Billie Eilish u bëri thirrje miliarderëve të dhurojnë paratë e tyre, në një event ku ishte prezent edhe Mark Zuckerberg

Billie Eilish mendon se miliarderët duhet të bëjnë më shumë.
Fituesja 23-vjeçare e çmimeve Grammy pranoi Çmimin e Inovatores Muzikore në “WSJ. Magazine Innovator Awards” të mërkurën, më 29 tetor, dhe e shfrytëzoi mundësinë për të shprehur mendimin e saj gjatë fjalimit të pranimit.
“Jemi në një kohë tani kur bota është vërtet, vërtet keq dhe shumë e errët, dhe njerëzit kanë nevojë për empati dhe ndihmë më shumë se kurrë më parë, sidomos në vendin tonë”, u tha Eilish të ftuarve plot yje. “Do të thoja, nëse ke para, do të ishte shumë mirë t’i përdorje për gjëra të mira — ndoshta t’i jepje disa njerëzve që kanë nevojë për to”.

Eilish nuk i kurseu fjalët, duke iu drejtuar disa personave në sallë: “Ju dua të gjithëve, por ka disa këtu që kanë shumë më shumë para se unë. Nëse je miliarder, pse je miliarder? Pa urrejtje, por po, jepni paratë tuaja”.
Komenti i saj shkaktoi një reagim të lehtë qeshjesh dhe duartrokitjesh të përmbajtura nga publiku në Muzeun e Artit Modern (MoMA), ku ndodheshin miliarderi Mark Zuckerberg me bashkëshorten e tij Priscilla Chan, si edhe yje si Hailey Bieber, Spike Lee, George Lucas, Ben Stiller, Chris Rock, Tory Burch, Questlove, Karlie Kloss dhe shumë të tjerë.

Një dëshmitar në sallë i tha revistës PEOPLE se themeluesi i Facebook-ut, Zuckerberg, nuk duartrokiti bashkë me pjesën tjetër të audiencës pas komenteve të Eilish.
Zuckerberg është personi i tretë më i pasur në botë, me një pasuri neto rreth 257 miliardë dollarë, sipas Forbes.
Zuckerberg dhe Chan ishin të pranishëm në ceremoninë ku edhe kjo e fundit u nderua si “Inovatore e Filantropisë në Shkencë 2025”. Chan, e cila është mjeke pediatre, u vlerësua për punën e saj përmes nismës Chan Zuckerberg Initiative, e cila fokusohet në krijimin e mjeteve të reja për të identifikuar dhe trajtuar sëmundjet.
Profili i WSJ. për Chan, i botuar këtë javë në nder të saj, thekson se Chan dhe Zuckerberg kanë premtuar të dhurojnë 99% të aksioneve të tyre në Meta për këtë kauzë gjatë jetës së tyre.



























































