LAJMI I FUNDIT:

Bie niveli i ujit në liqenin e Batllaves dhe Badocit për 4 metra

Bie niveli i ujit në liqenin e Batllaves dhe Badocit për 4 metra

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, ka bërë të ditur se niveli i ujit në liqenet akumuluese ka pësuar rënie.
Niveli i ujit në liqenin e Batllaves është 4 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit 4.2 metra nën kuotën maksimale.

“Krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë 12 mars 2018, të dyja liqenet ishin në nivelin kapërderdhës, pra mbi kuotën maksimale. Pothuajse nga gjysma e vitit të kaluar e deri më tash kemi mungesë të reshjeve atmosferike dhe po të mos ishte marrja e ujit nga liqeni i Ujmanit, nivelet e tanishme do të ishin dukshëm më të ultë”, bënë të ditur KRU “Prishtina”.



Pavarësisht rënies së nivelit të ujit në liqene, kjo kompani ka plane konkrete për menaxhimin e thatësirës.
“Në varshmëri të niveleve parashikohen edhe hapat që duhet te merren për menaxhimin e situatave në akumulacione dhe burime nëntokësore në vitet me thatësira që vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike në tokë. Ua bëjmë një krahasim me vitet paraprake”.

Viti me thatësira më të mëdha që janë prekur nivelet e ujit të liqeneve të Batllavës dhe Badocit është viti 2013 deri në muajin prill 2014.

Muaji shkurt 2014, ulja e nivelit të liqenit të Batllavës ka qenë (-13metra) nën nivelin maksimal, ndërsa në pot ë njejtin muaj ulja e nivelit të liqenit të Badocit ka qenë (-14 metra) nën nivelin maksimal.

Rezervat e ujit për prodhim për qytetarët, kanë qenë vetëm edhe për 3 – 4 muaj.

Bashkëpunimi i KRU “Prishtina” me të gjitha komunat dhe drejtoritë e inspekcioneve për të ndalur keqpërdorimet dhe abuzimet me ujin e pijshëm që vijnë nga ana e konsumatorëve të papërgjegjshëm , është në nivelin e kënaqshëm.

“Në më pak se një dekadë – deri në vitin 2025, gati 75% e popullsisë së botës pritet të jetojnë me burime të kufizuara ujore (një studim i Kombeve të Bashkuara). Vendet, sidomos ato të botës në zhvillim dhe rajone të tjera që tashmë janë duke vuajtur nga mungesa e ujit, ka gjasa të mbajnë peshën e thatësirës dërrmuese ne dekadën që po hyjmë. Pra, theksojmë edhe njëherë se, është shumë me rëndësi që të gjithë së bashku ta menaxhojmë përdorimin e ujit të pijshëm dhe të raportojmë me kohë rrjedhjet e ujit dhe keqpërdorimet”. /Telegrafi/