

“Kam telefonuar urgjencën duke menduar nëse ka pësuar infarkt, ai duhet të jetë në repartin e internos, dhe në atë moment marr informatën se Oliver Ivanoviq është në sallën operative dhe se është sulmuar me armë zjarri… Më besoni, kanë kaluar ndoshta 20 minuta, vendi ku është ekzekutuar me armë Oliveri, nuk ka qenë i siguruar nga policia. Kalonin njerëz, qytetarë të rëndomtë të cilët fotografonin vendin e vrasjes, ndërsa hetuesit të cilët është dashur ta sigurojnë vendin e ngjarjes, nuk ka pasur. Kështu që kam qenë e zhgënjyer tej mase, sepse vetë fillimi i hetimit nuk më ka pëlqyer dhe më duket se është bërë shkel e shko”, ka thënë Bozhoviq.

Bozhoviq, ka folur edhe për kërcënimet ndaj Ivanoviqit dhe njerëzve të listës së tij.

Ajo ka bërë të ditur se këto kërcënime kanë qenë të theksuara sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit lokale, të mbajtura në fund të vitit të kaluar në Kosovë.

Sipas saj, kërcënimet kanë qenë kryesisht anonime, të cilat kanë përçuar mesazhe frikësimi për individë të caktuar dhe familjarë të tyre.

Bozhoviq tha se për të gjitha këto kërcënime dhe situatën e brishtë në veri, Ivanoviq ka folur hapur publikisht dhe ka informuar institucionet në Prishtinë, Beograd, si dhe bashkësinë ndërkombëtare, mirëpo, siç u shpreh ajo, askush nuk ka dëgjuar seriozisht fjalët e tij.

“Kur ka qenë fushata zgjedhore, e cila ka ngjarë në gjithçka veçse jo në zgjedhje demokratike, i kanë kërcënuar njerëzit të cilët kanë qenë në Listat tona. Qytetarët e dinë se ne është dashur tre herë ta ndryshojmë Listën tonë. Oliverit i është bërë një spot ku në ballin e tij është vënë targeti për gjuajtje me armë…Që atëherë ai ka qenë i shqetësuar për të gjithë njerëzit e Listës së tij. Ka biseduar me ta duke i mbështetur me fjalë, duke ju dhënë kurajo. Ka pasur kërcënime, por ka qenë i guximshëm…Për të gjitha kërcënimet ka folur publikisht. Për të gjitha kërcënimet dhe situatën e përgjithshme të sigurisë në veri i ka njoftuar të gjitha institucionet, si në Beograd, Prishtinë, dhe bashkësinë ndërkombëtare. Të gjithë e kanë ditur çfarë është situata e sigurisë në veri. Publiki sht ka folur për krimin dhe korrupsionin…Ka apeluar tek të gjithë që ta kuptojnë seriozisht situatën dhe që të gjithë së bashku t’i zgjidhim problemet, mirëpo të gjithë sikur nuk kanë dëgjuar gjërat për të cilat ka folur, dhe të gjithë sot kanë përgjegjësi… Këto kërcënime kanë qenë anonime, përmes telefonit, kryesisht kanë përcjellur mesazhe tek qytetarët se do të mbeten pa punë, se do t’i humbin vendet e tyre të punës, janë frikësuar njerëzit për familjet e tyre, atmosfera thjesht ka qenë e tensionuar”, theksoi Bozhoviq.

Zëvendësja e Ivanoviqit, ka shprehur dyshimet e saj se ambasada amerikane në Prishtinë ka qenë në dijeni për vrasjen e liderit të kësaj Iniciative, Oliver Ivanoviq.

Sipas saj, ambasadori amerikan Greg Delawie dy ditë para vrasjes, ka tërhequr vërejtjen për gjendjen e pasigurt në veri, duke paralajmëruar qytetarët e vet të mos shkojnë në atë pjesë për shkak të gjendjes së rrezikshme atje.

Ajo duke folur për përgjegjësinë e krerëve të disa institucioneve të caktuara, tha se në shtetet normale pas një vrasje të nivelit të tillë, ishte dashur të ketë ndëshkime.

“Jam e mendimit se në një botë normale për një akt të tillë, për një vrasje të tillë, sepse Oliver Ivanoviq nuk ka qenë vetëm qytetar i rëndomtë, por edhe politikan, dhe për një vrasje të tillë ishte dashur që nga ministri i policisë dhe deri tek komandanti lokal, disa të japin dorëheqje, ndërsa disa të sanksionohen. Ne deri tash nuk kemi asnjë reagim. Çka po dua të them, pse po hesht Bashkësia Ndërkombëtare, Eulex-i, ambasadat. Na ka mbetur pak e drejta për të dyshuar sa i përket deklaratës së ambasadorit amerikan i cili dy ditë para vrasjes ka informuar qytetarët e vet se nuk është e sigurt të shkojnë në veri. Ndërsa dy ditë pas vrasjes kemi deklaratën e ambasadorit gjerman i cili poashtu lajmëron qytetarët e këtij shteti që të mos e vizitojnë veriun sepse nuk janë të sigurtë. Kush është duke menduar në këtë drej tim për qytetarët këtu. Ne kemi parashtruar pyetje nëse ambasada e Amerikës dy ditë para vrasjes së Oliverit, kemi filluar të dyshojmë nëse diçka ka ditur rreth kësaj. Deri sot nuk kemi asnjë përgjigje në pyetjet tona. Pse hesht Eulex-i, kur është dashur të arrestohet Oliveri kanë qenë jashtëzakonisht ekspeditivë…Apelojmë tek ta që t’i përcjellin hetimet. Sot është dita e 20-të nga vrasja, ndërsa ne nuk kemi asnjë detaj nga kjo”, tha Bozhoviq.

Pas vrasjes së Ivanoviqit, Bzhoviq tha se ë veri të Mitrovicës mbretëron atmosferë vuajtje dhe heshtje.

Sipas saj, qytetarët ndjehen të pasigurt, ndërsa organet kompetente të sigurisë nuk janë duke kryer punën e tyre siç duhet.

Bozhoviq u shpreh e mllefosur ndaj organeve të hetuesisë, për të cilat tha se nuk kanë lejuar atë dhe bashkëpunëtorët tjerë partiakë t’i shohin pamjet e momentit të vrasjes, të regjistruara nga kamerat e sigurisë të cilat kanë qenë të vendosura në hapësirat e selisë.

Bozhoviq ka përjashtuar mundësinë e vrasjes së Ivanoviqit nga ana e shqiptarëve, derisa u shpreh skeptike se vrasësi do të gjendet ndonjëherë.

“Pres që organet e hetuesisë të kryejnë pjesën e tyre të punës, edhe pse që në start jam skeptike se vrasësi do të gjendet ndonjëherë, por kishim pasur shumë dëshirë për shkak të familjes por edhe neve bashkëpunëtorëve sepse do ta kishim më lehtë kur kishim kuptuar kush e ka bërë këtë akt.. kemi shumë spekulime në media, shumë tregime për autorin e vrasjes, janë këta, janë ata, por mendimi im personal dyshoj (nuk mendoj)”, ka thënë Bozhoviq.

Ivanoviq është vrarë më 16 janar para selisë së tij në Mitrovicë. Deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar në lidhje me këtë vrasje.