Policia ka ndërhyrë pas rënies së disa blloqeve ndërtimore në rrugën Zhur–Dragash, në vendin e njohur si “Laku i Keq”, duke rrezikuar dhe penguar qarkullimin e automjeteve.

Sipas Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 11:00, kur patrulla e Njësisë Rajonale të Trafikut Rrugor në Prizren ka pranuar informacionin se nga një mjet transportues kishin rënë blloqe ndërtimore në rrugë.


Patrulla ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa është konstatuar se drejtuesi i kamionit kishte vazhduar lëvizjen pa u ndalur.

Në bashkëpunim me Policinë e Stacionit në Dragash, është arritur të ndalohet kamioni me tabela vendore, në pronësi të një kompanie nga Prizreni.

Për këtë rast, policia i ka shqiptuar fletëparaqitje për kundërvajtje si drejtuesit të mjetit, ashtu edhe personit juridik, në bazë të Ligjit për Trafikun 08/L-186.

Ndërkohë, kompania e autorizuar ka larguar menjëherë blloqet nga rruga, duke mundësuar normalizimin e qarkullimit.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin e rreziqeve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik. /Telegrafi/