LAJMI I FUNDIT:

Bie besimi në ekonominë gjermane

Bie besimi në ekonominë gjermane

Pritshmëritë e biznesit gjerman morën një kthesë befasuese për keq me fillim të vitit, duke nënvizuar edhe njëherë sfidat me të cilat përballet ekonomia më e madhe e Evropës pas një ngadalësim të zgjatur që po përjetohet tashmë botërisht.

Sipas ekspertëve, rënia e papritur në indeksin e besimit u nxit nga zvogëlimi i perspektivave në shërbime dhe ndërtim, pavarësisht se sektori i prodhimit u përmirësua. Pas publikimit të këtyre të dhënave, euro filloi të këmbehej me 1.1023 dollarë.


Autoritetet gjermane po përpiqen që ekonomia të ringrihet pas rënies së prodhimit të vitit 2019 duke shpresuar se rritja e optimizmit midis kompanive do ta dërgonte në një rimëkëmbje më të gjerë.

“Stabilizimi që pamë fundvitin e kaluar në prodhim po vazhdon dhe për shkak se prodhimi është kaq i rëndësishëm për ekonominë gjermane, ne e marrim këtë si një shenjë të mirë përkundër rënies në indeksin e përgjithshëm të besimit”, tha presidenti i Institutit për Kërkime Ekonomike (IFO), Clemens Fuest, përcjell Telegrafi.

Siç duket, ka ende mënyrë alternative që ekonomia gjermane të rimëkëmbet disi. Ekonomia kineze që është një nga tre partnerët kryesorë tregtarë të Gjermanisë, po ngadalësohet dhe kërcënimi i tarifave të makinave evropiane të presidentit Donald Trump është ende i madh.

Referuar kësaj situate, Fuest shprehet se, “Kina vazhdon të jetë një treg shumë i rëndësishëm për Gjermaninë dhe ka një ndikim të madh në ekonominë botërore, ndaj rënia e Kinës është kërcënimi kryesor, më shumë se sa edhe vetë kërcënimi i një lufte tregtare me SHBA-në”. /Telegrafi/