Bota uron Obaman (Foto/Video)

Në një letër dërguar liderit amerikan, kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka përshëndetur votimin duke thënë se “e vlerëson thellë" bashkëpunimin e Washingtonit në luftimin e krizës globale ekonomike.
Presidenti francez, Francois Hollande, tha se fitorja e Obamas ndaj sfiduesit të tij republikan Mitt Romney ishte një sinjal se SHBA do të mbetet thellë e angazhuar në çështjet ndërkombëtare. Ai e quajti fitoren një moment të rëndësishëm për SHBA-të dhe për botën”.
Izraeli, që ka shprehur frustrimin me qëndrimin diplomatik ndaj rivalit të tij, Iranit, megjithatë e ka mirëpritur rizgjedhjen.
Kryeminsitri Benjamin Netanyahu i quajti lidhjet bilaterale “më të forta se kurrë”, derisa presidenti Shimon Peres tha se beson se Obama do ta vazhdojë presionin ndaj Iranit që ky i fundit të heqë dorë nga programi i tij kundërthënës bërthamor.
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, gjithashtu ka uruar dhe i bëri thirrje Obamas që të vazhdojë përpjekjet për të arritur paqen në Lindjen e Mesme, transmeton REL.
Ndërkohë, është zhvilluar festë në Indonezi, ku Obama ka jetuar si fëmijë, dhe në Keni, prej nga ka prejardhjen, ku ka lindur i ati i tij.
Duke folur në fshatin Kogelo, gjyshja e presidentit, Sara Obama, i kërkoi të nipit që të punojë shumë dhe tha se ai është i mirëseardhur që ta vizitojë Keninë në çdo kohë.
“Ai mirëpritet në vendin e tij. Unë vetëm dua t'i them, që t'i përshëndes të gjithë ata njerëz që kanë treguar besimin e tyre duke e zgjedhur atë”, tha Sarah Obama.
Në Egjipt, ku Obama bëri një fjalim historik në vitin 2009 mbi shpresat e tij për botën myslimane, president Muhammad Morsi përshëndeti fitoren e Obamas duke thënë se shpreson se administrata e SHBA-së do t'iu shërbeje interesave amerikane dhe atyre të popullit të Egjiptit. /Telegrafi/
E plotësuar - Barack Obama me gruan e tij dhe bijat, në skenën e shtabit zgjedhor në Chicaco, u pritë me ovacione disa minutëshe. Publiku u nxitë nga fjalimi i tij, si dhe ndjenjat e tyre patriotike, të cilat përcilleshin me hitin e rockerit Bruce Springsteen, “We Take Care of Our Own”. Presidenti i vjetër dhe i ri përshëndetej me brohoritjet: “Edhe katër vjet”.
“Sot, më shumë se 200 vite kur ish kolonia luftonte për të drejtat që vetë të vendoste për fatin e saj, Unioni ynë po ecën para. Ecën para prej jush, sepse ju jeni ata që keni përforcuar frymën që triumfoi mbi luftën dhe depresionin, që e ngriti këtë vend nga dëshpërimi", tha Obama në fjalimin e tij.
Në fjalimin e tij, zgjedhësve dhe kundërkandidatit Mitt Romney ai i premtoi të ardhme më të mirë, me shpresa më të mëdha.
"Sot na keni kujtuar se rruga ishte e gjatë dhe e vështirë, por jemi ngritur në këmbë, kemi luftuar dhe në zemër e dimë se koha e duhur për SHBA-të është pranë. Dua të falënderoj të gjithë amerikanët që më votuan. Zëri juaj është dëgjuar”, ka thënë Obama.
Ai vuri në dukje se kishte folur me Romneyjem dhe se nuk ia zë asgjë për të madhe.
"Fushata ishte e vështirë, por vetëm për shkakun se të dy e duam këtë vend dhe brengosemi për të ardhmen e tij. Jam i lumtur që në javët e ardhshme do të flas me Romneyn se si do ta drejtojmë Amerikën”, theksoi Obama.
Ai falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në fushatë, dhe në veçanti theksoi rolin e zëvendëspresidentit Joe Biden. Kur ka falënderuar gruan e tij dhe bijat, Obama i bëri përkrahësit me lot.
"Unë nuk do të isha njeriu që jam sot pa gruan që 20 vjet më parë u pajtua të martohet me mua. Michelle, kurrë nuk të kam dashur më shumë, kurrë nuk kam qenë më krenar sesa kur kam parë se si pjesa tjetër e Amerikës dashurohet në ty si Zonjë e Parë”.
Për fëmijët e tij Obama tha se administrata e tij dëshiron të lë një Amerikën më të mirë, më të pasur dhe më tolerante. Por, ai nuk e harroi edhe pjesën tjetër të botës dhe faktin se Amerika është “polic i botës”.
"Ne duam një shtet që është i sigurt dhe i respektuar në botë, i mbrojtur nga ushtria më e fuqishme në botë, por edhe një vend që nga themelet e luftës do të ndërtojë paqen ku të gjithë do të prosperojmë. Besojmë në Amerikën tolerante, të lirë dhe bujare”.
Në fund, ai ofroi një vizion për të ardhmen: "Ekonomia jonë po shërohet, duke i dhënë fund dekadave të luftës. Pavarësisht nëse unë e meritojnë votën tuaj, unë ju kam dëgjuar, kam mësuar nga ju dhe ju më keni bërë president më të mirë. Do të kthehem në Shtëpinë e Bardhë më i vendosur se kurrë. Kurrë nuk kam besuar dhe nuk kam shpresuar si tash për një Amerikë më të mirë. Shpresa thotë se na pret diçka më e mirë, sa herë që tentojnë, sa herë që përpiqemi, sa herë që nuk zmbrapsemi”. /Telegrafi/
E plotësuar - Amerikanët votuan dhe rizgjodhën president të vendit të tyre Barack Obaman, duke i dhënë atij të drejtën për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Obama arriti një fitore të pastër, duke mundur kandidatin republikan Mitt Romney. Menjëherë pas marrjes së rezultateve paraprake nga shtetet e lëkundura, Obama publikoi në Twitter lajmin për fitoren dhe mesazhin e falënderimit për zgjedhësit.
"Kjo ndodhi falë jush, ju falenderoj", shkruante Obama në rrjetin social Twitter, vetëm pak çaste pas marrjes së lajmit të fitores.
"E arritëm këtë bashkë, duke bërë fushatën elektorale dhe tani ja ku jemi".
Vetëm pas çaste më vonë Barack publikoi në Twitter një foto ku ka përqafuar bashkëshorten e tij Michelle, duke e shoqëruar me fjalët: "Edhe katër vite të tjera".
Ndërkohë me anë të një e-maili, Obama u ka premtuar mbështetësve të tij se do të bëjë gjithçka është e mundur për të përfunduar atë që ka nisur.
Obama veç votave elektorale ka marrë edhe më shumë vota popullore se sa rivali i tij, Mitt Romney.
Romney pranoi humbjen në zgjedhje dhe doli përpara mbështetësve të tij në Boston, duke i falënderuar ata për gjithçka kanë bërë në këtë fushatë elektorale.
"Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen. I kam telefonuar Presidentit Obama për ta uruar, familjen dhe zgjedhësit e tij. Kjo është një kohë sfidash për Amerikën dhe unë lutem që Presidenti të ketë sukses në rrugën e tij në drejtim të vendit tonë", tha Romney.
Sfidanti i Obamas, tha se shpresonte që të mos i kishte zhgenjyer mbështetësit e tij, në një fjalim të shkurtër publik në Boston, ku pranoi humbjen përpara mijëra njerëzve.
"Kombi ynë, jeton një moment kritike dhe ne nuk mund të rrezikojmë duke mbajtur qëndrimin e gabuar. Unë besoj tek Amerika dhe tek populli amerikan", tha Romney.
Imazhet e festës në zonën e Obama-s në Chicago u transmetohen në ekrane gjigantë edhe në selinë e Romney-t në Boston, ku atmosfera ishte aspak e këndshme. Dukeshin fytyra të trishtuara dhe në atë park mbizotëronte një heshtje varri.
Avik Roy, një prej këshilltarëve të jashtëm të Mitt Romneyt për shëndetësinë, uron demokratët në një mesazh në Twitter. Mesazhi, i cili citohet nga Washington Post online,thotë: "Urime miqve të mi demokratë. Urimet e mia më të mira për administratën e re. Unë do të vazhdoj të bëj opozitë të ndrshme".
Nga ana tjetër mbështetësit e Barack Obamas kanë nisur të festojnë në Qendrën e Kongreseve në Chicago McCormick Place, vend në të cilin kaluan gjithë mbrëmjen, në pritje të rezultateve. Festime ka edhe në New York dhe në seli të tjera ku janë grumbulluar komitetet mbështetëse të Obamas. /Telegrafi/
--------------------------------------
E plotësuar - Kandidati republikan Mitt Romney është në avantazh në Virginia, ndërsa Barack Obama udhëheq në New Hampshire, Florida dhe Ohio.
Janë këto të dhënat e para jozyrtare nga shtetet e vendosura në procesin e zgjedhjes së presidentit të SHBA-ve, që dalin nga exit poll-et dhe nga projeksionet e mediave ndërkombëtare. Sipas CNN, shteti kyç i Floridas, në 23 për qind të votave të numëruara, presidenti në detyrë Barack Obama për momentin ka 52 për qind të votave, krahasuar me 48 për qind që ka Romney.
Ndërsa në Ohio, Presidenti ka 51 për qind, ndërsa ish-guvernatori 48 për qind; në Karolinën e Veriut janë të dy me nga 49 për qind. Deri më tani Kentucky, Indiana dhe West Virginia janë për Romney-n, ndërsa Vermont për Obama-n. Romney në avantazh në Georgia.
Ohio ka rrezik të transformohet në rastin 'Florida', ku në vitin 2000, votat u rinumëruan. Disa zgjedhës amerikanë kanë denoncuar faktin se aparaturat që shërbejnë për të votuar janë të prishura në disa qendra votimi. Në zonë autoritetet po vëzhgojnë nëse këto ankesa qëndrojnë. Nëse do të vihen re parregullsi, duhet të pritet deri në datë 17 nëntor për të ditur nëse në Ohio ka fituar Barack Obama apo sfidanti i tij republikan Mitt Romney. Probleme edhe në Florida me telefonata automatike që i bëhen zgjedhësve.
Ndërkohë Mitt Romney ka mbërritur në Boston, ku do të ndjekë procesin në vazhdim. Nga bordi i avionit të nisur prej Philadelphia-s, kandidati republikan është shprehur se nëse do të fitojë, nuk do të ketë kohë për të pushuar, ndaj duhet të përqendrojë vëmendjen e tij tek tranzicioni.
"Nëse do të humbas...hmm...kam një familje dhe një jetë përtej kësaj gare, por nuk mendoj se do të kem këtë fat. Jam shumë krenar për fushatën elektorale që kemi bërë, edhe pse asnjë fushatë nuk është perfekte", thotë Romney, cituar nga CNN.
-------------------------------------------
E plotësuar - Ohio, New Hampshire, Pennsylvania dhe Nevada i kanë dhënë votën presidentit aktual Barack Obama, kurse Florida dhe Karolina e Veriut kanë votuar për Mitt Romney. Këto janë exit poll-et paraprake të 'Drudgereport'. Gjithsesi këto janë të dhëna jo zyrtare dhe për t'u vlerësuar në momentin që gara është ende duke vijuar.
Procesi i votimit vijon rregullisht në të gjithë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe orët e ardhshme priten me ankth për të mësuar se cili do të jetë presidenti i ardhshëm i vendit më të fuqishëm të botës.
Obama gjatë kësaj ditë të rëndësishme, duke folur për vullnetarët e një komitetit elektoral në qytetin e tij është shprehur besimplotë se i ka votat e mjaftueshme për të fituar.
"Mezi pres të dalin rezultatet. Prej një mbrëmje të mirë", tha Obama. Pavarësisht kësaj deklarate, rezultatet mund të jenë shumë surprizuese dhe priten me interes rezultatet sidomos në shtetet e lëkundura.
"Çfarëdo që të ndodhë, unë falënderoj vullnetarët. Pavarësisht duelit, përplasjes sonë, është mobilizimi i njerëzve që vlen në këtë rast. Kam dëshirë që të falënderoj guvernatorin Romney për fushatën e qetë elektorale", tha kandidati demokrat.
Për këtë votim është shprehur gjatë një koncerti në Wisconin edhe legjenda e muzikës rock, Bob Dylan, i cili ndërpreu performancën e këngës së tij të famshme "Blowing' in the wind", për të deklaruar se Obama do të jetë fitues.
Një episod i çuditshëm ka ndodhur në Chicago, kur një 21-vjeçare, edhe pse i kishin nisur konstraksionet e lindjes, u paraqit në një qendër votimi për të kryer detyrën e saj si qytetare amerikane. Ndërsa në sallën e lindjes ajo është shprehur se kishte dashur të votonte për veten e saj, por edhe për fëmijën që do të vinte në jetë. /Telegrafi/
----------------------------------------------
E plotësuar - Komuniteti shqiptar, sot, në ditën e votimeve, përveç votës për Presidentin e SHBA-ve dhe kandidatët për Kongres dhe Senat, kanë rastin në shtetin e New Yorkut, për të votuar për herë parë për një shqiptar. Mark Gjonaj është kandidat për marrë mandatin për një ulëse në Dhomën e Ultë e Legjislaturës së Shtetit të New Yorkut- New York State Assembly.
Përfaqësuesit e Partisë Demokratike ngritën dy padi në gjykatat e rretheve në Florida dhe Ohio. Guvernatorit të Floridas, Rick Scott i vënë fajin për refuzimin e zgjatjes së votimit të hershëm në bazë të votave që mungojnë.
Në Ohio demokratët janë të pakënaqur nga pozita e autoriteteve lokale në lidhje me votat "e kushtëzuara". Vota "e kushtëzuar" përdoret për arsye që zgjedhësi të mund të votojë edhe në qoftë se ai nuk mund të paraqes një dokument identiteti ose në rast se emri i tij nuk figuron në listë. Kjo votë konsiderohet "e plotë", nëse personi brenda 7-10 ditëve pas zgjedhjeve shpjegon arsyen pse vota e tij u regjistrua si "e kushtëzuar".
Komuniteti shqiptar i New Yorkut, sot në ditën e votimeve përveç votës së Presidentit, për kandidatët për Kongres dhe Senat, kanë rastin në shtetin e New Yorkut, për të votuar për herë parë për një shqiptar. Sidomos, ata që janë të regjistruar dhe jetojnë në Distriktin 80 në Bronx - New York, herët në mëngjes shkuan të votojnë pa humbur kohë për bashkatdhetarin tonë Mark Gjonaj. Ai është cilësuar nga sondazhet dhe analistët e këtyre zgjedhjeve në këtë qytet si kandidaturë më e fortë për marrë mandatin për një ulëse në Dhomën e Ultë e Legjislaturës së Shtetit të New Yorkut- New York State Assembly.
Gjonaj së bashku me gruan e tij Roberten ka votuar sot në orën 9 të mëngjesit në qendrën e votimit 108 - në Bronx - New York, i shoqëruar dhe nga djali i tij Josephi.
Në të njëjtën qendër votimi ku kanë votuar deri tani dhe një numër i konsiderueshëm shqiptarësh. Ndërkohë,që Gjonaj ka ftuar sot në mbrëmje të gjithë mbështetësit e tij - në të ashtuquajturën "night of victory", në Maestros Restaurant në Bronx - New York, që të marrën pjesë, në "lansimin" e kandidaturës.
Votuesit shqiptarë gjatë kësaj fushate të gjatë dhe të lodhshme janë bërë pjesë e mbështetjes së plotë në fushatën e tij,- duke e parë fitoren e tij si atë të një përfaqësues i parë komunitetit shqiptar për një vend në Kuvendin e shtetit të New York-ut
Votimet e sotme janë një sfidë për banorët e New Yorkut dhe New Jerseyt, ku qindra mijëra banorë po përpiqen të rimëkëmben nga superstuhia Sandy.
Të dyja qeveritë lokale të këtyre shteteve kanë marrë masa për të ndihmuar banorët e zhvendosur nga stuhia, p.sh. duke i lejuar ata të votojnë jo në qendrat e votimit që i ishin paracaktuar, por në qendra të reja. New Jersey po i lejon njerëzit të votojnë me e-mail, ose me faks, por këto metoda nuk duket se do t’i ndihmojnë të votojnë njerëzit që janë ende në pritje të rikthimit të energjisë elektrike.
Qyteti i New Yorkut ka vënë në dispozicion të votuesve autobuzë të posaçëm, me synimin për t’i ndihmuar banorët të shkojnë të votojnë, ndërsa disa distrikte të New Jerseyt kanë shpërndarë fletë votimi të posaçme për strehimet e krijuara për stuhinë.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer thotë se disa votues nga New Yorku kanë shprehur shqetësim se pjesëmarrja në votime mund të jetë më e ulët se normalisht, për shkak të stuhisë. Një pjesë e viktimave të stuhisë thonë se kanë probleme të shumta dhe se këtë vit nuk u mbetet kohë për të votuar. /Telegrafi/
------------------------------------------
E plotësuar - Presidenti amerikan Barack Obama në ditën e zgjedhjeve e ka uruar sfiduesin e tij republikan Mitt Romney për “fushatën spirituoze”. Gjatë vizitës në zyrën e fushatës së Partisë Demokratike në Çikago, Obama i falenderoi vullnetarët dhe mbështetësit dhe shfaqi besimin se do të fitojë, por, i dërgoi një sinjal ekipit të kundërshtarit të tij.
“E di që mbështetësit e tij janë po aq të zënë dhe entuziastë dhe se po punojnë shumë në ditën e sotme”, ka thënë ai.
"Mezi po i pres rezultatet. Pres që të kemi një natë të mirë sonte”, u shpreh presidenti.
Qendrat e votimit janë hapur përgjatë SHBA-së, derisa votuesit amerikanë po hedhin votën në atë që konsiderohet gara më e ngushtë presidenciale në historinë amerikane.
Kandidati republikan Mitt Romney ka votuar në shtetin e tij, Masaçusets, ndërsa nënpresidenti Joe Biden hodhi votën në Delaware, shtetin e tij.
Presidenti në detyrë, Barack Obama ka votuar në votimin e hershëm në Illinois, shteti i tij zyrtar i banimit.
Shumica e sondazheve tregojnë se Obama dhe Romney po zhvillojnë një garë të barabartë për votat popullore. Por, këto vota nuk përcaktojnë fituesin.
Kandidati duhet të fitojë shumicën e votave individuale për të grumbulluar të paktën 270 vota elektorale për të siguruar presidencën.
Sondazhet tregojnë se Obama ka një epërsi të lehtë ndaj Romnyt në shtete e ashtuquajtura “të lëkundura”. Në këto shtete hyjnë Florida, Ohio, Virginia dhe Colorado. /Telegrafi/
---------------------------------------
E plotësuar - Sipas sondazheve të fundit, Barack Obama kryeson në votime me rreth tre për qind, por askush nuk guxon të parashikojnë rezultatin përfundimtar, pasi bëhet fjalë për garën më të ngushtë presidenciale në historinë amerikane të kohëve të fundit.
Sistemi zgjedhor amerikan është shumë i komplikuar. Gjithçka varet nga të ashtuquajturat “shtete të pavendosura” (swing states). Këto janë shtetet federale që nuk kanë traditë të animit për demokratët apo republikanët, prandaj në ditën e votimit mund të ndryshojnë rrjedhën e parashikimeve.
Disa nga këto shtete janë të mëdha si Ohio, Virginia dhe Florida. Sipas përvojës, asnjëri nuk është shpallur president nëse nuk ka fituar në Ohio. Sa për ilustrim, Romney mbrëmë ka vozitur Ohion për të 44-tën herë qëkur ka filluar kampanja zgjedhore.
Në anën tjetër, disa shtete janë të vogla sa që kandidatët në të kaluarën nuk i merrnin shumë parasysh. Një nga këto shtete të vogla (me një milion e 300 mijë banorë) është New Hampshire. Por, në këtë fushatë asgjë nuk është lënë pas dore. Në 10 ditët e fundit të dy kandidatët kanë qenë këtu madje katër herë. New Hampshire ka vetëm katër vota elektorale. Por, meqë gara Obama-Romney është ngushtë, edhe këto katër vota mund të jenë vendimtare.
Mediat amerikane kanë filluar transmetimin e drejtpërdrejtë të votimit, të cilin mund ta ndiqni edhe tek telegrafi.com.
Të drejtë për votime kanë mbi 200 milionë amerikanë. /Telegrafi/
E plotësuar - Derisa disa sondazhe tregojnë se Barack Obama dhe Mitt Romney i kanë të barabarta gjasat në garën për presidentin amerikan, për shamanët peruanë fituesi tashmë dihet!
Duke përdorur maracasat (instrument autokton në Amerikën e Jugut), duhanin nga gjethet e kokës dhe duke pirë pije halucinogjene, një grup i shamanëve peruanë parashikuan fitoren e Obamas në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Të veshur me kostumin tradicional Nada, grupi i 12 burrave dhe femrave u mblodhën në malin San Cristobal të Limës. Ata kanë djegur temjan dhe e kanë hedhur mbi posterin e Obamas, gjë që atij do të duhej t’i sillte fat! Pas kësaj, shamanët kanë “sulmuar” posterin e Romneyt me shpata dhe maracase.
"Apusi (Perëndia i maleve në mitologjinë peruan +- v.j.) na tregon se Obama do të rizgjedhet President i Shteteve të Bashkuara", ka thënë Juan Osco, i njohur si shamani i Andeve.
Shamanët kanë kënduar dhe kanë vallëzuar në rreth, në prani të shumë gazetarëve. Pos që kanë pirë, kanë përtypur fletët narkotike të kokës që përdoren qëmoti në ritet fetare inkase.
Fitoren e Obamas e ka parashikuar edhe fallxhori John Dimo nga fshati i lindjes i babait të Obamas në Keni. Pasi ka rënë në trans dhe ka përdorur mjete “mistike” dhe eshtra shtazës, ai ka thënë se “Obama me siguri do të fitojë”. /Telegrafi/
E plotësuar - Në SHBA, në shtetin më të fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht në botë, po mbahen zgjedhjet presidenciale. Pas mandatit katërvjeçar të presidentit të tanishëm Barack Obama, sfidues për këtë post është kandidati republikan me qëndrime të ngurta, Mitt Romney.
Në anketat e fundit, kandidatët për President të SHBA-ve ishin plotësisht të barabartë - 49 për qind kundrejt 49. Ato po ndryshojnë me një për qind në favor të Obamas. Prandaj, 24 orët e fundit janë shpenzuar për agjitacionin intensiv, që ishte pothuaj i pamundur për vdekatarët e rëndomtë “të paarmatosur" me mjetet më të shpejta të transportit të së sotmes.
Në fakt, për vetëm një ditë, kandidatët presidencial apo ekipet e tyre për propagandë politike janë shfaqur në këto shtete: Ohio, Iowa, Florida, Virginia, Colorado, Wisconsin, Nevada, North Carolina, Pennsylvania dhe New Hampshire.
Fjala është për shtetet që nuk anojnë rreptësisht për asnjërin nga dy kandidatët, prandaj ka shpresa për një kthesë. Sipas "vijës së frontit" të CNN-it për dy kandidatët - harta që shfaqë preferencat e votuesve në vend - Romney është duke dominuar, dhe atë madje në 22 shtete, derisa ka hezitime në Arizona dhe North Carolina.
Romney përfaqëson kastën e pasur amerikane. Pasuria e tij vlerësohet të jetë një çerek miliard dollarë. Ashtu si ati i tij, ishte guvernator i Massachusettsit, por edhe një misionar i Kishës Mormone. Ai është kundërshtari i Obamacareas - reformës më të madhe të Barack Obamas, që ishte hapi i parë serioz në aspektin e sigurimit shëndetësor për shtresat më të ulëta të shoqërisë.
Ai angazhohet për taksa më të ulëta për korporata, ndërsa më 2005 bëhet kundërshtar i abortit, për të cilën më herët ka thënë se duhet të jetë një zgjedhje që i takon gruas. Ai hapi edhe kufizime për këtë temë, duke thënë se ndalimi i abortit duhet të vendoset nga secili shtet, ndërsa ka njoftuar se do të shkurtojë financimin shtetëror për organizatat që merren me planifikimin familjar.
Barack Obama është presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai është gjithashtu presidenti i parë në detyrë që mbështet ligjërimin e martesës mes homoseksualëve. Gjatë administratës katërvjeçare, ekonomia është përmirësuar, por jo aq sa ç’kishin shpresuar shumë njerëz. Prandaj, ai ka edhe shumë kritikë.
Obama propozoi projektligjin për imigrantët në bazë të të cilit do t’u jepej shtetësia imigrantëve që kishin ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshën e fëmijërisë. Ky akt u mbështet nga presidenti, por nuk u miratua kurrë nga Kongresi. Në qershor, Presidenti Obama njoftoi se Shtetet e Bashkuara do të ndalnin përkohësisht dëbimin e imigrantëve që mbroheshin nga deportimi në bazë të projekt-ligjit të imigracionit. Ndërkohë, administrata e tij ka deportuar më shumë imigrantë të paligjshëm se çdo president tjetër amerikan.
Presidenti Obama mbajti premtimin e fushatës për të reformuar kujdesin shëndetësor të vendit. Ndërsa ky ligj ngjalli shumë debate, Gjykata e Lartë, e cila diskutoi kushtetueshmërinë e tij, i mbështeti dispozitat kryesore të ligjit.
Presidenti kërkoi dhe Kongresi miratoi një paketë prej 787 miliardë dollarësh për stimulimin e ekonomisë dhe më pas zbatoi një program shpëtimi për kompanitë e automobilave General Motors dhe Chrysler.
Në maj të vitit 2011, forcat speciale zbuluan vendndodhjen dhe me një operacion ushtarak vranë në Pakistan kreun e al-Qaedas, Osama bin Ladenin, organizatorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001. Presidenti tërhoqi forcat amerikane nga Iraku, shtoi numrin e trupave në Afganistan dhe nënshkroi një traktat të ri për kontrollin e armëve me Rusinë.
Obama e ka përqendruar mesazhin e fushatës kryesisht tek të rinjtë, gratë, pakicat dhe klasa e mesme. Gjatë javëve të fundit, ekonomia është përmirësuar pak, gjë që mund ta ndihmojë Presidentin Obama.
Një ditë para zgjedhjeve, mediat amerikane kanë dhënë edhe parashikimet e rezultateve, të bazuara në anketat e fundit në nivel kombëtar dhe në të ashtuquajturat shtetet e “papërcaktuara”. Sipas kësaj, presidenti Barack Obama mund të fitojë mandatin e dytë me më shumë se 270 vota elektorale dhe një shumicë të vogël të votave të përgjithshme.
Ditorja “The New York Times”, në blogun zgjedhor “FiveThirtyEight”, të quajtur sipas 538 anëtarëve të kolegjiumit elektoral, parashikon se Obama mund të fitojë 307 vota elektronike në raport me 231 për kandidatin Romney, si dhe 50.6 për qind të votave të përgjithshme, në raport me 48.5 për Romneyn.
Portal i dedikuar për zgjedhjet e këtij viti, “Race42012”, parashikon që Obama do të fitojë 290 vota elektorale, ndërsa Romney 248.
Të parët që kanë votuar sot janë dy fshatra në veri të New Hampshiret, të cilët votuan që në mesnatë. Që pas vitit 1948, këto janë fshatrat që e kanë të drejtën të votojnë së pari në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Pas 43 sekondave të votimit, Obama dhe Romney kishin fituar nga pesë vota në fshatin Dixville Notch. Votuesit, që janë gjithsej 10, kanë thënë se kjo është hera e parë që kandidatët fitojnë vota të barabarta në këtë fshat. Në fshatin fqinj, Hart’s Locatin, Obama ka fituar 23 vota, Romney 23. Për pesë minuta kanë votuar 33 persona.
Sipas të dhënave të para të votimit, Obama prinë me katër për qind në Ohio, për diçka më pak në Virginia dhe Colorado, ndërsa Romney prinë me një për qind në Florida.
Presidenti aktual amerikan, Barack Obama, do të pres rezultatet përfundimtare në Chicago, ndërsa republikani Mitt Romney në Boston. /Telegrafi/






















































