LAJMI I FUNDIT:

Bontoni në kafene dhe restorant

Bontoni në kafene dhe restorant

Në kafene, restorant apo në ndonjë lokal të ngjashëm gjithmonë mashkulli hyn i pari. Me rastin e daljes nga lokali femra del e para. Nëse femra nuk e ka lënë pallton në gardërobë, mashkulli i ndihmon asaj ta zhveshë, dhe nuk lejon t’i ndihmojë kamerieri.

Te tavolina e para ulet femra. Ushqimet dhe pijet i porosit mashkulli, mirëpo vetëm kur është këshilluar më parë me femrën. Gotën me pije e mbush mashkulli.

Nuk është mirë të shihet femra në shoqëri të meshkujve të cilët mbushin gotat e veta me pije.


Tani kur shumica e femrave punojnë dhe fitojnë vetë para, nuk mund të pritet që gjithmonë mashkulli të paguajë.

Femrat të cilat nuk dëshirojnë që ndokush t’i qerasë, le të dalin dhe të paguajnë faturën e vetë apo në ndonjë rast tjetër t’ua kthejnë në mënyrën më të përshtatshme. Në marrëdhëniet miqësore vlen rregulla që secili të paguajë për vete.

Kur femra është ulur te tavolina nuk bën të grimohet, të krihet, të shikohet në pasqyrë (për këtë ekziston gardëroba apo lokali për tualet), mirëpo nëse mund të lyejë buzët pa pasqyrë mund ta bëjë këtë.

Dorezat dhe çanta nuk bën të lihen mbi tavolinë. Ato t’i lini në karrige afër vetes.

Kur femra del nga lokali, mashkulli ia hap derën. Do të ishte e paedukatë që mashkulli të shtyhej për të dalë i pari nga dera. Mirëpo, kjo nuk vlen vetëm për çiftet, por edhe për çdo të njohur e të panjohur.

Në derën e hyrjes të shtëpisë apo të lokalit përparësi ka ai që del. Femrat dhe të vjetrit kanë përparësi edhe kur hyjnë edhe kur dalin. /Telegrafi/