LAJMI I FUNDIT:

Berisha-Shala: Kërkesat e minatorëve janë të paarsyeshme

Berisha-Shala: Kërkesat e minatorëve janë të paarsyeshme
Foto: Ilustrim

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Sala Berisha-Shala, ka thënë se çështja e “Trepçës” është neglizhuar nga politika, për të cilën ajo i ka bërë thirrje opozitës që të unifikohen dhe ta kalojnë draft-statusin e kësaj ndërmarrje në Kuvendin e Kosovës.

Më ketë veprim, ajo ka thënë se do t’i hapet rrugë zhvillimit ekonomik të “Trepçës”.

Sala Berisha-Shala ka thënë për gazetën “Epoka e re” se mungesa e vullnetit politik të opozitës për t’u unifikuar, për të cilën gjë ka përmendur dhe mbledhjen e 14 nëntorit të komisionit të cilën ajo e drejton, e që ajo mbledhje dështoi në mungesë të kuorumit, ku u pamundësua dhe raportimi i kryesuesit të bordit të kësaj ndërmarrje Ardian Syla.

“Deri më tani ka munguar vullneti politik dhe siç e dini në mbledhjen që kam ftuar për të raportuar për gjendjen e ‘Trepçës’ nuk kishte kuorum të mjaftueshëm pasi opozita nuk erdhi në mbledhje. Unë do të përpiqem që me deputetë të pozitës ta bëjmë kuorumin dhe ta çojmë përpara këtë çështje. Në mbledhjen e 14 nëntorit na u pamundësua të diskutojmë dhe ta shohim se si është gjendja me ‘Trepçën’ pasi nuk kishte kuorum dhe kryesuesit të bordit z. Syla iu pamundësua raportimi. Prandaj dhe kemi pakënaqësi dhe greva të punëtorëve”, ka thënë Shala.

Ajo e ka quajtur të paarsyeshme grevën e minatorëve, të cilët fillimisht kishin kërkesa për rritjen pagave për 20 për qind, dhënien e 100 eurove dhe nga një dhuratë për minatorët, si dhe ndaljen e punësimeve pa konkurs.

Tani kërkesat e tyre janë reduktuar në dy: Rritjen e pagave për 20 për qind dhe shkarkimin e Bordit dhe Menaxhmentit të “Trepçës”.

Berisha-Shala ka thënë se bazuar në gjendjen aktuale të “Trepçës” dhe pamundësimin për të operuar me fitim, janë të paarsyeshme kërkesat e minatorëve.

Kurse sa i përket bordit dhe menaxhmentit, ajo ka thënë se kjo nuk është kompetencë e tyre. “Nuk duhet të ndikohen minatorët nga politika dhe opozita. Sipas mendimit tim nuk mund të ketë rritje të pagave në një ndërmarrje ku operohet me humbje, ndërkaq sa i përket kërkesës për shkarkim të bordit dhe menaxhmentit kjo është kompetencë e Qeverisë dhe Kuvendit. Ta kemi parasysh se bordit ende nuk është kompletuar dhe nuk ka pasur mundësi dhe rrugë që të punojë më mirë, e kjo dihet për shkaqe politike pasi u pamundësua puna e mirëfilltë e këtij bordi”, është shprehur Berisha Shala.

Ajo ka thënë se pas miratimit të draft-statusit dhe rimëkëmbjes së “Trepçës” atëherë mund të kërkohet rritja e pagave. /Telegrafi/