LAJMI I FUNDIT:

Bllokimi i zgjedhjes së anëtarëve të OSHP-së, Krasniqi: Qeveria po e dëshmon çdo ditë paaftësinë e saj, janë bllokuar mbi 500 milionë euro që të hyjnë në ekonomi

Bllokimi i zgjedhjes së anëtarëve të OSHP-së, Krasniqi: Qeveria po e dëshmon çdo ditë paaftësinë e saj, janë bllokuar mbi 500 milionë euro që të hyjnë në ekonomi
Foto: Arkiv

Analisti Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me zgjedhjen e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Krasniqi me anë të një reagimi në Facebook ka thënë se Qeveria po dëshmon çdo ditë paaftësinë e saj pasi sipas tij nga kjo janë bllokuar mbi 500 milionë euro që të hyjnë në ekonomi.


“Kjo Qeveri [e Kosovës] po e dëshmon çdo ditë paaftësinë e saj. Ka bllokuar mbi 500 milionë euro që të hyjnë në ekonomi, pasi nuk është në gjendje të zgjedh anëtarët e OSHP-së. Për të ruajtur imazhin e saj nga frika e korrupsionit, ka bllokuar zhvillimin e ekonomisë”, ka reaguar Krasniqi, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, Qeveria është reduktuar në një institucion për menaxhim financiar.

“Në mungesë të projekteve zhvillimore dhe guximit për reformim të skemave sociale dhe pensionale, Qeveria është reduktuar në një institucion për menaxhim financiar. Taksat e mbledhura nga ata që paguajnë, të shpërndahen për konsum mujor!”, përfundon ai.

OSHP tash gati e një vit ka mbetur jofunksional si pasojë e mos zgjedhjes së Bordit të këtij institucioni. Në sirtarët e këtij institucioni kanë mbetur 626 ankesa të operatorëve ekonomik pa u shqyrtuar.

'Gjykata e Tenderëve' vazhdon të mbetet jofunksionale, bllokohen me qindra projekte kapitale
Lexo po ashtu 'Gjykata e Tenderëve' vazhdon të mbetet jofunksionale, bllokohen me qindra projekte kapitale

Tentativat për ta funksionalizuar Bordin e OSHP-së ishin bërë me hapjen e konkursit më 26 maj, por në Kuvend më 6 dhjetor 2021 përfundimisht dështoi procesi i emërimit të kryetarit dhe anëtarëve.

Votimi dështoi për dy herë radhazi. Herën e parë dështoi më 23 nëntor për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa më 6 dhjetor 2021 dështoi emërimi i tyre pasi ishin vetëm dy vota për dhe 64 kundër dhe një abstenim. /Telegrafi/