LAJMI I FUNDIT:

Berati dhe mikpritja shqiptare në pranverën e vitit 1999

Berati dhe mikpritja shqiptare në pranverën e vitit 1999

Nga: Fadil Sahiti

Sa herë shkoj në Berat, përjetoj emocionet e pranverës së vitit 1999 – të pranverës së mbushur me shumë dhimbje dhe dëshpërim, kur ne, shqiptarët e Kosovës, po përjetonim momentet më dramatike të jetës tonë.

Plani serb për zbrazjen e Kosovës po realizohej… Por… për fatin tonë të mirë, ne mbijetuam. Ishte fat, pasi në krah të luftës tonë ishte vendosmëria e administratës amerikane dhe asaj britanike për ta çliruar Kosovën. Mirëpo, shpesh e harrojmë edhe një faktor tjetër që i qëndroi përballë kësaj zezone: faktori Shqipëri dhe shqiptarët e Maqedonisë që jo vetëm ndihmonin në organizimin e rezistencës, por edhe strehuan qindra-mijëra familje nga Kosova.

Kur në pranverën e vitit 1999, unë, bashkë me gruan, nënën dhe fëmijët po iknim nga lufta, nuk dinim ku të shkonim. Pas katër orësh udhëtimi në këmbë, në mbrëmje arritëm në qendër të Kukësit. Aty gjetëm shumë autobusë që prisnin të shpërndanin familjet kosovare nëpër qytete tjera të Shqipërisë. E mbaj mend një situatë bizare, meqë kosovarët refuzonin të largoheshin nga Kukësi. Donin të ishin sa më afër Kosove. Një shofer bërtiste dhe ankohej ngase njerëzit nuk i bindeshin që të shkojnë me të në Berat… Por, pas rreth gjysmë ore, ia dolëm të bindnim një duzinë prej tyre dhe më pas u nisëm në qytetin e vjetër shqiptar.

Pas një udhëtimi 12 orësh, arritëm tek ish-Kombinati i Tekstileve. U vendosëm në një magazinë të boshatisur. Meqë ushqimet që kishim marrë me vete kishin mbaruar, mora djalin dhe dolëm jashtë për të blerë ndonjë gjë për të ngrënë. Pyeta se ku mund të gjej një lokal ku mund të blija ushqim për fëmijët. Dy prej tyre, Taç Papa dhe Myqo Bollëke, na çuan në një restorant aty pranë.  Gjersa prisnim ushqimet, Taçi edhe Myqo rrëfenin përjetimet e tyre për trazirat e vitit 1997. Rrëfenin se si qyteti ishte kthyer në epiqendër të vrasjeve dhe dhunës. Gjatë bisedës, Myqo më thotë se shtëpinë e vëllait e kishte bosh dhe se mund të na e jepte për të jetuar aty. E kuptova se druhej mos do të refuzoja të shkoja. “Ju nuk keni nevojë të vendosni menjëherë”, më tha, “madje, mund të shkojmë ta shohim shtëpinë më parë”. Kështu bëmë. Familja Bollëke jetonte në lagjen Mangalem, një lagje me qytetarë të vjetër dhe me kulturë. Sapo hymë në oborr, thirri nënën dhe gruan për të na takuar. Nuk i harroj asnjëherë fjalët e Nënës Razije, e cila me lot në sy më tha: “Biri i nënës, sa keq ju ka degdisur dushmani”.

U vendosëm tek familja Bollëke, ku jetuam për disa muaj. Familjet tona ngjanin shumë, pasi edhe Myqo jetonte me nënën, gruan dhe vajzat e tij. Kjo na bëri të mos i ndienim aspak ndryshimet kulturore që na i ka imponuar ndarja dhe kufiri shqiptaro-shqiptar. Sfida e vetme ishte komunikimi midis dy plakave – nënës Razije dhe nënës time Naxhije. Por, kjo sfidë nuk zgjati shumë, sepse ato flinin në të njëjtën dhomë dhe për disa ditë i kapërcyen ndryshimet dialektike.

Teksa në këto çaste jam në Berat, pranë familjes Bollëke, dua ta them një gjë që kam mësuar në ata pak muaj që jetuam së bashku: shqiptarët kudo që jetojnë, kanë të njëjtin gjak; kanë shumë më tepër gjëra të përbashkëta dhe shumë më pak dallime.

Faleminderit Berat. Faleminderit Shqipëri. /Telegrafi/