Bileta e dhuruar për ditëlindje i solli 1 milion dollarë

Një burrë nga Illinois ka fituar 1 milion dollarë në lotari falë një bilete që ia kishte dhuruar një mik gjatë festës së ditëlindjes.
Burri, nga Bradwood, tregoi se gruaja e tij kishte organizuar një festë të madhe për ditëlindjen e tij. Gjatë festës, një mik i dha një zarf me disa bileta lotarie.
Njëra prej tyre, e blerë për shortin Lotto Million 2 të 8 gushtit, rezultoi fituese pasi numrat e saj përputheshin me kombinimin 11, 17, 22, 26, 36 dhe 45.
Fillimisht, fituesi nuk e kuptoi se kishte marrë çmimin e madh. Ai i kërkoi një shoku ta kontrollonte biletën, por edhe shoku gaboi dhe i tha se kishte fituar vetëm 1 mijë dollarë.
“Wow, 1 mijë dollarë nuk janë keq. Kjo ishte një ditë e mrekullueshme”, mendoi ai në atë moment.
Çifti më pas shkoi në një qendër të Lotarisë së Illinoisit për të tërhequr çmimin. Por aty morën lajmin e jashtëzakonshëm.
“I thamë stafit se kisha fituar 1 mijë dollarë. Njëri prej punonjësve buzëqeshi dhe tha: ‘Zotëri, ju në fakt keni fituar 1 milion dollarë’”, tregoi ai.
Fituesi tha se mbeti i tronditur, ndërsa gruaja e tij nisi të përlotej nga emocionet.
Përveç çmimit kryesor, ai fitoi edhe 2 dollarë të tjerë nga një rresht tjetër i biletës.
Burri ka tashmë plane për paratë. Ai tha se do t’i përdorë për udhëtimet e tij vjetore për të vizituar familjarët në Florida, ndërsa po mendon edhe për blerjen e një makine të re dhe një karroce golfi.
Çifti planifikon gjithashtu një udhëtim me anije turistike për të festuar 40-vjetorin e martesës dhe ditëlindjet e fëmijëve të tyre.
“U thashë atyre: ‘Babai paguan’”, tha fituesi me humor. /Telegrafi/


































