LAJMI I FUNDIT:

Bizneset e peshkut në Istog të ngulfatura nga pagesat e dyfishta të ujit

Bizneset e peshkut në Istog të ngulfatura nga pagesat e dyfishta të ujit

Në takimin e ndërmjetësuar nga Oda e Afarizmit të Kosovës, ndërmjet prodhuesve të peshkut në Istog dhe ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka u diskutua për çudinë e radhës që po iu ndodhë bizneseve në Kosovë.

Biznesi i peshkut në Istog qe dhjetë vite paguan taksë ujore (tantiemë ujore), në Ministrinë e Ambientit dhe në kompaninë rajonale “Drini i Bardhë”, që të dyja pagesa për të njëjtin qëllim.

Sipas një komunikate të Odës së Afarizmit, ajo çka i shqetëson bizneset e peshkut, ishin tarifat e larta që ngriheshin çdo vit dhe që të dyja institucionet që e mbledhin këtë taksë ujore, e akuzonin njëra-tjetrën që nuk kanë të drejtë ligjore për vjeljen e kësaj takse ujore.

“Pas shpalosjes së këtyre problematikave, të cilat po e ngufatin afarizmin në Kosovë, ministri Lluka shprehu gatishmërinë që kjo problematikë të marrë zgjidhje. Ai ftoi një takim të ardhshëm ndërmjet të gjithë akterëve, pra Ministrisë së Ambientit, kompanisë Drini i Bardhë dhe bizneseve të peshkut. Njëherit, të gjithë të pranishmit falënderuan OAK-un për iniciativën që ka ndërmarrë, për t’i dhënë zgjidhje kësaj çudie taksambledhëse të dyfishtë. Nga 13 biznese për prodhimin e peshkut që kishte komuna e Istogut, sot afarojnë vetëm 5 prej tyre, kjo tregon më së miri gjendjen në të cilën ndodhet kjo industri”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/