LAJMI I FUNDIT:

Beqaj: Investim në sektorin privat do ta rrisë konkurrueshmërisë dhe produktivitetit

Beqaj: Investim në sektorin privat do ta rrisë konkurrueshmërisë dhe produktivitetit

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ka vizituar Universitetin “Haxhi Zeka”në Pejë ku ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të këtij universiteti dhe ka bashkëbiseduar me studentët në lidhje me mundësitë e zhvillimin ekonomik përmes avancimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë.

Ministri Beqaj u ka thënë studentëve se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë shtylla më e rëndësishme e çdo ekonomie të madhe moderne në botë sot, duke shtuar se bizneset e reja digjitale po e bëjnë dallimin në çdo ekonomi, duke përfshirë superfuqinë më të madhe ekonomike në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Duke folur për rëndësinë e ideve të të rinjve në fushën e biznesit ministri Beqaj ka theksuar se kompanitë si Microsoft, Facebook, Google e të tjera, kanë filluar si ide nga studentët në kolegje e universitete.

Ndërsa duke folur për objektivat e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ministri Beqaj ka thënë se synimi i Ministrisë që ai drejton është inkurajimi i të të rinjve për iniciativa private, realizim dhe përmbushje të ideve të tyre në biznese të reja dhe të zhvilluara, të cilat do të gjenerojnë zhvillim dhe punësim.

“Si Ministri e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të zbatojmë aktivitete për mbështetje të hulumtimit dhe zhvillimit nga sektori privat, skemave voucher për NVM-të, konferencave, kthimit të trurit nga diaspora dhe kampanjave për ngritjen e vetëdijes së shoqërisë dhe komunitetit, posaçërisht studentëve”, tha ministri Beqaj.

“Investim i drejtpërdrejtë në sektorin privat do të arrijë të krijojë efekt pozitiv në rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit”, theksoi ministri Beqaj në ligjëratën para studentëve të Universitet “Haxhi Zeka” të Pejës.​