LAJMI I FUNDIT:

Besuam se mund të jetojmë si ukrainas dhe si rusë, por jo më

Besuam se mund të jetojmë si ukrainas dhe si rusë, por jo më
Pika e kalimit kufitar në Hoptivkë afër Harkivit në Ukrainë, më 18 mars 2020 (foto: Gleb Garanich/Reuters)

Nga: Artem Mazhulin / The Guardian (titulli origjinal: For years, we believed we could live as both Ukrainians and Russians. Not any more)
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Çfarë është për ty, vatra e shtëpisë? Kam udhëtuar dhe kam jetuar në kaq shumë vende, sa që kjo pyetje ndonjëherë më ngatërronte. Të jesh ukrainas-lindor, kjo po ashtu nuk e bënte më të lehtë kërkimin e rrënjëve.

Dy luftërat botërore, Holodomori, terrori i kuq i Stalinit, rënia e BRSS-së, dekadat e izolimit nga bota e jashtme. Por, e di nga gjurmimi – as sa mundesha – i trungut tim familjar që nga shekulli XVIII, se vendi ku kam lindur ishte shtëpia ime stërgjyshore. Një qytet i vogël i quajtur Dvoriçna dhe fshatrat përreth në Qarkun e Harkivit, vetëm 19 milje larg kufirit rus. Që nga lufta [e vitit të kaluar], ajo shtëpi është bërë vijë e frontit; shtëpia e prindërve është bërë strofull për pushtuesit; shkolla ime është bërë poligon qitjeje dhe i gjithë fshati im është bërë fushëbetejë.

Duke jetuar në kufi, të dy identitetet shpeshherë përziheshin në të dyja anët, pa e vënë re këtë – edhe pse gjithçka tashmë ka ndryshuar. Dvoriçna ishte në kufi me Republikën Socialiste Federative Sovjetike Ruse, që nga themelimi më 1918. Por, ai kufi nuk ishte gjë tjetër veçse një vijë në një hartë. Nuk kishte kufi fizik me fshatrat dhe qytetet fqinje ruse dhe as [barriera] gjuhësore apo kulturore.

Babai im e kaloi gjysmën e fëmijërisë në vitet 1970 me një kushërirë në Urazovo dhe Logaçevka në anën ruse të kufirit, ku njerëzit e flisnin të njëjtin dialekt të ukrainishtes – me shumë fjalë dhe huazime ruse, ashtu siç flisnin në palën ukrainase. Por, në atë kohë, të gjithë ishin qytetarë sovjetikë, ose “Sovietskie liudi” (populli sovjetik), një “komb” i ri nën regjimin komunist rus që ishte përpjekje për t’i bashkuar pakicat e ndryshme kulturore dhe gjuhësore të BRSS-së.

Pasi Ukraina e shpalli pavarësinë e vet në vitin 1991, një kufi i vërtetë u ngrit dhe njerëzit u gjendën në dy shtete të ndryshme. Mirëpo, ata ende nuk ishin aq të ndryshëm. Ne ende shikonim të njëjtat filma, të njëjtat kanale televizive, kishim të njëjtët njerëz të famshëm, dëgjonim të njëjtën muzikë. Më kujtohet se si fëmijë i kërkoja babait tim – të dielave, në mesin e viteve 1990 – që ta kthente antenën drejt Rusisë për t’i parë në mëngjes filmat vizatimorë të Disney-t të sinkronizuar në rusisht.

Me kalimin e viteve, kufiri bëhej më i prekshëm. Papritmas, ata do të kontrollonin çantat dhe pasaportën tënde, dhe ti nuk mund ta çoje një derr të therur të freskët në një treg në Urazovo, ose ikonën e gjyshes së ndjerë përsëri në Dvoriçna, sepse tani ishte pengesa e quajtur doganë. Banorët vendas filluan natyrshëm të përballen me një problem identiteti. Pra, jam rus, apo jam ukrainas? Në atë kohë, ne ishim si ajo antena: në Ukrainë, por ndonjëherë duke u kthyer drejt Rusisë. Nuk vërejtëm se çfarë nuk shkonte mirë me këtë.

Por, me kalimin e vjetëve, historia jonë e vërtetë, pa censurën sovjetike, u hap për të gjithë ne. Para shkollës nuk dija asgjë për Holodomorin, nuk dija asgjë për krimet dhe represionet e regjimit të Stalinit, për heqjen e gjuhës ukrainase nga regjimi carist. Prindërit e mi nuk ma thanë këtë kurrë sepse nuk e dinin; gjyshërit e mi, të lindur në fund të viteve 1940, e mësuan një histori të rafinuar sovjetike dhe stërgjyshërit e mi ishin shumë të frikësuar për të folur për ato kohëra. Mësimi i asaj historie më shtyu mua dhe shumë të tjerë që ta kuptojmë identitetin tonë. E kuptova se jam ukrainas – një kulturë e dallueshme nga ajo e BRSS-së ose Rusisë. Gati sa e lejova Rusinë që ta fshijë kujtesën dhe veten time të vërtetë.

Disa njerëz arritën në këtë realitet në shkollë, disa u prekën nga revolucioni portokalli i viteve 2004-‘5, disa nga revolucioni i dinjitetit më 2014, por shumica mbeti ende e pasigurt. Revolucionet ishin në Kiev, të largëta dhe disi të errëta, dhe Rusia ishte këtu – afër dhe e qartë.

Testi i fundit i identitetit – për ne që jetonim në anën ukrainase të kufirit – ishte kur autokolonat e tankeve ruse dhe transportuesit e blinduar të personelit e kaluan kufirin e vitit 1991. Për ne ishte kufi aktual shtetëror, aspak i ndryshëm nga ai me Poloninë në anën tjetër të vendit. Për rusët ajo ishte vijë në një hartë të vizatuar nga Lenini. Nuk thoshte asgjë për ta, ishte gabim, ashtu siç ishte pavarësia e Ukrainës. Kjo është ndoshta arsyeja se pse ishte kaq e vështirë për ata që ta kuptojnë pse ne nuk jemi të lumtur për “çlirimin” tonë nga Vladimir Putini.

Që atëherë, pushtimi shfaqi shumë raste të identiteteve të ngatërruara. Unë ende e pyes veten se pse kishin kaq shumë bashkëpunëtorë ata. Mësuesja ime e gjuhës ukrainase e mbështeti revolucionin portokalli dhe i turpëroi publikisht ata që kalonin në gjuhën ruse kur ne e vizitonim Harkivin. U trondita kur më vonë e pashë një video në YouTube që e shfaqte atë në një takim me përfaqësuesit e administratës pushtuese – për fillimin e vitit shkollor sipas kurrikulës ruse. Ishte një pamje të vetëkënaqur në fytyrën e saj dhe ajo merrte dhurata prej tyre.

Një burrë tjetër – babai i një prej mësuesve të mi – ishte pro-rus, siç janë disa të moshuar, dhe ai i përshëndeti trupat me lule. Por, më pas ushtarët rusë shkuan për ta bastisur shtëpinë e tij dhe ai dyshohet se e qëlloi njërin prej tyre, për ta mbrojtur pronën e vet. Ai u arrestua, u vra dhe u varros – sipas dëshmitarëve. Pyes veten se cilat ishin mendimet e tij, kur çlirimtarët e tij përpiqeshin t’ia vidhnin karburatorin dhe se cilat ishin mendimet e tij kur erdhën për ta kapur. Mos ndoshta: “Sikur Putini ta dinte se çfarë po bënin, ai do t’i kishte ndëshkuar”. Siç thotë një thënie e vjetër ruse: “Cari është i mirë, oborrtarët janë të këqij”.

Çfarë i shtyri këta njerëz të bashkëpunojnë? Mendoj se disa prej tyre e dinin se çfarë po bëjnë. Këta njerëz e kanë zgjedhur identitetin e vet – rus. Shumë të tjerë në asnjë mënyrë nuk bashkëpunuan dhe ose janë larguar ose janë përfshirë në rezistencën partizane. Ata gjithashtu e kanë zgjedhur identitetin e vet – ukrainas.

Pastaj janë shumica që thjesht u përpoqën t’ia dilnin mbanë, duke nënshkruar kontrata të reja pune dhe duke i riregjistruar bizneset e veta nën administratën e re ruse – duke qëndruar larg “politikës”. Ata thjesht përpiqeshin të vazhdojnë të jetojnë, si fëmijët që mbulojnë sytë me duar dhe mendojnë se janë të sigurt.

Por, lufta pashmangshmërisht ka ardhur në pragun e tyre. Shkolla e mesme, ku babai im punonte, tani është një poligon për qitje dhe objekt torture. Ata i qëllojnë njerëzit në gjimnazet tona dhe i torturojnë në klasat tona; ata jetojnë në shtëpitë tona dhe hanë ushqim nga bodrumet tona; ata flenë në shtretërit tanë dhe i plaçkitin pronat tona. Pse? Sepse ukrainasit guxuan të kujtojnë se kush jemi ne, guxuan ta gjejnë identitetin tonë. Dhe, ata që ishin në harresë identiteti duhej të dilnin prej saj dhe më në fund ta zgjidhnin njërën anë. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

U tha se kërkoi 600 mijë euro për të prezantuar, Arbana Osmani thyen heshtjen - flet për herë të parë për atë që ndodhi me Big Brother VIP

Magazina
Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Si “doli” lufta jashtë kufijve të Ukrainës?

Botë
Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Publikohen videot intime në zyre të ushtarakut ukrainas - ai po kërkohet për tradhti kombëtare në Kiev

Evropa
Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Modelja ndan përvojën e tmerrshme në Maldive, tregon se çfarë u ndodhi gjatë pushimeve të shtrenjta

Magazina
Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Zbulohet arsyeja pse Kate Middleton e dha e vetme mesazhin për sëmundjen e kancerit, pa prezencën e Princit William

Magazina
Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Ka pasuri prej 350 milionë dollarësh, Will Smith: Në moshën 50 vjeçare, kuptova që paratë nuk mund të të bëjnë të lumtur

Magazina
Kalo në kategori