LAJMI I FUNDIT:

Bisedimet tregtare BE – Britani e Madhe përfundojnë pa marrëveshje

Bisedimet tregtare BE – Britani e Madhe përfundojnë pa marrëveshje

Bisedimet për raportet tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe, pas BREXIT-it, kanë përfunduar pa marrëveshje.

Kryeministri britanik Boris Johnson zhvilloi një darkë pune me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel.


Një burim i tha BBC-së se ende ka “boshllëqe shumë të mëdha midis dy palëve”, por bisedimet do të vazhdojnë. Burimi tha se “një vendim duhet të merret në lidhje me të ardhmen e bisedimeve” deri të dielën. Takimi zgjati rreth tre orë.

Zyrtarët britanikë thonë se përparimi në një nivel politik mund të lejojë që negociatat e bllokuara midis kryenegociatorit të BE-së, Michel Barnier, dhe homologut të tij britanik, David Frost, të rinisin gjatë ditëve të ardhshme.

Por, një burim i qeverisë britanike tha se arritja e një marrëveshje mund të mos ishte e mundur para 31 dhjetorit, kur Britania përfundon daljen e saj nga blloku, dhe nuk do të jetë më e detyruar të ndjekë rregullat e tregtisë së BE-së.

Përpara udhëtimit të tij në Bruksel, Johnson i tha parlamentit se asnjë kryeministër britanik nuk mund të pranojë kërkesat për të cilat BE-ja “po insiston aktualisht”, duke shtuar se vendi do të përparojë edhe nëse nuk nënshkruan një marrëveshje tregtare me bllokun.

Mosmarrëveshjet kanë vazhduar pavarësisht negociatave që kanë zgjatur tetë muaj midis Barnier dhe Frost. Shumë biznese janë në makth, pasi dështimi i një marrëveshjeje do të linte pa rregulluar rreth 1 trilion dollarë në tregtinë vjetore.

Nëse nuk pajtohen, të dyja palët do të bëjnë biznes sipas rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë, që i bie se do të aplikojnë tarifa në importet e njëra-tjetrës.

Vendimi për largim të Britanisë nga BE-ja ka ardhur pasi 52 për qind e votuesve kanë votuar për dalje të Britanisë nga BE-ja kundruall 48 për qind që kanë kundërshtuar atë, në referendumin e mbajtur më 2016.​ /REL/