LAJMI I FUNDIT:

Bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë, të ‘rezervuara’ për burra

Bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë, të ‘rezervuara’ për burra
Foto: Ilustrim

Bordet e ndërmarrjeve publike në shumicën e rasteve udhëhiqen nga burrat dhe fatkeqësisht kriter për emërim në këto borde, nuk është kualifikimi, por libreza e partisë.

Kështu thotë Mexhide Demolli-Nimani, drejtoreshë në organizatën joqeveritare Fol, ku sipas saj, në Kosovë është bërë “traditë” që këto pozita të udhëhiqen nga burrat.


Kjo vërehet edhe në disa lista të kandidatëve të thirrur për intervistim, të publikuara në faqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës. Në listën e kandidatëve të thirrur për intervistë me gojë për bordin e drejtorëve të Infrakos, janë gjithsej 51 kandidatë, kurse vetëm katër janë gra.

Qeveria e Kosovës në këtë ndërmarrje, në fund të muajit tetor, ka emëruar bordin e përkohshëm në këtë kompani në përbërje katër anëtarë, vetëm një është grua.

Kurse, për drejtor në bordin e Korporatës Energjetike të Kosovës, në listën e kandidatëve të përzgjedhur, të publikuar në muajin tetor, janë gjithsej 72 kandidatë, prej tyre shtatë gra.

Në bordin e përkohshëm të kësaj korporate në fund të muajit tetor, Qeveria ka emëruar tre burra dhe një grua.

Bordi i drejtorëve është organi më i lartë qeverisës i ndërmarrjeve publike. Bordet përbëhen nga pesë ose shtatë anëtarë, të cilët përzgjidhen nga aksionarët, e që mund të jenë qeveria apo komunat.

Në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, qeveria është e autorizuar që të emërojë bord të përkohshëm të drejtorëve për secilën ndërmarrje publike, për një periudhë gjashtëmujore.

Më pas, emërimi i anëtarëve të bordit me mandat të plotë, për disa ndërmarrje duhet të kalojë përmes votave të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Sipas Ligjit, procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

Ndërmarrjet publike në Kosovë kryejnë shërbime të rëndësishme për qytetarë si furnizimi me ujë, mbledhja e mbeturinave, prodhimi i energjisë elektrike apo transporti.

Demolli-Nimani thotë se gjatë monitorimit të konkurseve dhe thirrjes së kandidatëve për intervistë, më shumë se 90 për qind kanë qenë burra.

“Mendësia gjatë këtyre viteve ndoshta i ka demotivuar edhe gratë që të aplikojnë në këto pozita. Nuk do të thotë se nuk ka gra të përgatitura profesionalisht në fusha të caktuara, mirëpo duke ditur se në Kosovë duhet të kesh një librezë të partisë, apo të jesh e afërt në një parti politike që të kesh një vend pune në këto ndërmarrje, bën që shumë gra mos të hyjnë fare në garë”, thekson Demolli-Nimani

Kjo çështje gjatë këtij viti është ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës, nga Grupi Joformal i Grave Deputete në Kuvendin e Kosovës, thotë Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Blerta Deliu, deputete nga Partia Demokratike e Kosovës.

Gratë deputete në Kuvendin e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, në vitin 2005, kanë krijuar Grupin Joformal të Grave, më qëllim që të monitorojnë zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore, por edhe fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe politikë.

Nagavci tregon se tashmë në Kuvend, personat që konkurrojnë për këto pozita, votohen në dy lista të ndara, gra dhe burra.

“Ajo që tashme jemi duke bërë në legjislaturën e fundit, është se po hedhim në votim në lista të ndara, veç burrat dhe veç gratë. Në mënyrë që të sigurohemi që gjithsesi të kemi gra përfaqësuese më shumë në borde të rëndësishme në ndërmarrje edhe në agjenci”, thekson Nagavci.

Deliu thotë se është kërkuar që të ketë kuotë gjinore edhe në përfaqësimin e grave në ndërmarrje publike.

“Është vendosur që në bordet e ndërmarrjeve publike dhe shoqëri aksionare të ketë një kuotë gjinore, duke parë se një numër i vogël i grave konkurrojnë apo i nënshtrohen fazave të rekrutimit në parlament për t’u zgjedhur në bordet e ndërmarrjeve publike. Edhe aty është bërë një progres”, shprehet Deliu.

Ndryshe, të dhëna zyrtare se sa është numri i grave në borde e ndërmarrjeve publike, nuk ekzistojnë, por sipas një hulumtimi të Institutit GAP, të publikuar në vitin 2017, thuhet se nga 159 anëtarë të bordeve në 31 ndërmarrje publike në Kosovë, 135 kanë qenë burra dhe 24 gra.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një ndër proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, por edhe nga faktori ndërkombëtar.

Tashmë është bërë praktikë që secila parti apo secili koalicion që vjen në pushtet, të emërojë anëtarët e partive politike në bordet e ndërmarrjeve publike. Madje, sipas shoqërisë civile, ndarja e posteve bëhet qysh në kohën e arritjes së marrëveshjeve të partive politike për koalicione qeverisëse.

Ndryshe, vendet më të preferuara për punësim në Kosovë vazhdojnë të mbesin bordet e ndërmarrjeve publike, për shkak të vlerës së lartë të pagave dhe përfitimeve të tjera. Në çdo konkurs, numri i aplikuesve është shumë i madh, por në shumicën e rasteve, sipas Lëvizjes Fol, nuk është marrë për bazë kriteri profesional, por përkatësia partiake. /REL/