Bosnja, një histori tjetër....

Sapo depërton brenda kufijve të Bosnjës, pika doganore të krijon përshtypjen e një vendi të varfër. Bosnja 2010, më shumë se një dekadë pas luftës më të egër të dhjetëvjeçarëve të fundit. Sot, ky shtet me tre kryeministra, po bën tentativën e radhës për t’u bashkuar me Perëndimin, edhe kësaj here e fundit. Më shumë se nga pamundësia, Bosnjën e ka “dërmuar” historia. Më tej, udhëtimi është i qetë nëpër male teposhtë, për të rënë në Sarajevë, atje ku në vitet ’80 janë zhvilluar lojërat olimpike, ndërkohë që 10 vite më vonë, arena e sportit u shndërrua në arenë baruti. Sot, historia është ende peng i së shkuarës, megjithëse ngjyrat e saj kanë ndryshuar tashmë. Në sytë e boshnjakëve, ka më shumë shpresë, më shumë dritë, paçka se imazhet e së shkuarës shfaqen ende në rrugën plot sfida drejt integrimit.
Dy paralele....
Mediat shqiptare, pa dyshim që Bosnjën e kanë përmendur thuajse çdo ditë që prej më shumë se një viti. Kjo për arsyen e thjeshtë se vendi ynë së bashku me këtë vend ballkanik, po tentojnë të përfshihen në “zonën e bardhë” Shengen. Përpos kësaj, Bosnja sot duket një geto në Ballkan, më shumë se sa Shqipëria. Gati gjysma e qytetarëve të Bonjës (serbët dhe kroatët) lëvizin lirshëm në vendet evropiane, ndërsa boshnjakët myslimanë, ende nuk e kanë përfituar këtë status, me ose pa drejtë. Logjika është e thjeshtë: dy shtetas të Bosnjës e Hercegovinës, banues në të njëjtën lagje të Sarajevës, kanë të drejta të ndryshme. Njëri (serb ose kroat) udhëton pa vizë në BE dhe tjetri (boshnjak mysliman) nuk e ka këtë të drejtë. Përse-në do ta japë historia më vonë! Boshnjakët duhet të ndjenjë më keqardhje se ne shqiptarët për sa i përket heqjes së vizave. Arsyeja nuk është e vështirë për tu kuptuar. Për ta, diskriminimi është i qartë.
Tirana dhe Sarajeva po bëjnë përpjekjet e radhës për të arritur në përmbushjen e kritereve (gjithmonë nëse nuk do të ketë kritere shtesë). E nëse Tirana zyrtare e ka më të lehtë, Sarajevës, i duhet të përballet edhe me “konkurrencën” e kryeministrave që herë pas here hedhin poshtë vendimet e njëri-tjetrit. Për boshnjakët, kjo është një situatë e mërzitshme, një gatesë e keqe që nuk kapërdihet dot. Më të dobët, me pa mbështetje, kryeministri përfaqësues i popullsisë myslimane të Bosnjës, është i detyruar herë pas here të bëjë kompromisin e radhës kundër bashkëkombësve të tij. Askush nuk dëshiron të flasë për këtë situatë. Duhet të dini se boshnjakët nuk kërkojnë shumë, thjeshtë duan të jetojnë të qetë në vendin që u dha Zoti. Ata që kërkojnë janë serbët dhe kroatët me politikën e tyre “nën rrogoz”. Ky vend do të ndërtohet, nëse Serbia dhe aleatët e saj, nuk do të përzien edhe një herë gjellën e tyre historike. Bosnja nuk do të duronte më një ndarje, thjesht dhe vetëm për përkatësinë e saj. Ky shtet, duket si në paterica, e çdo goditje do ta shembte për tokë për të mos e marrë veten edhe për shumë kohë të tjera.
Tirana dhe Sarajeva
Sarajeva është një qytet i shtrirë gjerë e gjatë, ndryshe nga Tirana që pamje lakonike. Nga larg, kryeqyteti boshnjak duket qartë, pasi ajri është tejet i pastër. Pemët e shumta dhe minaret e xhamive ngrihen në të gjitha anët e kryeqytetit. Sapo depërton, shihen qartë gjurmët e së shkuarës, të luftës apo të paqes, të krijimit të natyrës, apo të ndërtimit të qytetit. Në Tiranë, rrallë shihet ndonjë gjurmë historie, që dëshmon për këtë qytet. Ky është vetëm paradoksi i parë i madh i kryeqytetit tonë me atë boshnjak, edhe pse njëri në luftë dhe tjetri në paqe. Banesat e ndërtuara rishtas dhe me rregull si dhe hapësirat e gjelbra në çdo njërën ndërtesë, janë kujtime të mira nga Sarajeva. Në Tiranë, mungojnë oborret, e pallatet më shumë se 10 kate janë ndërtuar si gjilpëra të ngjeshura në miniaturë. Në Sarajevë nuk ka “ligjbërës” kokëçarë që bëjnë ç’të duan me qytetin, në Tiranë po. Këtu, njerëzit po “vriten” çdo ditë, ku hapësirat gjithnjë e më shumë ngushtohen, ndërsa banorët e Sarajevës, shohin qiell dhe gjelbërim në çdo horizont. Teksa udhëton nëpër lagje, rrallë sheh kazanë të stërmëdhenj, e po aq rrallë shikon edhe mbeturina. Në Tiranë, i gjen që të dyja sosh, krejt lehtësisht! Në këtë tragjedi shqiptare, pjesë e mëkatit, për hir të së vërtetës nuk janë vetëm autoritetet por edhe qytetarët. Tek largohesh, Bosnja të bën ta kthesh kokën pas, ku në mendje të mbeten pemët e shumta dhe trotuaret e pastra. Tiranës edhe lamtumirën nuk ia bën dot hallall. Boshnjakët edhe pse në luftë dhe realitete gri historike, kanë ditur të ruajnë “shpirtin” (kulturën, traditën) e tyre, ndërsa ne shqiptarët edhe pse në paqe, kemi zhbërë gjithçka, përveç ndërtimeve.
*******
Gjithandej në Sarajevë vihet re prania e Islamit. Edhe kjo është një histori tjetër. Gratë dhe vajzat e bukura të mbuluara e dëshmojnë këtë, ndërsa djemtë e ri të veshur “trendy” të bëjnë të mendosh kur i sheh në xhami duke falë namaz. Kjo nuk i bën ata më pak evropianë, përkundrazi! Boshnjakët, po jetojnë një histori tjetër. Ata ëndërrojnë një të ardhme më të mirë, megjithëse shumë pyetje të plagëve të shkuara ende i mundojnë. Kush do të përgjigjet për mbi 200 mijë viktimat e luftës? Mbase, historia tjetër.....!!




































