Kryeministri britanik, Boris Johnson tha se është penduar për dështimin e arritjes së një prej premtimeve të tij kryesore, për të kaluar BREXIT-in në parlament brenda datës 31 tetor.

Megjithatë, kryeministri shtoi se marrëveshja që ai ka negociuar me Bashkimin Evropian, është e vetmja mënyrë për të nxjerrë Britaninë nga Europa.

Johnson kishte premtuar që kur mori detyrën për të nxjerrë Britaninë nga Bashkimi Evropian, qoftë edhe pa marrëveshje tregtare, më datë 31 tetor, ndërkohë, deputetët britanik votuan për të vonuar BREXIT-in deri më 31 janar 2020.

Lideri i liberal demokratëve në Britani, Jo Swinson, tha për Sky News se Johnson duhet të fajësojë veten për premtimin e BREXIT-it me çdo kusht. Rrugëtimi tejet i vështirë i Britanisë së Madhe që prej referendumit të vitit 2016 ka sjellë paralajmërime nga bizneset dhe ekonomistët se dalja nga Evropa pa një marrëveshje të tranzicionit do të dëmtojë ekonominë.

Mbështetësit e BREXIT-it pa marrëveshje thonë se kjo përbën një mundësi për t’u shkëputur nga rregullat e Bashkimit Evropian.

Sipas sondazheve, Partia Konservatore e Johnsonit ka një avantazh prej 8 për qind ndaj opozitës, përpara zgjedhjeve më 12 dhjetor. /Telegrafi/